Flash News

OP-ED

Duke kërkuar një emër për Kryeministrin

Duke kërkuar një emër për Kryeministrin

Ditari i Rezistencës nga Koloreto Cukali

12 gusht 2019

 

Temperatura dje në drekë në oborrin e Teatrit ka qenë 45 gradë. Ka qenë një ditë e vështirë për turnin e asaj ore. Orët më të vështirë janë ato mes 2-shit e 5-s pasdite. Ka njerëz që vijnë për të bërë roje në shesh pasi kanë dalë nga puna. Temperaturat në atë orë lëkunden lart e poshtë 37 gradëve, por ata vijnë prapë. Shumica, i bëjnë këto sakrifica pa iu ndier zëri. Një pjese, nuk ua di as emrat.

Herë pas here, në oborrin e Teatrit kalon ndonjë provokator. “Të bënte nëna 3 a 4 si Erion Veliaj...”. Zakonisht kjo kategori njerëzish, ose janë servilë të pështirë, ose nuk “mbushin” shumë. Vjen, zbraz 'sëmundjen' e vet derisa e përzënë me stil. Vendi i tij nuk është aty. Kjo është kategoria që mban në pushtet Bablokët.

Kur flitet për Bablokun e madh, atë të Bulevardit, në çdo diskutim ai trajtohet si i sëmurë mendor. Perceptimi im është që edhe shumë nga ata që punojnë me të, ashtu e konsiderojnë, por konsiderata e tyre është e përzier me frikë. Kurse në oborrin e TK, ai trajtohet si një i sëmurë pa shpëtim, me të cilin nuk ia vlen as të merresh dhe që është fati i keq i këtij vendi.

Gjithmonë më ka bërë përshtypje se si mediat apo autoritetet në Perëndim, edhe kur flasin për diktatorë, u drejtohen atyre me respekt. Mr. Millosheviç. Mr. Maduro. Mr. Orban. Është pjesë e një kodi respekti, jo për individin, por për institucionin që prezanton. Si Millosheviçi, dhe Maduroja, Duerte, Putini apo Orbani, pavarësisht se përfaqësojnë sojin më të urryer të njeriut që shtie në dorë pushtetin, prapë janë përfaqësues të kombeve e shteteve, ndaj, për respekt jo të individit, por të kombit që ai përfaqëson, në atë moment duhet trajtuar me respekt.

Në këtë raport, unë do doja që mos përdorja termin Babloku i madh dhe ai i vogli, por, Kryeministër apo Kryetar i Bashkisë. Sikurse, është trishtuese dhe ofenduese për çdo qytetar të kësaj Republike që të konsiderohet, ai që duhej të ishte qytetari i parë i vendit si i sëmurë mendor. Por, nga ana tjetër, qytetari i parë i vendit apo dhe ai i qytetit, me vetëdije nuk i kanë lënë vend vetes për të qenë në sytë tanë të tillë.

Ç'emër mund të gjejmë për njeriun që futi gjuhën e arrogancës e të përbuzjes ndaj medias në diskursin e tij zyrtar? Sa respekt mund të kemi për njeriun që e uli standardin e fjalorit të Kryeministrit në terminologjinë e turqizmave fyes ndaj kujtdo që guxon t'i thotë të vërtetën në sy?

Si mund ta thërras me respekt një njeri që zyrën më të lartë të vendit e hap për vizita nga personazhet më të errëta të krimit? Si mund të mos e thërrasim me ironi e dhimbje “Bablok”, njeriun që ashtu e thërret me dashuri malavita e këtij vendi? Ç'emër të respektueshëm mund t'i gjejmë njeriut që Parlamentin dhe gjithë zyrat e këtij vendi me njerëz të kërkuar nga Interpoli, deri dhe me tutorë?

Duke u bërë idhulli i kriminelëve, miku i tyre, Babloku i tyre, mbrojtësi i tyre e deri dhe kalorësi i tyre në shkatërrimin e këtij vendi, ai ka pushuar së qeni Kryeministër. Në fakt, ai është ende Kryeministri i frikës tek ata që besojnë se u ka fatin e jetën në dorë. Këta, paskan qenë shumë. Ka deputetë, artistë, biznesmenë, punëtorë e profesionistë të shumë fushave që kanë frikë se ai mund t'u mbyllë bizneset, t'u çojë tatimorët, t'u presë fondet, apo t'i heqë nga puna me një sms.

Por, në këtë shesh Teatri ai është askush, madje as Kryeministër.

Në këtë shesh, frika ndaj tij është e barabartë me zero, ndaj, mendoj që këtu janë 500 metrat katrorë të fundit të lirisë.

No Pasarán!

Të fundit