Dyshimet për financime ruse për partinë Lega Nord, Prokuroria e Milanos nis hetimet

Prokuroria e Milanos do të nisë hetimet pas publikimit të një artikulli ku akuzohet partia italiane Lega Nord për financime nga Rusia. Revista online “Buzzfeed”, njoftoi se zotëronte një regjistrim audio, ku konfirmohej takimi i një ish-zëdhënësi të Ministrit të Brendshme të kontrolluar nga Lega, me një politikan të afërt me Kremlinin.

Në bisedë u fol për mundësinë e financimit të partisë italiane të së ekstremit të djathtë nga Rusia përpara zgjedhjeve, për Parlamentin Evropian.

Sipas “Buzzfeed” takimi u zhvillua në tetor 2018, gjatë një vizite të Ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini në Moskë. Takimi në hotelin “Metropol” u fokusua tek një biznes i madh nafte. Një firmë ruse, sipas bisedës, do të shiste naftë në vlerën 1,5 miliardë dollarë tek gjiganti italian i naftës “Eni”, e kjo do të lejonte një kalim fondesh të mëdha në arkat e Leges radikale.

“Buzzfeed” e konsideron këtë takim si një dëshmi të re, për marrëveshjet e fshehta mes Moskës dhe partive populiste të djathta, në Evropë.

Sipas mediave italiane, Gianluca Savoini, presidenti i shoqatës Lombardia – Russia, po hetohet nga prokuroria e Milanos në lidhje me financimet e mundshme nga Rusia për partinë italiane Lega.

Vetë Ministri i Brendshëm dhe zv/kryeministri salvoni i hodhi poshtë me force akuzat.

“Unë asnjëherë nuk kam marrë as një rubël, euro apo dollar madje as një litër Vodka prej Rusisë. Nga Rusia vij me pellushë, ose matrioshka. Kush thotë të kundërtën gënjen”, tha ai.