Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Drejtori Ekzekutiv për Shqipërinë në BB: Tërmeti do të ulë dukshëm PBB në tremujorin e parë
Drejtori Ekzekutiv për Shqipërinë në Bankën Botërore, Patrizio Pagano thotë se tërmeti që ra më 26 nëntor, do të ndikojë në ekonominë e vendit në tremujorin e parë.
Ai shprehet për “Zërin e Amerikës” se për të ndihmuar vendin, BB është gati të bëjë një livrim të shpejtë të dy huave që kapin një vlerë prej 100 milionë dollarësh, e qeveria do t’i përdorë sipas prioriteteve.
“ Zakonisht në situata të tilla, Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin kur ndodh ngjarja, do të jetë dramatikisht e ulët për arsye të uljes së prodhimit. Pra për vitin 2019 ekonomia do të ketë pasoja nga kjo ngjarje dhe ka të ngjarë që kjo të përçohet edhe në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Normalisht pas disa tremujorësh, fillon rindërtimi dhe ekonomia mëkëmbet. Në përgjithësi nuk do të parashikoja ndonjë efekt të madh pasi kjo nuk do të ndikojë ndoshta në tendencën që ka vendi.”, tha Pagano.
Ai e shikon këtë ngjarje si një mundësi pasi me rindërtimin, ndërtesat e reja do të jenë më të qëndrueshme, e po ashtu edhe ekonomia do të jetë e tillë.
“Është e vështirë të thuash se kur do të ndodhë mëkëmbja, pasi nuk kemi akoma vlerësimin e dëmeve. Dhe Shqipëria nuk është i vetmi vend që vuan pasoja të tilla. Në aspektin afatshkurtër do të ketë pasoja por nuk pres që ato të jenë aty në aspektin afatgjatë. Nëse rindërtimi bëhet me shpejtësi ndoshta nuk do të ketë efekte.”
Pagano shprehet se zyra e tij po bën një fushatë për grumbullimin fondeve për tërmetin.
“Ne zgjodhëm UNICEF-in që po bën disa projekte specifike për fëmijët e prekur nga tërmeti, që kanë humbur pjesëtarë të familjes apo janë të traumatizuar. Pra ne po grumbullojmë fonde në këtë fushatë që do të vazhdojë deri më 19 dhjetor dhe komuniteti i punonjësve të Bankës është mjaft aktiv jo vetëm për kontributin vetë në këtë fushatë por edhe në ndërgjegjësimin e punonjësve të tjerë për të kontribuar. Fondet e grumbulluara nga kjo fushatë do të dyfishohen nga Banka Botërore dhe do t’i kalojnë UNICEF-it për të zbatuar këtë projekt.”, tha Drejtori Ekzekutiv për Shqipërinë në Bankën Botërore