Flash News

KRYESORE

E ardhmja e Bashës/ Vasjari: Të dorëhiqet. Lela: Duhet të rikandidojë. Nano: Të mos largohet

E ardhmja e Bashës/ Vasjari: Të dorëhiqet. Lela: Duhet të

Analistët Arian Vasjari, Alfred Lela dhe Mustafa Nano kanë diskutuar në sutdion e “Top Channel” për të ardhmen e Lulzim Bashës si kryetar i Partisë Demokratike, pas disfatës në zgjedhjet e 25 qershorit.

Vasjari ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Bashës, për të cilin tha se i ka rënë modeli politik.

“Zoti Basha duhet të tërhiqet nga kreu i PD dhe nuk duhet të kandidojë më. Basha ka marrë më pak mandate se Berisha dhe është braktisur nga PD. Ata që mendojnë se disfata e Bashës janë këto zgjedhje e kanë gabim. Disfata e Bashës janë një sërë humbjesh. Zotit Basha i ka rënë modeli politik”, tha Vasjari.

Lela u shpreh se mbështet idenë e dorëheqjes së Bashës, por kërkoi rikandidimin e tij në zgjedhjet e korrikut. Sipas Lelës, ky dështim i PD-së ka nisur që në vitin 2011-të dhe kulmoi këto zgjedhje, ndaj Basha nuk mund të jetë përgjegjës i vetëm.

“Kjo është një humbje e madhe Partisë Demokratike. Ky dështim ka filluar që në 2011-ën, për të ardhur më pas në 2013-ën dhe problematikave lokale. PD-së i ka ardhur ora për të bërë një reflektim të thellë, për të parë brenda vetes dhe më pas për t’ju drejtuar popullit. Kështëzimi im për dorëheqjen e Bashës është që ai duhet të rikandidojë vetëm pasi është dorëhequr. Standardet që ne kemi vendosur janë kryetar të përjetshëm të partive. Po i kërkojmë dorëheqjen kryetarit më të ri, por jo atyre që kanë nga 12, 17 vite në krye të partive. Dështimi nuk është vetëm i Bashës. Dështimi është edhe i atyre që e kanë mbështetur Bashën. Mbështetja nuk ka shkuar dëm sepse Basha si kryetar i opozitës ka bërë dy reformat e vetme në këtë katër vjeçar, dekriminalizimin dhe dekanabizimin”, tha Lela.

Nano tha se do ndjente keqardhje nëse Basha do të shkarkohej nga partia e tij. Ai tha se PD duhet ta mbështesë kryetarin e saj, ndonëse figurën e tij e ka krijuar vetëm muajt e fundit.

“Mua do më vinte shumë keq nëse do ta hiqnin. Ka krijuar një ekip me njerëzit e tij dhe tani që ka krijuar figurën e tij, këto muajt e fundit, nuk mund të largohet. Pyetja që kam unë është se po iku Basha, i bëhet më mirë PD? Unë kam frikë se po iku Basha do të bëhet një garë se kush duhet t’i pëlqejë më shumë Berishës”, tha ndër të tjera Nano.

Të fundit