Flash News

KRYESORE

Dy shpejtësitë e LSI-së

Dy shpejtësitë e LSI-së

Gentian Gaba

Java që po mbyllet mund të konsiderohej si e Arta Markut, zonjës që të hënën u betua si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme; ose si java e shkeljes së Kushtetutës nga mazhoranca; ndoshta edhe si java në të cilën Shqipëria dha një votë kundër Shteteve të Bashkuara në OKB.

Por, përtej eventeve të mëdha dhe përcaktuese për të ardhmen e vendit, kjo mund të quhet edhe java e Monika Kryemadhit, zonjës së parë të LSI-së. E pamë të gjithë “mëninë” e saj në Parlament dhe në mes të turmës. Dukej si Akili përballë mureve të Trojës, e furishme për pabesinë ndaj Kushtetutës.  “Mallkimet”, dhe premtimi për hakmarrje ndaj Ramës, e bënë të tingëllonte si një 'burrneshë' e cila kërkonte të vendoste drejtësi me çdo gjest, me çdo klithmë, më çdo çizme të hedhur ndaj armikut të saj të betuar.

Me dashje apo jo, me shumë gjasa PO, u bë protagonistja e betejës politike; mori me akte komunikimi çdo hapsirë mediatike nga e hëna tek e premtja, madje duke sfiduar edhe Bashën, të zotin e shtëpisë opozitare.

Lëvizja Socialiste për Integrim, me Kryemadhin në krye, po duket si një parti që ka ndezur “turbon”, po udhëton me një shpejtësi marramendëse, gati duke tejkaluar limitet strukturore të një force politike të këtyre përmasave.

Ky nxitim nuk është thjeshtë pasojë e destinacionit final, pasi dihet se çdo parti pushtetin ka si qëllim, por një arratisje nga e shkuara e afërt; nga vitet e bashkëqeverisjes me atë që sot është një përbindësh, por dje ishte ortak në “reforma”.

Këtë zonja Kryemadhi nuk e duron dot më; për këtë arsye ishte e para në betejë bashkë me amazonat e saj, deputetet Mehmeti dhe Kërpaçi; bërtiste fort, dhe godiste akoma më fort, sepse çdo sekond lufte me Ramën ishte si një vit opozitë në krah të Bashës.

Por, pikërisht kur Kryemadhi betohej mbi gjakun e Kërpaçit, përfaqësuesit e LSI-së në këshillat bashkiakë të Tiranës dhe Durrësit, duket se i dolën si fantazma nga pasqyrat e pasme.

Të zgjedhurit në këto bashki duket se nuk udhëtojnë me shpejtësinë e zonjës Kryemadhi. Janë disi të ngadaltë, ecin me shpejtësinë me të cilën Lëvizja Socialiste për Integrim “lëvizte” kur burri i Kryemadhit drejtonte këtë forcë.

Është shpejtësia e marrëveshjes. E votës së artë që hap dyer të rëndësishme, dhe në këtë rast çon përpara Veliaj dhe Dakon. Të kuptohemi, marrëveshja nuk është gjë e keqe; të gjesh pikën e takimit është një art. Por, kur nuk ndodh në dobi të interesit publik, apo në përputhje me mandatin e marrë nga qytetarët, kjo krijon deformime dhe lë plot vend për dyshime.

Pikërisht këto dy shpejtësitë e LSI-së (ajo e Kryemadhit dhe ajo e antarëve lësëistë të këshillave bashkiakë) ngjallin dyshime mbi natyrën politike të kësaj force.

Ligjësitë e politikës e pranojnë pragmatizmin, por jo papërgjegjshmërinë, e cila shpejt apo vonë ndëshkohet.

Tetë vite në pushtet, dhe piruetat politike në kohën e duhur në 2009 dhe 2013, na kanë mësuar se LSI është një forcë pragmatiste, por gjithashtu se ka ditur të distancohet me shpejtësi nga përgjegjësitë politike kur e ka lypur pushteti.

Sot, nga pozicioni opozitar në Parlament, ka rastin të mësojë diçka më shumë mbi përgjegjshmërinë, pragmatizmin t’ja lënë opozitarëve në këshillat bashkiakë. 

Të fundit