Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Sali Berisha
Sot diskutojmë në këtë panel çështje të sigurisë globale në 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore, njërës prej luftrave më të përgjakshme në historinë e njerëzimit. Debati ynë zhvillohet 100 vite larg asaj kohe dhe, natyrisht, mësimet e saj duhet t'i shërbejnë të ardhmes. Mendoj se një nga mësimet e saj që duhet mbajtur mend është e vërteta se ajo luftë nisi në Ballkan dhe u parapri nga luftra ballkanike, të cilat nga ky gadishull u përhapën në Europë dhe në botë. Duhet thënë këtu se Ballkani, përveç luftrave të fillimshekullit që shkoi, njohu dhe luftrat e fundshekullit të kaluar.
Sot, 100 vite pas Luftës së Parë Botërore dhe rreth dy dekada pas luftrave më të fundit ballkanike, po ta vështrojmë me vëmendje gadishullin tonë, do konstatojmë se aty bashkjëtojnë dy ballkane.
Ballkani i paqes, bashkëpunimit, që ka bërë dhe bën përpjekje të mëdha dhe të suksesshme për vendosjen e standardeve demokratike, integrimin në NATO dhe në BE. Sot këto janë dëshirat dhe idealet e popujve të gadishullit, të cilët janë të etur të ecin drejt një të ardhmeje europiane. Por krahas këtij Ballkani në gadishull ekziston, gjallon edhe
Ballkani i fantazmave të shtetomadhnisë, në radhë të parë i serbomadhnisë dhe tani së fundi dhe i Megali Idea-s.
Luftrat ballkanike të fillim dhe fundshekullit që shkoi, që të gjitha, filluan për çështje kufijsh dhe në tërësi për Serbinë e Madhe, por edhe për greko apo bullgaro-madhninë.
Në këtë kontekst jane tejet shqetësuese zhvillimet e muajve të fundit në rajon, në të cilat si çështje kryesore ka dalë ndryshimi i kufijve, ndarja dhe shkëmbimi i territoreve. Çështja e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë është shndërruar në temë kryesore të debatit dhe dominon mbi çdo temë tjetër, çka mendoj se përbën kërcënim serioz për paqen pasi ajo është kryekëput në funksion të serbomadhnise.
Këtu, zoti Vujanoviç tha se për dialogun ai i beson plotësisht zotërinjve Vuçiç dhe Thaçi. Me gjithe respektin që unë kam për zotin Vujanoviç, më duhet të pohoj se unë nuk i besoj absolutisht as njërit dhe as tjetrit, dhe kjo sepse ata që të dy janë vetëm një.
Po pse nuk i besoj unë zotit Vuçiç?! Unë nuk paragjykoj njeri, por nuk mund t'i besoj sepse ai është i fiksuar dhe po punon pa ndërprerë për Serbinë e Madhe.
Lidhur me sa më sipër une po ju rikujtoj këtu vetëm deklaratat e zotit Vuçiç në vizitën e tij të fundit në Kosovë. Në këtë vizitë presidenti i Serbisë nuk vizitoi vende të trashëgimisë fetare serbe në Kosove, por ai vizitoi vetëm Veriun e kësaj Republike dhe konkretisht liqenin e Gazivodës, Liposaviqin, Mitrovicën e Veriut, ekzakt territoret e Republikës së Kosovës që ai rivendikon se duhet t'i bashkohen Serbisë. Përveç simbolikës së vendeve që vizitoi Presidenti i Serbisë, le të shohim cilat ishin mesazhet që ai dha për serbët dhe për botën gjatë kësaj vizite në veriun e Republikës së Kosovës.
Në këtë vizitë dy ishin mesazhet e tij kryesore.
Së pari, ai në mënyre të përsëritur nga Mitrovica e Veriut deklaroi haptas për serbët dhe botën se: Serbia do të bëhet më e madhe!
Së dyti, ai në vizitën e tij deklaroi publikisht se Sllobodan Millosheviç, kasapi i shqiptarëve të Kosovës dhe boshnjakëve dhe popujve të tjerë të Ballkanit, ishte një lider i madh, një udhëheqës i mirë, por ai bëri disa gabime. Me këto deklarata zoti Vuçiç vetëm sa nuk tha haptas se 'Sllobodani i madh' mirë ua bëri viktimave të tij.
Unë gjithashtu nuk mund t'i besoj z. Vuçiç sepse ai nuk po bën asgjë tjetër veçse po paraqet dhe mbron projektin e dikurshëm të Sllobodan Miloisheviçit, të paraqitur me dhjetra herë gjatë sundimit të tij dhe më vonë, për ndarjen e Kosovës, aneksimin e territorve të Veriut të saj për të vazhduar më pas me Republikën serbe të Bosnjes.
Dua te shtoj se në morinë e pafundme të dokumentave dhe akteve ndërkombëtare mbi të cilat qëndrojnë Republika e Kosovës, por edhe ajo e Serbisë, nuk ekziston as dhe një i vetëm që të njohë se midis këtyre dy vendeve ka çështje territoriale që duhen zgjidhur. Nuk ekziston asnjë dokument ndërkombëtar që të pohojë se Kosova ka në territorin e saj qoftë dhe një metër katror të territorit të Serbisë.
Çështja e territoreve midis Serbisë dhe Kosovës ekziston vetëm në projektin e Serbisë së madhe.
Së fundmi, theksoj se këtë ide të shkëmbimit të territoreve, korrigjimit të kufijve, përveç argatëve të Beogradit në Prishtinë, që tundin tani së fundmi flamurin e Serbisë së madhe, e kundërshtojnë pa përjashtim dhe në mënyrë kategorike të gjitha forcat politike në pushtet dhe në opozitë të Kosovës, Qeveria, Parlamenti i saj.
Ja sepse ata të dy për mua, pra Vuçiçi dhe argati i tij, janë një dhe vetëm një. I pari po përdor të dytin për të paraqitur si të vetin projektin e Millosheviçit të Serbisë së Madhe, dhe unë nuk mund, kurrsesi, t'i besoj asnjërit prej atyre.
Po në kuadrin e Ballkanit të shtetomadhnisë, vetëm javën e kaluar ish-ministri i Jashtëm i Greqisë deklaroi para grekëve dhe mbarë botës se ai po largohej i lumtur pasi kishte lënë në tavolinën e Presidentit të Republikës helenike tre dekrete për firmë, me të cilat territori i atdheut të tij, Greqisë, zmadhohej edhe me mbi 40 mijë km katror. Ky nacionalist i sëmurë, të gjithë këtë sukses luftënxitës të Megali Idea-s e bazoi në një marrëveshje deti antikushtetuese për Shqipërinë, që arriti me qeverine vasale dhe apatride aktuale të Tiranës me të cilën Shqipërisë i grabiteshin mijra kilometra katror det dhe triliona metër kub gaz dhe fuçi nafte, pasuri të saj kombëtare nëndetare. Pas kësaj deklarate, me shpejtesi marramendëse gjendja po përshkallëzohej drejt një konflikti të gjerë në Ballkanin e shtetomadhnisë, në rastin konkret të Megali Idesë, por fatmirësisht kryeministri Cipras, mençurisht tërhoqi menjëherë marrëveshjet luftënxitëse që i la trashëgim ish-ministri i tij i Jashtëm, nacionalisti i sëmurë, Kotzias.
Dua t’ju siguroj se me këtë ekspoze nuk kam ndërmend të them se në Ballkan po shkohet drejt një lufte të re në 100 vjetorin e Luftës së Parë Botërore. Unë këtë nuk e besoj, por vetëm desha të theksoj se në interesin më të mirë të sigurisë, paqes dhe stabilitetit, nuk duhen nxjerrë jashtë vëmendjes demonët e shtetomadhnisë që gjallojnë ende në rajonin tonë.
*Fjalimi i mbajtur në Samitin e Krans Montanës nga ish-kryeministri i Shqipërisë. Disa ndërhyrje gramatikore janë të Politiko. Marrë nga faqja në Facebook e Sali Berishës.