Deputetja e PD, Rudina Hajdari ka dalë në krah të banorëve nga “Pallati me shigjeta” deri te “Shqiponja”, zonë e cila do të preket nga shembjet e godinave dhe bizneseve në kuadër të projektit të “Unazën e Re” në Tiranë.
Ajo ka treguar takimin me drejtorin e Urbanistikës së Tiranës për të diskutuar këtë çështje dhe sipas saj, pavarësisht ngritjes së kësaj çështje si problem, nuk është marrë parasysh asgjë.
Reagimi i Rudina Hajdarit:
Të dashur miq,
Dua të ngre një problem që ka të bëjë me një çështje shumë serioze për banorët e Unazës së re. Kjo që diskutohet sot me duket shumë pak e rëndësishme përpara qindra qytetarëve që kanë dalë prej tre ditësh për të protestuar kundër shkatërrimit të banesave të tyre.
Para 8-9 muajsh kam qenë në një takim në Bashki, më drejtorin e Urbanistikës së Tiranës për të diskutuar këtë çështje dhe e ngrita si shqetësim e si problem, por mesa duket nuk është marrë parasysh asgjë.
Banorët e Unazës së Re, ku do të ndërtohet një projekt për ndërtimin e rrugës, kanë dalë në protestë pasi po bëhet në mënyrën më mizore të mundshme. Ajo që më shqetëson mua sot dhe që duhet të shqetësojë cdo politikan në këtë vend është fakti se në këtë vend të qeverisur nga Rama, jeta e njeriut të pamundur llogaritet me ZERO. Ajo që bën bashkia e Tiranës nuk ka ndryshim nga një akt terrorizmi, nuk ka absolutisht asnjë lloj ndryshimi. Këtu “Rilindja” e famshme zgjohet në mëngjes, merr një vendim arbitrar dhe të vjen të shkatërron shtëpinë, duke mos pyetur se cfarë do bëhet me familje të tëra. Kanë bërë disa zgjidhje te pakuptimta, kompensime te pamjaftueshme, strehim mjeran, por që dihet se cfarë do të ndodhë në fund, do lihen në mes të rrugës si të mos ishin njerëz.
E kuptoni, qindra familje do të jenë në mëshirë të fatit! Kurrë nuk kam parë aq shumë fëmijë që dalin të protestojnë me familjarët e tyre, edhe ata e kanë kuptuar barbarinë e asaj që po ju ndodh. Pushteti lokal nuk mendon për njerëzit, nuk mendon për pasojat e veprimeve barbare, nuk mendon se si ua kthen përmbys jetën pikërisht atyre që e kanë votuar, nuk mendon për dhimbjen e jashtëzakonshme që po u shkakton këtyre banorëve.
Kjo qeveri dhe kjo bashki neo-fashiste, që diskriminon të pamundurit dhe shkel mbi të dobtin në këtë mënyrë, do bëjë aktin më anti njerëzor me prishjen e mbi 400 shtëpive.
Nuk e di ku e gjejnë fytyrën, ato gra dhe burra që dalin dhe bëjnë konferencë për shtyp pa pikë turpi duke mbrojtur një projekt makabër, një projekt të pa drejtë, që zgjedh prishjen e shtëpive në mënyrë selektive e lë banorët në mes të katër rrugëve!
Kjo padrejtësi që po u bëhet banorëve të Unazës së Re është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, dhe duhet të shkojë si cështje në Gjykatën e Strasbourg-t, vetëm atje mund të marrë një zgjidhje të drejtë!
Kjo është e vërteta sot dhe është më e rëndësishme se cdo diskutim tjetër. Bashkia mban të gjitha përgjegjësitë për këtë vepër monstruoze. Pas maskës se Erion Veliaj fshihet një fytyrë e ndyrë dhe e pabesueshme për popullin shqiptar që me një dorë bën sikur rregullon, e nga ana tjetër shkatërron duke futur lekë në xhepat e tij nga koncesionet korruptive.
Discussion about this post