Drejt ankimimit ndaj KLP, Arta Marku shkakton sërish “tym” për kryeprokurorin e ri

Arta Marku, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme i ka kërkuar dje Këshillit të Lartë të Prokurorisë identifikimin e pikëve nga secili prej 11 anëtarëve ndaj saj.

Për rrjedhojë në listën e KLP, Marku u rendit e dyta pas Olsian Çeles, prokurorit të Krimeve të Rënda, duke lënë pas vetëm Fatjona Memçajn.

“Me qëllim që të vlerësoj të drejtën time për të ushtruar ankim kundër vendimit të Këshillit, kërkoj të më vihet në dispozicion pikëzimi i detajuar i secilit anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë me analizën dhe metodologjinë përkatëse të vlerësimit të ndjekur nga secili anëtar,” shkruan Marku në kërkesë drejtuar KLP-së, duke shfrytëzuar mundësinë që i jep ligji për të bërë ankimim brenda tre ditëve pas publikimit të listës.

Kujtojmë se Olsian Çela u rendit i pari me 459 pikë, Arta Marku me 406 pikë, Fatjona Memçaj  me 362 pikë.

Çfarë deklaroi kreu i KLP

KLP publikoi më 14 nëntor listën e kandidatëve si dhe pikët përkatëse. Gent Ibrahimi, kreu i këtij institucioni po atë ditë u pyet nga gazetarët se çdo të ndodh në rast se ka animime.

“Shpresoj që nuk do ketë ankime nga kandidatët, procesi i vlerësimit ka qenë shumë profesional dhe aritmetikor, ku secili anëtar pati mundësinë të shprehë vullnetin e vet e lirinë e vet të gjykimit. Në këto kushte edhe ligji parashikon mundësi shumë të kufizuara ankimimi që kanë të bëjnë kryesisht me gabime teknike në vlerësim, kështu që besoj që nuk do ketë ankime, por sidoqoftë nuk mund ta parashikojmë”, tha Çela për listën që pritet t’i dërgohet sot (e mërkurë) Kuvendit për votim.

“Kuvendi ka kompetencën kushtetuese të zgjedhë secilin prej tre kandidatëve, edhe të tretin nëse dëshiron, por në frymën e reformës që i mëshon fort meritokracisë dhe depolitizimit në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të sistemit të drejtësisë, edhe Kuvendi shpresoj që të ketë parasysh pozicionin e KLP dhe të votojë atë që renditëm të parin”, shtoi kreu i KLP.

Po ashtu, sa i takon zbardhjes së mënyrës se si kanë votuar anëtarët e KLP, ai tha: “Jam në mëdyshje nëse duhet bërë publik mënyra si ka votuar secili. Mendoj që ka të mira dhe të këqija në publikimin e akteve individuale të votimit nga ana e anëtarëve. Është një vendim që do ja rezervoj këshillit dhe jo vetes time”.

Ankimimi i Markut zvarrit procesin për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri  

Në rast se Marku ankimon në gjykatën e apelit administrativ renditjen e saj në listën e KLP, zëdhënësja e KLP-së, Carmen Gjani sqaroi për Birn se është e drejta e Markut që të njihet me dokumentacionin e kërkuar dhe se informacioni do t’i vihet në dispozicion të mërkurën më 20 nëntor , që është edhe afati i fundit për kryerjen e ankimit në Gjykatën Administrative.

KLP sqaroi gjithashtu nëpërmjet zëdhënëses se nëse Marku apo ndonjë kandidat tjetër do të kryente ankim, kjo do të sillte edhe zvarritje të procesit, pasi lista nuk mund t’i dërgohet Kuvendit për votim derisa të jetë shprehur Gjykata Administrative.

Sipas ligjit në fuqi, në rast se lista do të dorëzohej sot, Kuvendi do të zgjidhte brenda 30 ditësh kryeprokurorin e ri me mandat 7-vjeçar.

Marku u zgjodh me 69 vota mes tensionesh dhe tymueseve në Kuvend në dhjetor të 2017-ës.