Flash News

KRYESORE

Drejtori i ‘Google’: Inteligjenca artificiale do jetë më e rëndësishme për njerëzimin se zjarri dhe elektriciteti

Drejtori Ekzekutiv i ‘Google’, Sundar Pichai beson se Inteligjenca Artificiale (IA) do të jetë një zhvillim për njerëzimin më i rëndësishëm se zbulimi i zjarrit apo elektricitetit, ngjarje që kanë ndryshuar epokat.

Duke folur në Forumin Ekonomik të Davosit, Pichai u shpreh: “Inteligjenca Artificiale është gjëja më e rëndësishme për të cilën ka punuar njerëzimi. Mendoj se është më e rëndësishme se energjia apo zjarri.”

Inteligjenca Artificiale konsiderohet revolucioni i katërt industrial dhe Pichai foli për disa nga të mirat që do të sjellë.

“Do bëjë të mundur që në të ardhmen të kemi energji të rinovueshme, më të pastër dhe më të lirë. Merrni arsimin si shembull, është vërtet shumë e vështirë të edukosh njerëzit në mënyrë efikase, Inteligjenca Artificiale mund ta ndryshojë në mënyrë fondamentale këtë ekuacion”, tha ai.

Sa i përket rreziqeve që mund të vijnë nga ky revolucion, drejtori i ‘Google’ kërkoi më shumë transparencë.

“Rreziqet janë të rëndësishme. Mënyra se si i zgjidhim është e rëndësishme, ne mendojmë paraprakisht dhe shqetësohemi për to. Duhet të mendosh për Inteligjencën Artificiale që prej ditës së parë dhe të jesh transparent dhe i hapur për mënyrën se si e ndjek progresin”, tha Pichai.

Lidhur me përdorimin e ‘IA’ në fushën ushtarake, Sundar Pichai kërkoi nga shtetet që të mos e përfshijnë dhe të punojnë së bashku për ndalimin e përdorimit në këtë sektor.

“Shtetet duhe të bien dakord për të demilitarizuar Inteligjencën Artificiale. Mendoj se është një qëllim i përbashkët për të cilin shtetet duhet të punojnë së bashku”, u shpreh Pichai.

Të tjera nga DAVOS:

Themeluesi i ‘Alibaba’: Në fillim, nuk dija asgjë për teknologjinë. Puna ime është të gjej njerëz të zgjuar

"Amerika e para nuk do të thotë Amerika vetëm". Trump fjalim në Davos, inkurajon firmat e huaja të investojnë në SHBA 

Të fundit