Dy grupe të reja parlamentare, Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi shkelën rregulloren e Kuvendit

Në seancën e djeshme të Kuvendit u krijuan dy grupet e reja parlamentare, me deputetët që pranuan të bëheshin të tillë pas djegies së mandateve të PD-LSI.

Por vendimi i miratuar dje në seancë plenare për ngritjen e këtyre dy grupeve u bë duke shkelur Rregulloren e Kuvendit. Neni 15 i Rregullores së Kuvendit flet për mënyrën sesi ngrihen grupet parlamentare. Sipas këtij neni, deputetët mund të formojnë grupe parlamentare sipas përkatësisë partiake ose orientimit politik.

Por në pikën dy specifikohet se: “Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh. Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit”.

Pikërisht në këtë pikë është bërë edhe shkelja. Grupet e reja të ngritura morën emërtesën “Grupi Parlamentar Demokrat” i deputetëve që u futën në Parlament nga lista e PD-së dhe në krye u vendos Rudina Hajdari dhe “Grupi Parlamentar i Pavarur” i deputetëve që u futën nga lista e LSI-së ku si kryetar zgjodhën Nimet Musain.

Në rastin e Grupit Parlamentar të PD-së është bërë shkelja e Rregullores së Kuvendit me dy anëtarët e saj. Kjo, pasi Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi kanë qenë anëtarë të Grupit Parlamentar të PD-së deri në datën 21 shkurt kur u mor edhe vendimi për djegien e mandateve. Kësisoj, nuk është konsumuar harku kohor prej 6 muajsh, në mënyrë që Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi të bëheshin pjesë e një grupi tjetër duke vënë në pikëpyetje edhe vijimin e ekzistencës së këtij formimi politik brenda Kuvendit. Panorama