Flash News
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Gentian Gaba
“Hapja e negociatave të BE-së me Shqipërinë është çështje jetë a vdekje” – ka deklaruar në një intervistë për Euronews kryeministri i vendit Edi Rama. Një apel i fortë, që sigurisht kërkon të shkojë në vesh të audiencave ndërkombëtare, të cilat kanë në dorë fatin tonë europian.
Ndonëse mund t’i jetë dukur një thirrje e duhur për të theksuar rëndësinë e integrimit, togfjalëshi zhvesh retorikën e brendshme dhe të jashtme të kryeministrit. Një rast i çuditshëm që na vendos përballë dy Ramëve të kundërt (ai që njohim ne dhe ai që njohin ndërkombëtarët), dhe dy Shqipërive të ndryshme (ajo që na rrëfehet çdo ditë, dhe ajo që iu rrëfehet ndërkombëtarëve).
Që mund të ketë dy Ramë, kjo gjë është lehtësisht e kuptueshme. Një natyrë e dyfishtë që duket e dalë nga romani Dr. Xhekill dhe Mr. Haid. Njëri është lundruesi i sprovuar në pellgun e politikës tonë, me kapadaillëkun e arritjeve më të mëdha të njëzet e pesë viteve të fundit, dhe arrogancën ndaj gjithkujt që guxon të shqipërojë fjalë që dalin nga diapazoni i tij. Rama tjetër është ai që lundron në hapësirën europiane si artisti kontrovers, ose politikan plot ngjyra, i butë me mediat dhe gazetarët e atyshëm, europianist i flakët, por i tmerruar nga rreziqet e jashtme (me të cilat flirton pa kurrëfarë kompleksi, si në rastin e Turqisë).
Xhakill në Europë dhe Haid në Shqipëri, e përshkuan vendin në mënyrë të ndryshme për ne dhe ata.
Shteti me rritjen ekonomike më të lartë në rajon, papunësinë më të ulët, investimet publike më të mëdha, shëndetësinë më të mirë, krimin në shpartallim e sipër, kanabisin e asgjësuar e kështu me radhë, suksese të njëpasnjëshme që Rama na rrëfen në shqip çdo ditë të Zotit në këtë tokë.
Shqipëria tjetër, që kryeministri rrëfen në anglisht, është një vend në krizë sociale dhe identiteti. Pasojë e një tranzicioni infernal, që mund t’i hapi rrugë Rusisë, Turqisë, Kinës, ISIS-it, gylenistëve, e sa e sa të tjerëve, nëse nuk i çelen dyert e parajsës europiane, për të përfituar, më në fund, një vend në këtë Eden të premtuar, por kaq gjatë të mohuar.
Këta dy Ramë dhe këto dy Shqipëri janë duke shkuar drejt një përplasje të pashmangshme, si pasojë e shpejtësisë që po imponon procesi i integrimit, dhe paaftësisë për të mbajtur kaq shumë dhe kaq gjatë një popull me llafe dhe një kontinent pa rezultate. Vetëm falë rropamës, që kjo përplasje prodhon, po arrijmë të shquajmë më në fund të vërtetën.
Po kuptojmë pse krokamat e korbave dhe klithmat qyqeve, ngrihen jo pa shkak mbi një qeveri që duhet të ishte e freskët pas zgjedhjeve të 25 qershorit, por që kundërmon si një kufomë, në më pak se një vit pas tyre. Po dallojmë se ka vetëm një Shqipëri, në një krizë të thellë, dhe vetëm një Ramë që kundërshton veten për të shpëtuar qeverinë e tij nëpërmjet çeljes së negociatave.
Jo sepse do të sjellin një epokë të begatë brenda mandatit të kësaj mazhorance, por do të përbënin një lajm të mirë për t’ua servirur shqiptarëve si arritje historike, ndoshta edhe si kalë beteje në zgjedhjet lokale që po afrojnë, apo në ato të parakohshme që kaq shumë përfliten.
Për këtë arsye, me dy ministra të Brendshëm në tokë, dhe kërkesa europiane në kupë të qiellit, Rama shfaq një natyrë të dyfishtë, dhe luan njëkohësisht me dy porta.
Në njërën stërvitet për hapjen e negociatave; ndërsa në tjetrën xhonglon për krijimin e një alibie. Nëse europianët do të mbyllin hundën, ndoshta edhe sytë, duke çelur negociatat për qëllime gjeopolitike, dhe jo për rezultatet konkrete, Rama do të marrë përsipër gjithë meritat, madje duke thënë se ai i arriti edhe pse, medemek, opozita punoi kundër. Porta tjetër është ajo e golit të munguar, në të cilën përgjegjësitë janë gjetkë, pra tek opozita dhe zhurma e saj “antikombëtare”.
Pak rëndësi kanë krimi, droga, korrupsioni në oborrin e mazhorancës, vlerë ka vetëm mbijetesa politike.
Një plan perfekt. Për Ramën, jo për Shqipërinë.