Flash News
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Presidenti Begaj dekreton ligjin për zonat e mbrojtura
Mbytet në ujin e shatërvanit një i mitur afgan në Shëngjin
“Minuan sundimin e ligjit”, DASH shpall ‘non grata’ tre zyrtarë të lartë në Ballkan
Akuzohet për 4 vepra penale/ SPAK nis hetimet ndaj drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi
Dy fjalë për Solidaritetin dhe Suvatimin (në vend të Rimëkëmbjes) e Shqipërisë
Alfred Lela
Tërmeti i 26-ës nuk e solli Emergjencën kombëtare; por e nxori në pah. Thjesht e ktheu nga ne tehun e saj në të cilin shqiptari i zakonshëm ka jetuar që prej fillimit të tranzicionit. Ne kemi qenë çdo ditë në Emergjencë kombëtare; shpallja e saj si një mas(k)ë adekuate për t'iu përgjigjur përmasës së tërmetit të javës që shkoi është vetëm një reagim i detyruar.
Emergjenca kombëtare e Shqipërisë është krijuar ditë për ditë, dhe te ajo kemi dorë të gjithë nga pak. Në anë tjetër, klasa politike dhe elitat e tjera, që kanë këmbyer vendet në pushtet, lënë shenjë me të katër putrat mizore në murin e turpit që rrëzoi tërmeti i 26-ës.
Përposhtë këtij muri u zu më së pari mungesa e përkujdesjes (dhe dashurisë) për Atdheun dhe për publiken, për gjënë e përbashkët, ose 'timen e të gjithëve'. Duhet ta kuptojmë këtë nëse duam të dalim nga emegjenca permanente kombëtare: shkujdesja mizore për atë që është e qytetit (apo fshatit), pra e të gjithë neve, riprodhon veten mizorisht në hakmarrje në raste katastrofash natyrore. Brezi i humbur i pishave dhe i rërës në Golem, Shkëmb të Kavajës e Durrës e mori hakun e vet. Një pjesë e mirë e ndërtesave të ngritura aty nuk janë më.
U zu poshtë murit të turpit edhe destandardizmi epik. I cili lexohet më qartë se kudo te asimetria, kjo mëmë e estetikës. A dini ndonjë qytet, lagje, breg deti a liqeni, ku ka një ditancë të respektuar, një lartësi të barabartë, një përkujdesje solidare për hapësirën publike, objektet e traditës etj? Me siguri jo, nëse zbret këtu zonat rezidenciale të pasunarëve të rinj të Shqipërisë (këta parveny mitikë) si Rolling Hills, Long Hill apo Laguna Blu etj., ku shesin pordhë të madhe, edhe pse rreth e rreth i mbyt getoja që u kanë blatuar bashkëatdhetarëve?
Kjo, pra, është mungesa e simetrisë, destandardizimi. Fizik, shpirtëror dhe publik.
Muri i turpit, i rrëzuar në kokën e 50 shqiptarëve të thjeshtë, zuri poshtë mungesën e një standardi tjetër publik: shtatin raktik të emergjencave civile, të reagimit shtetëror. "Nuk janë gati", i thoshte një zjarrfikës italian gazetës 'Il Quotidiano' duke iu referuar reagimit të punonjësve të emergjencave shqiptare. Nuk jemi gati edhe pse e çojmë jetën në një vend ku ka përmbytje, në Jug e Veri, thuajse çdo vit, ku ka zjarre pyjeve dhe maleve thuajse çdo vit; ku ka minatorë të mbetur galerive (dhe miniera e kantiere ndërtimi nën çdo standard sigurie, sa të duash), ku, siç e morëm vesh për të zezën tonë, ka edhe një aktivitet sizmik që e fut Shqipërinë në një skaj të parehatshëm të Tokës.
Ajo që kemi 'fituar' nga tërmeti është një iluzion. Asgjë më shumë. Iluzioni se shqiptarët janë gati të japin qindarkën e fundit për bashkëkombësin, 'pa dallim feje, krahine dhe ideje'. Ndërkohë që kjo është e vërtetë, nuk është as përgjigjia e duhur, as zgjidhja e problemit. Ma merr mendja e gjeni një paradoks te kjo që po ndodh? Te fakti që solidariteti i munguar te publikja, te ajo që është e të gjithëve dhe që quhet 'atdhe', rreket të zëvendësohet me institucionin e mëshirës, altruizmit, një solidarizim në rishpërndarjen e mjerimit. Një batak egalitarian prej të cilit kombet e ndriçuar dhe të stërvitur kanë shpëtuar. Do të tingëllojë cinik përfundimi se, ato para duket sikur po vijnë si shenjë e reflektimit ndaj emergjencës kombëtare të tashit, por jo të emergjencës permanente të gjithmonës. Këta, sigurisht, nuk janë rreshta për kohë të tilla, kur të gjithë presin të ngashënjejnë e të ngashënjehen, por; çfarë mësimi kemi nxjerrë prej kësaj që na ndodhi? është pyetja.
A nuk ka një nxitim për t'i shembur ndërtesat e tragjedisë, shpejt e shpejt, pa marrë prej tyre 'mostrat' e marrëzisë?
A nuk ka një përpjekje për ta ulur sasinë e dëmeve duke futur në listën e 'të sigurtave' ndërtesa të dyshimta?
E me radhë.
Të gjitha këto shenja japin shenjën e madhe se po kërkohet Suvatimi apo Rindërtimi i Shqipërisë, jo Rimëkëmbja. Nuk ka nevojë që kjo fjalë të tingëllojë si diçka programatike, por duhet të jetë shtetërore. Nuk ka nevojë të tingëllojë si fetare, por duhet të jetë shpirtërore.
E dimë tashmë të gjithë se çfarë kemi pësuar nga tërmeti i 26-ës, por se çfarë kemi mësuar ndoshta nuk do ta mësojmë kurrë.Te kjo diferencë duhet të fillojë ideja e Rimëkëmbjes.