Flash News

KRYESORE

Drama e Brexit e shpjeguar, aq sa është e mundur

Drama e Brexit e shpjeguar, aq sa është e mundur

Kryeministrja Theresa May po u lutet udhëheqësve të Bashkimit Europian për ta shtyrë afatin e Brexit deri më 30 qershor.

May i dërgoi një letër më 20 mars Donald Tusk, president i Këshillit të Europës, duke kërkuar një vonesë të shkurtër për afatin e Brexit - deri më 29 mars, vetëm nëntë ditë larg. Plani i May, sipas letrës së saj, ishte ta çonte marrëveshjen e saj Brexit edhe njëherë në Parlament për një votë të tretë, dhe të përdorë kohën e mbetur për të lejuar që Parlamenti të kthejë marrëveshjen ndërkombëtare në ligj vendas.

Ngjan e thjeshtë - me përjashtim të faktit se marrëveshja e Brexit e May-it është mundur dy herë dhe me diferenca sikletshëm të mëdha. May po përpiqet ende t'u ndërrojë mendjen fanatikëve pro-Brexit dhe Partisë Demokratike Unioniste të Irlandës së Veriut që të mbështesin propozimin, duke përdorur kërcënimin se nëse nuk e bëjnë këtë, ata rrezikojnë që Brexit të mos ndodhë fare. Deri tani ka patur pak sukses me këtë përpjekje.

Kjo do të thotë se BE-ja me siguri do të jetë skeptike për kërkesën e May-it. Por, pa ndonjë plan tjetër, BE-së mund t'i duhet ta pranojë planin, sidoqoftë.  Tusk iu përgjigj shkurtimisht deklaratës së May-it të mërkurën duke thënë se "një shtyrje e shkurtër do të ishte e mundur", por do të varet "nga një votim pozitiv për marrëveshjen e tërheqjes në Dhomën e Komuneve".

Të 27 shtetet anëtare të BE duhet të miratojnë çdo shtyrje të afatit të Brexit, dhe vende të ndryshme po dërgojnë mesazhe të ndryshme për momentin. Brexit do të jetë pika kryesore e rendit të ditës në samitin e Këshillit Europian që fillon të enjten, por udhëheqësit e BE mund të mos jenë në gjendje të arrijnë konsensus menjëherë. Tusk pranoi se një takim urgjent i BE-së mund të jetë i nevojshëm.

Brexit ishte planifikuar të ndodhte të premten më 29 mars. Si BE dhe Britania e Madhe dëshirojnë të arrijnë një marrëveshje dhe të prishen në mënyrë miqësore dhe të rregullt. Por nëse të dyja palët nuk bien dakord për një shtyrje, Britania e Madhe e lë zyrtarisht BE-në, me apo marrëveshje.

May kërkon më shumë kohë për Brexit: si erdhëm deri këtu?

Parlamenti votoi një grumbull gjërash para dy javësh: një votim të dytë për Brexit-in e May-it; një tjetër nëse duhet të largohen nga BE pa marrëveshje dhe, një votë nëse duhet të kërkojnë një shtyrje të afateve të Brexit.

Në lojën e 'marrëveshje, jo marrëveshje, apo vonesë', Parlamenti hodhi poshtë Brexit-in e May-it me një diferëncë sërish të sikletshme, edhe pse më e ngushtë se gjatë votimit të janarit- por gjithashtu votoi kundër largimit nga BE pa një marrëveshje. Parlamenti gjithashtu ra dakord të kërkojë një lloj shtyrjeje për afatin përfundimtar të Brexit.

Kryeministrja e bëri të qartë se ajo preferonte një shtyrje të shkurtër - vetëm deri më 30 qershor - dhe tha se do të kërkonte një shtyrje të shkurtër teknike nëse Parlamenti më në fund 'dorëzohet' dhe votonte për marrëveshjen e saj të Brexit-it më 20 mars. Nëse deputetët nuk e bënin (çka nuk ndodhi), ajo do të detyrohej të shkonte në BE dhe të kërkonte për një shtyrje që ishte më e hapur dhe potencialisht më afatgjatë.

Qëndrimi i May-it ishte në thelb: mbështesni marrëveshjen time, ose kush e di se sa kohë do të zvarritet kjo gjëja e Brexit-it. Ky ultimatum shënjestronte anëtarët konservatorë të partisë së saj, të cilët janë në mënyrë të paepur pro-largimit (dhe duan ta bëjnë këtë më 29 mars) dhe Partinë Demokratike Unioniste të Irlandës së Veriut (DUP), e cila ka refuzuar të lëvizë në çështjen e kufijve irlandezë me BE-në.

Por, përpjekjet e May-it për të fituar mbështetje - të cilat ishin të dobëta në rastin më të mirë sipas raportimeve- u anashkaluan, plotësisht dhe papritur nga Kryetari i Dhomës së Komuneve John Bercow.

Bercow është një ish-anëtar i Partisë Konservatore (kryetari heq dorë nga përkatësia partiake) që është bërë një njeri i famshëm i Brexit për shkak të kravatave të tij piktoreske dhe mënyrës së tij shumë të veçantë të tërheqjes së vëmendjes së deputetëve në Parlament. Oh, gjithashtu sepse e ka zemëruar në kulm qeverinë e May-it duke ia kaluar disa prej kontrolleve të procesit të Brexit, parlamentit.

Bercow e bëri këtë në një mënyrë të hapur dhe kontroversiale kur tha se May nuk mund ta sjellë sërish marrëveshjen e saj Brexit për një votim të tretë, sepse në thelb ishte e njëjta me atë që refuzoi parlamenti më 12 mars. Bercow u mbështet në rregullat parlamentare të vitit 1604, në atë që ai e quajti "komventa e fortë dhe e gjatë".

Kjo nuk i la asnjë shans May-it për ta çuar sërish marrëveshjen e saj për një votë më 20 mars dhe e detyroi të kërkojë nga BE një zgjatje, pa një zgjidhje të qartë të ngërçit politik në Mbretërinë e Bashkuar. Natyrisht, siç zbuloi letra e saj për BE, plani i saj në të vërtetë nuk ka ndryshuar - ajo ende dëshiron ta çojë marrëveshjen e saj për një votë të tretë (apo të katërt).

"Duket sikur plani i vetëm është një zgjatje, që do të thotë më shumë kohë për të bërë atë që tashmë është provuar njëherë, që është në thelb përpjekja për të detyruar Parlamentin që të mbështesë marrëveshjen e saj nga frika se nuk do ketë asnjë marrëveshje apo asnjë Brexit", tha Tim Bale, profesor i politikës në Universitetin Queen Mary të Londrës.

BE ka thënë në mënyrë të përsëritur se marrëveshja aktuale është përfundimtare, kështu që perspektivat e një marrëveshjeje thelbësisht të ndryshme janë zero. Ekspertët më thanë se ka një hapësirë ​​lëvizëse në vendimin e Bercow; për shembull, mund të përpiqet të thotë se meqë miratimi i një marrëveshjeje kushtëzohet nga shtyrja, atëherë situata ndryshon. Ose anëtarët e Parlamentit, potencialisht, mund të votojnë për të pezulluar rregullin parlamentar.

Krerët e BE u takuan në Bruksel për të diskutuar nëse do t'i japnin në shtyrje Britanisë së Madhe

Tusk në një deklaratë ku i përgjigjej letrës së May tha se BE kishte pak oreks për të zvarritur Brexit shumë më gjatë dhe se një zgjatje do të varet përfundimisht nga Britania e Madhe duke e kaluar marrëveshjen në përpjekjen e tretë. Kjo do të thotë se May duhet të ketë sukses në provën e tretë (gjë që nuk ndodhi).

Të 27 shtetet anëtare të BE-së duhet përfundimisht të bien dakord për një shtyrje, por vendet janë të ndara në çfarë të bëjnë. Franca ka marrë një linjë të ashpër duke thënë se dëshiron që Mbretëria e Bashkuar të ofrojë një rrugë të besueshme përpara. Irlanda, që rrezikon më shumë se të gjithë, i ka këkuar BE-së të bëjë lëshime.

BE ka treguar gjithashtu se çdo shtyrje do të ishte pak më e shkurtër - ndoshta deri më 23 maj. Kjo datë shënon fillimin e zgjedhjeve të Parlamentit Europian dhe të dyja, Mbretëria e Bashkuar dhe BE, janë të kujdesshme për dhënien e një shtyrjeje e cila do të kërkonte që ajo që do të largohet së shpejti të marrë pjesë në këtë proces.

Teknikisht, Parlamenti i ri Europian hapet në fillim të korrikut (prandaj kryeministrja zgjodhi 30 qershorin si datë e re e Brexit), por europianët me sa duket janë të kujdesshëm që të mos shkojnë kaq pranë këtij afati, duke pasur parasysh se si kanë shkuar negociatat e Brexit deri tani.

"Shqetësimi nga ana e BE-së është: "A do të sjellin këta muaj shtesë ndonjë ndryshim?, tha  Simon Usherwood, zëvendës drejtor i një think-tanku.

BE i ka "parë të gjitha votimet që ndodhën javën e kaluar, ata kanë parë të gjithë kaosin dhe konfuzion, dhe gjithçka Tereza May po u thotë atyre në atë letër është, "Unë vetëm kam nevojë për një shtyrje tjetër dhe do t'ia dal", dhe kjo nuk duket shumë bindëse për BE-në," shtoi Usherwood.

May dhe Tusk, që të dy, po flasin për një shtyrje afatshkurtër, por çdo shtyrje më e gjatë se disa muaj ngre problemet e veta - më i madhi ndër ta zgjedhjet e Parlamentit Europian. Një vonesë e rëndësishme gjithashtu duket e pamundur nëse nuk ka një ndryshim të qartë në Brexit - të tilla si një referendum i dytë ose zgjedhje të mundshme të përgjithshme. Përndryshe, shumë muaj të tjerë për të debatuar për të njëjtën marrëveshje kanë pak kuptim.

*Pershtatur nga Vox.com. Përkthimi i Politiko.al

Të fundit