Droga e kapur në makinë, kërcënohen policët

Trafiku i drogës në vendin tonë ka sjellë shumë atentate, prita, vrasje nëpër banesa, zhdukje e deri edhe kërcënime të njerëzve të ligjit. Rrallë policia dhe prokuroria pranojnë se vrasjet e bujshme dhe masakrat që ndodhin në vendin tonë kanë shkak punët me drogën, por rrallë ngjarjet e pazbardhura kanë shkaqe të tjera, kryesisht këtyre viteve të fundit. Tri ditë më parë, në prokurorinë e Lezhës është depozituar një kallëzim i rrallë. Dy punonjës të policisë rrugore të kësaj drejtorie janë kërcënuar me jetë. E jo vetëm me jetën e tyre por edhe të familjes e fisit të tyre. Historia e dy efektivëve të rrugores së Lezhës është e veçantë në fakt për nga mënyra se si janë gjendur në një vendngjarje dhe tashmë duket se ajo rastësi iu është kthyer në bumerang; ata patrullonin rrugën e Kombit nga Miloti në Fan natën e 26 shkurtit, kur një makinë e karamboluar kishte nxjerrë nga bagazhi dhe pjesët e tjera një sasi të konsiderueshme droge, sasi që ishte shpërndarë nëpër rrugë. Dy policët janë afruar në vendin e përplasjes për të verifikuar gjendjen e personave që ishin përfshirë në aksident, me qëllim t’u jepet ndihma e parë dhe të bënin të mundur hapjen e rrugës meqë ishte bllokuar trafiku. Kur janë afruar te vendi i aksidentit kanë parë se te njëra makinë gjendej një person, ndërsa makina tjetër ishte e braktisur. Janë afruar dhe kanë parë që aty kishte gjithandej lëndë bimore të rëna në tokë dhe asnjë person. Kanë konstatuar se ishte lëndë narkotike dhe kanë njoftuar kolegët e Laçit, meqë zona është në juridiksionin e tyre! Dhe me të ardhur kolegët nga Laçi e Lezha, dy policët e Qarkullimit iu kanë kthyer punës së tyre, duke ua besuar çështjen ekspertëve të antidrogës. Personat që ishin në makinën e drogës ikën në drejtim të paditur, ndërsa aksidenti u mësua që atë natë për shkak të ndjeshmërisë së madhe ndaj aksidenteve pas një sërë ngjarjesh të rënda me 8 viktima në tri ditë. Por historia e drogës u mor vesh të nesërmen. Madje jo tërësisht. U tha se nga njëri prej mjeteve kishte rënë kanabis në tokë, por kaq dhe historia u duk se u mbyll për shkak se zhurma e kokainës së Durrësit e mbyti “shakanë” me kanabisin që derdhej rrugëve të Milotit. Të dhënat për këtë kërcënim vijnë nga prokuroria e Lezhës ndërkohë që tashmë bëhet me dije se po hetohet intensivisht për të identifikuar personin që ka kryer kërcënimin ndaj dy policëve.

Kallëzim

1. L., është oficeri i policisë në telefonin e të cilit kanë mbërritur dy mesazhe kërcënuese për jetën e tij dhe të kolegut të tij, V. L. Në kallëzimin e kryer pikërisht nga marrësi i këtyre mesazheve në prokurorinë e Lezhës mësohet se kërcënuesi ka përdorur edhe faktin se të gjitha të dhënat për të dhe për kolegun e tij i kishte marrë konkretisht tek punonjësit e tjerë të policisë. Burimet nga grupi hetimor tregojnë se në fakt kërcënimet janë serioze por që të dy oficerët e policisë nuk kanë dhënë asnjë emër për shkak se nuk dinë të kenë patuar probleme me asnjë person në të gjithë karrierën e tyre. Dyshimet e para i kanë çuar policët dhe hetuesit të dyshojnë se janë pikërisht njerëz të personave që janë arrestuar për makinën e drogës që mund të kenë kërcënuar dy punonjësit e policisë!

 
 
 “Me datë 26.02.2018 kam qenë me shërbim bashkë me kolegun tim V. L. në segmentin rrugor Fushë-Milot-Ura e Fanit. Kemi qenë duke lëvizur me automjet nga Hotel Arbëria për në Milot dhe konstatuam se në Milot, tek ura në autostradë kishte ndodhur një aksident rrugor. Aty konstatuam një automjet veturë, Audi ngjyrë gri me targa AA 620 hI dhe aty ndodhej edhe drejtuesi i saj I. D., (për arsye sigurie fshehim identitetin e shoferit)  me sa mbaj mend. Automjeti tjetër ishte audi ngjyrë blu e errët me targa AA778 FY dhe nuk kishte njeri aty. Dy automjetet ndodheshin rreth 60 metra larg njëra-tjetrës dhe përplasja mes tyre dukej se kishte qenë e fortë. Tek automjeti Audi me targa AA 778 FY konstatuam se kishte lëndë bimore që ne na u duk si lëndë narkotike, hashash. Për këtë kam njoftuar në telefon Komisariatin e Policisë, Laç se është më i afërti dhe i kam kërkuar të na dërgojë përforcime. Pasi kërkuam përforcimet nga Laçi na kanë ardhur.  Më pas kanë ardhur në vendin e ngjarjes edhe shërbimet e Anti-drogës nga Drejtoria e Policisë së Lezhës. Ne kemi bërë praktikën e karambolit të automjeteve dhe me hetimin janë marrë shërbimet e Antidrogës. Nuk kam dijeni se kush është hetuar po arrestuar në këtë rast për lëndën narkotike pasi detyrat janë të ndara. Kjo ka qenë ngjarja e natës 26.02.2018 dhe për këtë ngjarje mendojmë se na janë dërguar sms kërcënuese. Ne kemi qenë në krye të detyrës dhe kemi kryer atë konform ligjit. Nuk kam asnjë lloj problemi apo konflikti me asnjë njeri dhe nuk kam ndonjë dyshim konkret se kush është personi që na ka kërcënuar me këto sms.

Sms-të kërcënuese

Nga numri i telefonit që është identifikuar si numri nga ka ardhur sms kërcënuese i përket kompanisë AMC; 068 8….1! Personi që i ka dërguar që të dy sms-të nga ky numër përdor fjalor kërcënues në drejtim të familjeve të dy policëve. Të dy sms-të janë dërguar në harkun kohor të dy minutave: “Pse mor bir k***rve më fundose kështu do ma paguani me kokë”-ora 14.17!

Më pas është sms-ja tjetër: “Ju kam marrë të gjitha të dhënat nga kolegët tuaj që mezi priten t’i jepnin o k***rva ishit burra tmir ju paralajmëroj merrni masa me paguani dëmin ndryshe do jet keq për ju dhe familjen tuaj. Vlerësojeni këtë që keni bërë se do iu degjeneroj do jua humb farën dhe fisin”- 14.19!

Aksidenti i makinës së drogës  

Dy ditë pas ngjarjes Policia e Shtetit bëri me dije se në lidhje me aksidentin e ndodhur në Milot është arrestuar një i ri në kushtet e flagrancës dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim. Djali i arrestuar, që policia thotë se e ka arrestuar në kushtet e flagrancës, mësohet se është nga një fshat i Kukësit dhe quhet Fadil Tërshalla. Policia nuk ka bërë me dije asnjë të dhënë tjetër në lidhje me atë ngjarje të rëndë, por vetëm ka publikuar të inicialet e tre të kërkuarve dhe emrin e personit të arrestuar. Referuar të dhënave konkrete që vijnë nga Prokuroria bëhet me dije se në atë mjet, ose në tokë, është bërë e mundur të sekuestrohen 50 kg e 730 gramë sasi lënde narkotike e llojit kanabis sativa. Edhe tre personat e tjerë që janë shpallur në kërkim janë mësohet se janë kuksianë dhe se tashmë policia pretendon se edhe mund të kenë lëvizur jashtë vendi. Policia saktëson se përveç arrestimit në kushtet e flagrancës të shtetasit Fadil Tërshalla 25 vjeç i janë referuar materialet Prokurorisë së Lezhës, për shtetasit në kërkim  H.S, B.C dhe L.H, përkatësisht 24, 24 e 31 vjeç të gjithë banues në Kukës dhe Gostil. Personave në fjalë iu gjet dhe bllokua më 28 shkurt në cilësinë e provës materiale, 50 kg e 730 gr lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.

Hetimet

Edhe pse tashmë të gjitha dyshimet për kërcënimin me jetë të dy oficerëve të Policisë Rrugore shkojnë për atë ngjarje në të cilën ata janë gjendur aty duke bërë punën e tyre, hetimet presin të gjejnë fillimisht përdoruesin e atij numri nga kanë ardhur kërcënimet. Tashmë materiali është kaluar në duart e ekspertëve të prokurorisë ndërsa sipas të dhënave ekzistojnë dyshime se kërcënuesit mund të jenë edhe në burg. Edhe pse pretendohet se në burgjet tona nuk mbahen aparatet celularë dyshimet e para flasin për kërcënime që mund të jenë nga persona që ose kanë lidhje me grupin që transportonte drogën atë natë ose janë pjesë e ndonjë rrjeti të trafikut të drogës. Pavarësisht se policia dhe prokuroria nuk kanë dhënë asnjë detaj më tej për atë rast droge ku lënda narkotike hapet nëpër rrugë, bëhet me dije se personat që gjendeshin atë natë në atë makinë i përkasin një grupi të fuqishëm të trafikut të drogës. Megjithatë priten verifikimet dhe hetimet për të zbardhur më tej ngjarjen e kryesisht kërcënimin me jetë të dy punonjësve të policisë!/Shekulli