Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Drejtori i Agjencisë për drogat: Grupet shqipfolëse janë kthyer në kërcënim për Evropën. Shqipëria, jo nyje e trafikut
Drejtori i Agjencisë së BE-së për Drogat (EMCDDA), Alexis Goosdeel deklaron se grupet shqipfolëse po kthehen në kërcënim për Evropën për shkak të fuqizimit të tyre në kontrollin e tregut të kokainës dhe heroinës.
Në një intervistë për ‘Monitor’, Goosdeel ka theksuar se kontaktet direkte me grupet në Amerikën Latine, i ka bërë shqiptarët shumë aktivë në Evropë.
“Së pari është e rëndësishme të sqarojmë se ne po flasim për grupet e organizuara që flasin shqip, kjo nuk do të thotë se ata janë domosdoshmërisht me shtetësi nga Shqipëria. Grupe të tilla që kontrollojnë tregun e kokainës janë bërë një kërcënim domethënës. Duket se disa nga këto grupe që flasin shqip kanë vendosur tashmë linja direkte komunikimi me kartelet e drogës në vendet e Amerikës Latine, që janë prodhuese.
Kjo potencialisht po ndryshon dinamikën e tregut, sepse së pari, do të thotë se këto grupe kriminale shqipfolëse shkojnë dhe komunikojnë direkt në Amerikën Latine me prodhuesit. Në këtë mënyrë, ata mund të rrisin ndjeshëm normën e fitimit nga trafikimi i kokainës dhe kjo përfaqëson një mundësi të madhe korruptimi. Kjo mbulon aktivitete të tilla të krimit të organizuar, si trafikimi i armëve, rrjetet e pastrimit të parave, lëvizjen e paligjshme të drogave dhe njerëzve. Ajo që është përshkruar në disa qytete të Bashkimit Europian është se këto grupe, që flasin shqip, të krimit të organizuar, janë shumë aktive. Një nga karakteristikat e operimit të tyre është se janë tepër të ashpër dhe të dhunshëm dhe kjo është një mënyrë se si disa nga këto grupe u kanë marrë grupeve të vjetra kontrollin e tregjeve lokale.
Kjo është diçka e vëzhguar dhe dokumentuar jo vetëm nga EMCDDA, por edhe nga Europol dhe forcat e tjera policore. Kjo është diçka që duhet monitoruar dhe duhet të kuptohet më mirë se si funksionojnë të gjitha këto grupe të organizuara, cilat janë lidhjet e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sepse në çdo rast, tregu i tyre i synuar janë vendet e Bashkimit Europian. Këto probleme nuk janë vetëm rrezik për demokracinë dhe korrupsionin, por edhe për shëndetin e shqiptarëve, sepse ka gjithashtu njerëz që i përdorin këto substanca në Shqipëri.”
Sa i përket Shqipërisë, Alexis Goosdeel thotë se nuk ka informacion se vendi është një nyje kyçe për trafikimin e heroinës dhe kokainës, por gjithsesi disa episode, si kapja e një laboratori të heroinës në tetor të vitit të kaluar dhe e 615 kilogramëve kokainë në fillim të 2018-s dhe përvoja e vendeve të tjera sugjerojnë se kjo situatë mund të ndryshojë shumë shpejt.