Drejtoresha e burgut 325, thirrje Presidentit për amnisti: Të lirohen 4 të moshuara, janë të sëmura

Katër gra, të cilat vuajnë dënimin e tyre në burgun “325” në lagjen “Ali Demi” në Tiranë, kanë nevojë të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe të jetojnë të lira edhe ato vite që u ka mbetur nga jeta. Drejtoresha e burgut të grave, Xhoi Jakaj kërkon nga Presidenti i Republikës të jepet një amnisti e veçantë për katër gratë mbi moshën 65-vjeçe, të cilat janë të sëmura.

Në statusin e saj ne facebook, por edhe në një intervistë në media, Jakaj tregon se të dënuarat H. A., 74 vjeçe; E. Ç., 62 vjeçe (është e sëmurë me kancer); K. Sh., 69 vjeçe dhe D. M., 64 vjeçe (preferojnë të mos u publikohet identiteti i plotë), për shkak të moshës së tyre dhe sëmundjeve që ato kanë, nuk mund ta përballojnë dot jetesën në dhomat e burgut.

Rasti që drejtoresha specifikon, është ai i të dënuarës 62-vjeçare. Edhe pse ajo nuk ka mbushur ende 65 vjeçe, Jakaj thotë se ajo duhet të lirohet që të diagnostikohet në kushte më të mira për sëmundjen që e dënuara ka. Vitin e kaluar, Presidenti nuk e ka aprovuar kërkesën e bërë nga drejtoresha e burgut, për shkak se Parlamenti kishte dhënë amnisti të veçantë për një të burgosur. Por, ajo nuk i humbet shpresat për të ndihmuar dhe realizuar dëshirën e madhe grave të dënuara. Jakaj shprehet se përsëri këtë vit, do të realizojë një tjetër kërkesë për dhënie amnisti të veçantë për katër zonjat e mësipërme.

Drejtuesja e burgut tregon edhe për përballjen e saj me shoqërinë civile, për kërkesën e veçantë që ajo i bën Presidentit. Ajo thotë se pyetja më e shpeshtë që i bëhet është: “Si ka mundësi që kërkon të lirohen gra që kanë bërë një krim”. Për të ka një përgjigje edhe kjo pyetje. Ajo kërkon me doemos lirimin e katër grave, pasi ato janë në një moshë të madhe dhe kanë dënim të lartë dhe, nëse ato nuk lirohen me amnisti të veçantë nuk mund të dalin asnjëherë prej burgut. Në burgun e grave që ndodhet në lagjen “Ali Demi”, ndodhen 100 të burgosura në të dyja regjimet e burgut. Sipas drejtoreshës, kushtet në këtë institucion janë tepër të vështira për t’i përballuar një e dënuar që diagnostikohet nga një sëmundje e rëndë.