Dy shkeljet në raportin për Policinë e Shtetit: Arrestuan në Tiranë dy gra me fëmijë të mitur për lidhje të paligjshme energjie

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar shkeljet e evidentuara në raportin mbi Policinë e Shtetit, gjatë periudhës shkurt-qershor 2018.

Gjatë verifikimit të rasteve të arrestimeve, ndalimeve në ambientet e Policisë së Shtetit, rezultoi se ka patur dy raste shkeljeje të të drejtave të njeriut.

Sipas KShH janë arrestuar për vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore disa grave të minoritetit Rom, të shoqëruar në Komisariatin. nr 4 në Tiranë për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

“KShH kontaktoi me fëmijët e mitur të këtyre dy shtetasve, të cilët ishin të pashoqëruar nga të rritur dhe kishin përshkuar të vetëm dhe në këmbë rrugën e largët nga banesa e tyre, në Komisariatin e Policisë, ku mbaheshin nënat e tyre”, thuhet në raport.

Raporti i plotë:

Në përmbushje të misionit të tij, KShH ka monitoruar në mënyrë të vazhdueshme respektimin e të drejtave dhe lirive të personave të shoqëruar, të ndaluar dhe të arrestuar që mbahen në ambientet e Policisë së Shtetit.

Raporti bashkëlidhur përmbledh gjetjet dhe konkluzionet më të rëndësishme të misioneve të monitorimit që KShH ka kryer gjatë periudhës Shkurt – Qershor 2018 në ambientet e drejtorive dhe komisariateve të policisë në disa qytete të vendit, ku mbahen personat e privuar nga liria. Monitorimi i KShH-së është shtrirë në 28 Komisariate të Policisë së Shtetit, përkatësisht në Komisariatet e policisë nr.1, nr.2, nr.3, nr.4, nr.5, nr.6 në Tiranë, Komisariati i Policisë Vorë, Kavajë, Durrës, Fushë-Krujë, Krujë, Fier, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër,Tepelenë, Lezhë, Shkodër, Malësi e Madhe, Elbasan, Përrenjas, Librazhd, Korҫë, Ersekë, Pogradec, Berat, Dibër dhe Kukës. Para se të publikohej, drafti i këtij raporti i është dërguar përmendim Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Sugjerimet dhe komentet e përcjella nga kjo Drejtori janë konfrontuar sërisht me gjetjet e secilit raport monitorimi dhe në përfundim, janë reflektuar në këtë raport ato sugjerime që janë vlerësuar relevante

Nga informacionet e marra gjatë monitorimit rezultoi se natyra e veprave penale ndryshon nga qarku në qark. Veprat penale më të përhapura në të gjitha qarqet ishin ato kundër jetës dhe shëndetit, dhuna në familje, veprat penale kundër pasurisë, kultivimi dhe shitja e lëndëve narkotike. Megjithatë, rezultojnë edhe raste kur personat shoqërohen, ndalohen ose arrestohen edhe për vepra penale me rrezikshmëri të ulët shoqërore sikurse ishte rasti i disa grave të minoritetit Rom, të shoqëruar në Komisariatin. nr 4 në Tiranë për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. KShH kontaktoi me fëmijët e mitur të këtyre dy shtetasve, të cilët ishin të pashoqëruar nga të rritur dhe kishin përshkuar të vetëm dhe në këmbë rrugën e largët nga banesa e tyre, në Komisariatin e Policisë, ku mbaheshin nënat e tyre.

Nga korrespondenca që KShH ka patur me Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat si dhe me Prokurorinë, për ankesat e ardhura lidhur me rastet e ushtrimit të dhunës ka rezultuar që prokuroria ka vendosur pushim të çështjes penale. Gjithashtu, është vërejtur se mungon qasja për një hetim të plotë, objektiv dhe të thellë nga organi i prokurorisë, çka cenon nenin 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që kërkon një hetim efektiv të këtyre rasteve. Madje, në ndonjë rast kur personi pretendon se është dhunuar, prokuroria ka regjistruar ndaj tyre procedim penal me akuzën e “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”. Ndërkohë që në asnjë rast, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat nuk ka pranuar se ndaj shtetasve të ketë rezultuar se është ushtruar dhunë.

Për më shumë informacion, ju ftojmë të njihemi me gjetjet dhe konkluzionet e këtij raporti si dhe rekomandimet adresuar institucioneve përgjegjëse.

Me konsideratë,

Komiteti Shqiptar i Helsinkit