E Ardhmja e Rendit Liberal është Konservatore

Henry Kisinger Foto: REUTERS/Kieran Doherty KD/NMB - RTR46VX

Jennifer Lind & William C. Wohlforth / Foreign Affairs

 

Rendi liberal botëror është në rrezik. Shtatëdhjetë e pesë vjet pasi Shtetet e Bashkuara ndihmuan në themelimin e tij, ky sistem global i aleancave, institucioneve dhe normave është nën sulm si kurrë më parë. Nga brenda, rendi po lufton me populizmin, nacionalizmin dhe autoritarizmin në rritje. Nga jashtë, përballet me presion në rritje nga një Rusi e egër dhe një Kinë në ekspansion. Në diskutim është mbijetesa e, jo vetëm vetë rendit, por edhe prosperitetit ekonomik dhe paqes së paparë që ai ka ushqyer.

Rendi ia vlen, qartësisht, të ruhet, por çështja është se si. Jini të qetë dhe vazhdoni, thonë disa prej mbrojtësve të tij; vështirësitë e sotme do të kalojnë, dhe rendi është mjaft elastik për t’u mbijetuar. Të tjerë vlerësojnë peshën e krizës, por këmbëngulin se përgjigjia më e mirë është riafirmimi me forcë i virtyteve të rendit dhe përballja me sfiduesit e jashtëm të tij. Lëvizjet e guximshme churchillian-e -dërgimi i më shumë trupave amerikane në Siri, më shumë ndihmë Ukrainës për të dëbuar forcat proruse- do të ndihmonin që rendi ndërkombëtar liberal të bëhet përsëri i madh. Vetëm duke dyfishuar normat dhe institucionet që e bënë rendin liberal kaq të suksesshëm, thonë ata, ai mund të shpëtohet.

Mbrojtës të tillë të rendit tentojnë ta portretizojnë sfidën si një luftë midis vendeve liberale që përpiqen të mbajnë status quo-në dhe autoritarëve të pakënaqur që kërkojnë t’a rishikojnë atë. Sidoqoftë, ajo që nuk kapet është se për 25 vitet e fundit, rendi ndërkombëtar i krijuar nga dhe për shtetet liberale, ka qenë edhe vetë thellësisht revizionist, duke eksportuar në mënyrë agresive demokracinë dhe duke u zgjeruar në thellësi dhe gjerësi. Shkalla e problemeve aktuale do të thotë që më shumë nga e njëjta nuk është më e zbatueshme; përgjigjia më e mirë është që rendi liberal të bëhet më konservator. Në vend që ta zgjerojnë atë në vende dhe fusha të reja, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj duhet të konsolidojnë fitimet që kanë arritur.

Debati mbi strategjinë e madhe amerikane është portretizuar si një zgjedhje midis mbylljes dhe ekspansionizmit ambicioz. Konservatorizmi ofron një mënyrë të tretë: është një mundësi e kujdesshme që kërkon të ruajë atë që është fituar dhe të minimizojë shanset që të humbet më shumë. Nga një pikëpamje konservative, zgjedhjet e tjera të Shteteve të Bashkuara – në një ekstrem, zhbërja e aleancave dhe institucioneve të vjetra, ose, në ekstremin tjetër, zgjerimi më tej i fuqisë amerikane dhe përhapja e vlerave amerikane – përfaqësojnë eksperimente të rrezikshme. Eshtë veçanërisht kështu në një epokë kur politikat e Fuqive të mëdha janë rikthyer dhe fuqia relative e vendeve që e ruajnë rendin është zvogëluar.

Eshtë koha që Washington-i dhe aleatët e tij liberalë të përgatiten për një periudhë të zgjatur bashkëjetese konkurenciale me fuqi të mëdha iliberale, koha për të mbështetur aleancat ekzistuese në vend të shtimi të të rejave, dhe koha për të dalë nga biznesi i promovimit të demokracisë. Mbështetësit e rendit mund të protestojnë kundër këtij ndryshimi, duke e cilësuar kapitullim. Përkundrazi, konservatorizmi është mënyra më e mirë për të ruajtur pozicionin global të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tij – dhe për të shpëtuar rendin që ata ndërtuan.

Një rend revizionist

Që nga Lufta e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur interesat e veta, pjesërisht duke krijuar dhe ruajtur rrjetin e institucioneve, normave dhe rregullave që përbëjnë rendin liberal të udhëhequr nga ShBA. Ky rend nuk është një mit, siç pretendojnë disa, por një kornizë e gjallë që formon pjesën më të madhe të politikës ndërkombëtare. Eshtë e udhëhequr nga ShBA sepse është e ndërtuar mbi një themel të hegjemonisë Amerikane: Shtetet e Bashkuara u japin garanci sigurie aleatëve të vet në mënyrë që të frenojnë konkurencën rajonale, dhe ushtria amerikane siguron një rend të hapur global, në mënyrë që tregtia të mund të rrjedhë e pandërprerë. Eshtë liberale sepse qeveritë që e mbështesin, në përgjithësi, janë përpjekur ta mbajnë atë me norma liberale në lidhje me ekonominë, të drejtat e njeriut dhe politikën. Dhe është një rend – diçka më i madh se Washington-i dhe politikat e tij – sepse Shtetet e Bashkuara kanë partnerizuar me një varg vendesh me filozofi të ngjashme dhe me ndikim, dhe sepse rregullat dhe normat e tij, gradualisht, kanë marrë një trajektore influence të pavarur.

Ky rend është zgjeruar me kalimin e kohës. Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, u rrit si gjeografikisht ashtu edhe funksionalisht, duke integruar me sukses dy fuqitë në rritje, Gjermaninë Perëndimore dhe Japoninë. Duke mbështetur liberalizmin dhe gërshetuar politikat e tyre të sigurisë me Shtetet e Bashkuara, këto vende e pranuan rendin, duke vepruar si “aktorë të përgjegjshëm”, shumë më para se termi të zbatohej me optimizëm në Kinë. Ndërsa filloi Lufta e Ftohtë, NATO shtoi, jo vetëm Gjermaninë Perëndimore, por edhe Greqinë, Turqinë dhe Spanjën. Komuniteti Ekonomik Europian (paraardhësi i BE) dyfishoi anëtarësimet. Institucionet bazë ekonomike, siç është Marrëveshja e Përgjithshme e Tarifave dhe Tregtisë (GATT) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), zgjeruan ndihmat.

Pas Luftës së Ftohtë, rendi liberal u zgjerua në mënyrë dramatike. Me Bashkimin Sovjetik të shkuar dhe Kinën ende të dobët, shtetet në qendër të rendit gëzonin një pozitë komanduese globale, dhe e përdorën për të zgjeruar sistemin e tyre. Në Azi-Paqësor, Shtetet e Bashkuara forcuan angazhimet e sigurisë për Australinë, Japoninë, Filipinet, Korenë e Jugut dhe partnerë të tjerë. Në Europë, NATO dhe BE pranuan gjithnjë e më shumë anëtarë, zgjeruan dhe thelluan bashkëpunimin midis anëtarëve të tyre dhe filluan të ndërhynin përtej kufijve të Europës. BE zhvilloi “politika fqinjësore” për të forcuar sigurinë, prosperitetin dhe praktikat liberale në të gjithë Euroazinë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut; NATO nisi misione në Afganistan, Gjirin e Adenit dhe Libinë.

Për liberalët, kjo është thjesht pamja e përparimit. Dhe, shumë nga dinamizmi i rendit – të themi, shndërrimi i GATT në Organizatë Botërore të Tregtisë, të përhershme dhe institucionale, ose agjenda e paqeruajtjes, gjithnjë e më ambicioze e OKB – gjetën mbështetje të gjerë midis vendeve liberale dhe autoritare. Por disa shtesa kryesore të rendit përbënin qartë revizionizëm nga vendet liberale, të cilat, me sa duket, ishin shtetet e vetme që e donin.

Më të diskutueshmet ishin ndryshimet që sfiduan parimin e sovranitetit. Nën flamurin e “përgjegjësisë për të mbrojtur”, qeveritë, organizatat joqeveritare dhe aktivistët, filluan të nxisin një forcim të madh të ligjit ndërkombëtar me qëllim që shtetet të bëhen përgjegjës për mënyrën se si i trajtojnë popujt e tyre. Aleatët e fuqishëm të sigurisë, si NATO dhe institucionet e fuqishme ekonomike si FMN, u bashkuan gjithashtu në lojë, duke shtuar muskujt e tyre në fushatën për të përhapur konceptet liberale të të drejtave të njeriut, lirinë e informacionit, tregjet dhe politikën.

Promovimi i demokracisë mori një rol të spikatur rishtas në strategjinë e madhe të ShBA-së, kur Presidenti Bill Klinton foli për “zgjerimin demokratik”, dhe Presidenti George W.Bush që shtynte “agjendën e lirisë”. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët financuan gjithnjë e më shumë organizata joqeveritare për të ndërtuar shoqërinë civile dhe përhapur demokracinë në mbarë botën, duke mjegulluar linjën midis përpjekjeve publike dhe private. Për shembull, taksapaguesit e ShBA-së kanë ngritur projekt-ligjin për National Endowment for Demokracy, një organizatë jofitimprurëse që promovon demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kinë, Rusi, dhe gjetkë. Ndërhyrja në punët e brendshme të shteteve të tjera është kapelë e vjetër, por e re ishte natyra e hapur dhe e institucionalizuar e këtyre veprimtarive, një shenjë e kredos së pas Luftës së Ftohtë të rendit liberal. Siç Allen Weinstein, bashkëthemeluesi i National Endowment for Democracy, pranoi në një intervistë të vitit 1991 “Shumë nga ato që ne bëjmë sot, u bënë fshehurazi 25 vjet më parë nga CIA.”

Asnjëherë më parë, fuqia shtetërore, normat ligjore dhe partneritetet publike-private nuk u shfrytëzuan së bashku për të zgjeruar shtrirjen gjeopolitike të rendit – dhe atë të Washington-it. Ndoshta shembulli më i qartë i këtyre ambicjeve të rritura ndodhi në Ballkan, ku, në vitin 1999, NATO shfrytëzoi fuqinë e saj ushtarake nën normën e “përgjegjësisë për të mbrojtur” dhe e detyroi Presidentin Jugosllav Slobodan Milosevic të pranojë pavarësinë de-fakto të Kosovës – pas së cilës të Shtetet e Bashkuara dhe aleatët bashkuan hapur forcat me grupet lokale të shoqërisë civile për ta rrëzuar atë nga pushteti. Ishte një veprim jashtëzakonisht i guximshëm. Në vetëm disa muaj, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët, transformuan politikën e një rajoni të tërë që ishte konsideruar tradicionalisht periferik, duke e përgatitur atë për përfshirje në strukturat e sigurisë dhe ekonomike të mbizotëruara nga Perëndimi liberal.

Të thuash gjithë këto nuk do të thotë se ky revizionizëm i përfaqësuar mund të barazohet moralisht me, të themi, militarizimin e Pekinit në Detin e Kinës së Jugut ose pushtimin e Moskës në Ukrainë dhe ndërhyrjet elektorale në Shtetet e Bashkuara dhe Europë. Përkundrazi, çështja është se horizontet e rendit janë zgjeruar në mënyrë dramatike, me fuqi shtetërore, norma të reja ligjore, veprime të fshehta dhe të hapura, dhe partneritete publike-private së bashku, duke e zgjeruar shtrirjen e rendit dhe duke e shtyrë më thellë atë. Asnjë vend këto ditë nuk është i interesuar vazhdimisht për ruajtjen e status quo-së; ne të gjithë jemi revizionistë tani. Revizionizmi i ndërmarrë nga shtetet iliberale shpesh shihet si thjesht rrëmbim i pushtetit, por revizionizmi i ndërmarrë nga shtetet liberale, gjithashtu ka rezultuar në shpërblime gjeopolitike: aleanca të zgjeruara, ndikim të rritur dhe më shumë perceptime për sponsorët kryesorë të rendit, Shtetet e Bashkuara mbi të gjitha.

Një botë krejt e re

Ka raste të përshtatshme për t’u zgjeruar, por sot nuk është një prej tyre. Megjithëse rendi liberal është akoma i mbështetur nga një koalicion i fuqishëm shtetesh, kufiri i epërsisë së koalicionit është ngushtuar ndjeshëm. Në 1995, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kryesorë prodhuan rreth 60 përqind të prodhimit global (përsa i përket barazisë së fuqisë blerëse); tani, kjo shifër është në 40 përqind. Në atë kohë, ata ishin përgjegjës për 80 përqind të shpenzimeve globale të mbrojtjes; sot, ato përbëjnë vetëm 52 përqind. Eshtë duke u bërë më e vështirë për ta ruajtur rendin, e lëre më ta zgjerosh. Gjatë gjithë kohës, rendi po vuan nga një krizë e brendshme e legjitimitetit, që tashmë po dëshmon të jetë një pengesë, pasi amerikanët e lodhur nga lufta, britanikët euroskeptikë, dhe të tjerët në të gjithë Perëndimin, kanë shkuar në votime për të rrëzuar, të ashtuquajturat elita globaliste.

Ndërkohë, sfiduesit iliberalë të rendit janë treguar më kreativë për të ndërtuar mbi pakënaqësitë e tyre të një kohë të gjatë. Kina dhe Rusia e kanë izoluar veten nga ndikimet e jashtme duke manipuluar informacionin, duke kontrolluar median dhe duke vendosur teknika të reja të epokës së informacionit për të monitoruar popullsinë e tyre dhe për t’i mbajtur ata joreagues. Ata kanë modernizuar ushtritë e tyre dhe kanë përqafuar strategji të zgjuara asimetrike për t’i vendosur mbrojtësit e rendit liberal në zmbrapsje. Rezultati është që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët, jo vetëm kanë tashmë një avantazh më të vogël në fuqi në krahasim me vitet e kaluara, por gjithashtu përballen me një detyrë më të ashpër në ruajtjen e rendit.

Dikush mund të argumentojë se rendi duhet t’i neutralizojë këta sfidues duke i futur ‘nën strehë’. Në të vërtetë, i tillë ishte motivimi që qëndronte pas strategjisë amerikane për të angazhuar një Kinë në rritje. Por, edhe pse vendet iliberale mund të marrin pjesë në mënyrë produktive në shumë aspekte të rendit, ata kurrë nuk mund të jenë të brendshëm. Qasja e tyre etatiste ndaj ekonomisë dhe politikës e bën të pamundur që ata të ndjekin rrugën e Gjermanisë dhe Japonisë, dhe të pranojnë çdo urdhër që është i udhëhequr nga ShBA-të ose liberal. Ata i shohin qasjet e sigurisë të mbizotëruara nga ShBA si kërcënime të mundshme drejtuar atyre. Dhe, nuk kanë asnjë interes të bëjnë lëshime për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, pasi një gjë e tillë do të dëmtonte mjetet thelbësore të kontrollit të tyre autoritar. As nuk dëshirojnë të përqafojnë parimet liberale-ekonomike, të cilat kufizojnë rolin (shpesh të korruptuar) të shtetit në ekonomitë e tyre.

Duke pasur parasysh aversionin e tyre themelor ndaj parimeve thelbësore të rendit liberal, nuk është çudi që fuqitë iliberale kanë investuar në krijimin e institucioneve alternative, duke reflektuar parimet e tyre etatiste – organe të tilla si Organizata e Bashkëpunimit të Shanghait, Banka e Re për Zhvillim, Unioni Ekonomik Euroaziatik dhe Banka e Investimeve Aziatike të Infrastrukturës. Kurrë nuk kishte një shans që një Rusi e fuqishme, jodemokratike do të bashkohej me NATO-n, ashtu si kurrë nuk kishte një shans që Kina do të ishte e kënaqur me mbizotërimin ushtarak amerikan në Azi. Angazhimet amerikane të sigurisë janë të drejtuara kundër këtyre shteteve. Washington-i dhe aleatët preferojnë rregulla dhe vlera që këto vende i shohin si kërcënuese. Për sa kohë që angazhimet e sigurisë mbeten në funksion dhe projekti ekspansionist vazhdon, shtetet iliberale kurrë nuk do të integrohen plotësisht në rend.

Ndoshta, dikush mund të argumentojë, kundërshtarët autoritarë të rendit janë një tigër letre. Në atë rast, rendi nuk ka arsye të adoptojë një qëndrim konservator; gjithçka që duhet të bëjë është të presë që këto qeveri të brishta të përmbushin shkatërrimin e tyre të pashmangshëm. Problemi me këtë bast është se ai qëndron prapa zgjerimit të fundit të rendit liberal, dhe megjithatë gjatë dy dekadave të fundit, qeveritë iliberale janë bërë më autoritare. Në të vërtetë, historia ka treguar që regjimet e brendshme të fuqive të mëdha rrallë prishen në kohë paqeje; rasti sovjetik ishte një anomali. Mbështetja e disidencave politike brenda fuqive të mëdha, nga larg, rrallëherë ka sukses, dhe të ushqyerit e narrativës së rrethimit të tyre nga kërcënimet, shpesh dështon.

Thelbi është se sfidat e jashtme të rendit po ndodhin tani. Këmbëngulja për zgjerimin e vazhdueshëm ndërsa prisni që kundërshtarët të bien, të liberalizohen dhe të pranojnë udhëheqjen amerikane, ka të ngjarë të përkeqësojnë problemet që e ndikojnë rendin. Nëse kjo ndodh, aftësia e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj për të mbajtur rendin do të bjerë më shpejt sesa aftësia e kundërshtarëve të tyre për ta kundërshtuar atë. Dhe një dështim për të hequr dorë nga kostot në rritje të ruajtjes së rendit do të rrisë vetëm presionin politik të brendshëm për ta braktisur atë krejt.

Konservatorizmi në praktikë

Një rend më konservator do të pranonte që rrethanat e brendshme dhe të jashtme kanë ndryshuar dhe do të përshtatej në përputhje me rrethanat. E para dhe më e rëndësishmja, kjo kërkon një zhvendosje në një mentalitet status quo-je në Washington dhe kryeqytetet aleate. Megjithë kërcënimet rastësore të Presidentit amerikan Donald Trump për tërheqjen nga bota, administrata e tij ka mbajtur të gjitha angazhimet ekzistuese të Shteteve të Bashkuara, duke shtuar të reja ambicioze, veçanërisht një përpjekje për të shkallëzuar rrënjësisht ndikimin në Iran. Dhe, megjithëse administrata e Obamës shpesh akuzohej për ‘ndërprerje’, ajo gjithashtu mbajti të paprekura angazhimet e ShBA-së dhe madje provoi edhe lojën e ndryshimit të regjimit në Libi. Nën një përqasje konservatore, Uashingtoni do të linte mënjanë projekte të tilla revizioniste, në mënyrë që të përqendrojë vëmendjen dhe burimet në administrimin e rivaliteteve me Fuqitë e mëdha.

Si pjesë e kësaj, Shtetet e Bashkuara duhet të zvogëlojnë pritshmëritë e afrimit të aleatëve të rinj. Së paku, çdo aleat i ardhshëm duhet të sjellë më shumë aftësi sesa kosto – një test lakmusi që nuk është aplikuar vitet e fundit. Për shkak se rendi liberal ka më shumë nevojë për konsolidim se sa për zgjerim, nuk ka kuptim të shtohen shtete të vogla dhe të dobëta që përballen me probleme të brendshme, veçanërisht nëse përfshirja e tyre do të përkeqësojë tensionet midis aleatëve ekzistues ose, më keq, me rivalët me fuqi të madhe. Në korrik 2018, NATO, me mbështetjen e SHBA, ftoi zyrtarisht Maqedoninë të bashkohet me aleancën (ringjalljen e një mosmarrëveshje me Greqinë për emrin e vendit), dhe administrata Trump ka mbështetur anëtarësimin në NATO për Bosnjën, gjithashtu (përkundër kundërshtimeve të pakicës serbe atje). Këto fije kashte mund të mos e thyejnë shpinën e devesë, por parimi i zgjerimit të pakufishëm edhe mundet.

Rasti i Tajvanit tregon se si duket një praktikë e suksesshme konservatore në praktikë, duke demonstruar se si Shtetet e Bashkuara mund të parandalojnë zgjerimin e një fuqie të madhe rivale, ndërsa parandalojnë një partner të provokojë atë. Për dekada, Washington-i ka deklaruar se e ardhmja e ishullit duhet të zgjidhet në mënyrë paqësore. Udhëheqësit, nga të dy anët e ngushticës së Tajvanit, ndonjëherë kanë kërkuar të rrëzojnë status quo-në, psh kur Presidenti Tajvanez Chen Shui-bian filloi të bënte lëvizje pro pavarësisë, pasi u zgjodh në vitin 2000. Si përgjigje, Presidenti amerikan George W. Bush paralajmëroi publikisht Chen kundër ndryshimit të njëanshëm të status quo-një qëndrim i ashpër ndaj një partneri të gjatë amerikan që ndihmoi në ruajtjen e paqes. Kjo politikë mund të testohet përsëri, pasi tendencat demografike dhe ekonomike forcojnë ndjenjën e identitetit kombëtar të Tajvanit, pasi Kina bëhet gjithnjë e më konfidente, dhe ndërsa zëra në Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për një politikë joambige pro-Tajvanit. Por, Washington-i duhet të përmbahet: për dekada, konservatorizmi i ka shërbyer për mirë atij dhe rajonit.

Një rend konservator, gjithashtu, do të thoshte linja më të qarta midis përpjekjeve zyrtare për të promovuar demokracinë dhe atyre të ndërmarra në mënyrë të pavarur nga grupet e shoqërisë civile. Me anë të shembullit dhe aktivizmit, shoqëritë e gjalla civile në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera liberale, mund të bëjnë shumë për përhapjen e demokracisë jashtë vendit. Megjithatë, kur qeveritë futen në lojë, ka tendencë për pasoja. Siç politologët Alexander Downes dhe Lindsey O’Rourke gjetën në studimin e tyre gjithëpërfshirës, ​​ndryshimi i regjimit të imponuar nga jashtë, rrallëherë çon në marrëdhënie të përmirësuara dhe shpesh ka efekt të kundërt. Shtetet Liberale duhet të jenë gati për të ndihmuar kur një qeveri e huaj kërkon vetë ndihmë. Por kur i rezistohet ndihmës, është mirë të qëndrohet jashtë. Ndërhyrja vetëm do të përkeqësojë shqetësimet e asaj qeverie për shkelje të sovranitetit dhe forcat e opozitës do të akuzohen se janë fije të të huajve.

Një strategji konservatore do të adresonte drejtpërdrejt kërcënimet e jashtme, pa i lëshuar aspak pushtet fuqive të mëdha iliberale. Një pjesë e arsyes që këto vende kundërshtojnë rendin liberal është se acaron pasiguritë e tyre. Kufizimi i impulseve ekspansioniste të rendit do të zbulonte se, sa prej revizionizmit aktual të shteteve iliberale është me natyrë mbrojtëse, dhe sa është i drejtuar nga ambicia e qartë. Gjithashtu mund të frenojë balancimin e mundshëm kundër rendit nga shtetet iliberale: Kina, Irani, Rusia dhe të tjerët. Megjithëse këta revizionistë kanë shumë interesa të ndryshme gjeopolitike dhe ekonomike, të cilat aktualisht kufizojnë bashkëpunimin e tyre, sa më shumë pushtetarët e tyre shqetësohen se pushtetit i tyre është nën kërcënim nga një rend liberal, aq më shumë do të jenë të prirur për të kapërcyer dallimet e tyre dhe për të kontrolluar fuqitë liberale. Ulja e kësaj frike do t’u krijojë më shumë mundësi shteteve liberale që të përçajnë dhe sundojnë, ose të paktën të përçajnë dhe të pengojnë.

Një rend më pak revizionist mund të shtensionojë rivalitetin mes fuqive të mëdha në një mënyrë tjetër, duke shfrytëzuar plotësisht avantazhet e një qëndrimi mbrojtës, në vend të fyes. Në përgjithësi, ruajtja e status quo-së është më e lirë, më e lehtë dhe më pak e rrezikshme sesa përmbysja e saj, siç kanë argumentuar strategjistët, nga Sun-tzu deri te Thomas Schelling. Rendi është rrënjëthellë, i ligjshëm dhe i institucionalizuar. Kur mbetet i angazhuar për status quo-në, është e lehtë për mbrojtësit e tij të vendosin vija të kuqe, duke sqaruar se cilat çështje do të revizionohen dhe cilat jo, një strategji që mund të ndihmojë në kontrollin e kundërshtarëve dhe kufizimin e rivalitetit. Megjithatë, kur të gjithë lojtarët në lojë janë revizionistë, vendosja e linjave të qarta bëhet shumë më e vështirë; ajo që është e pranueshme sot mund të bëhet e papranueshme nesër. Kalimi në një orientim më të qartë të status-quo-së do të rrisë shanset që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të mund të arrinin pakte të qarta, ose të nënktuptuara, me rivalët e tyre. Si çdo qasje strategjike, konservatorizmi nuk ofron garanci dhe kërkon aftësi diplomatike. Por, duke vendosur qëllime më realiste, mund të rrisë në mënyrë dramatike mundësinë e suksesit.

Një konservatorizëm më i madh do të ndihmonte gjithashtu forcimin e rendit kundër sfidave të brendshme. Megjithëse kjo do të kërkonte implikim në politikat e brendshme, sepse një rend më pak ambicioz do të provokonte më pak reagime nga shtetet autoritare – dhe një reagim i tillë është i kushtueshëm – kjo do ta bënte  gjithashtu një rend më të qëndrueshëm. Sa më e lartë të jetë kostoja e ruajtjes së rendit, aq më shumë dyshohet për të, dhe aq më e vështirë bëhet për të mbajtur mbështetjen e brendshme për të. Sondazhet tregojnë se votuesve amerikanë u pëlqejnë aleancat ekzistuese. Ajo para së cilës ka rezistencë, ka të bëjë me angazhimet, që shihen si aventura të kushtueshme dhe që nuk lidhen me shqetësimet thelbësore të sigurisë kombëtare. Zgjerimi i vazhdueshëm rrezikon t’i ushqejë këto perceptime dhe të gjenerojë një reagim masiv që do ta flakte fëmijën bashkë me ujin. Në të kundërt, konservatorizmi do ta minimizonte këtë rrezik.

Konservatorizëm sot nuk ka përse të jetë konservatorizëm përgjithmonë. Çdo sipërmarrje ambicioze, qoftë një lëvizje politike apo korporative, i nënshtrohet fazave të zgjerimit dhe fazave të konsolidimit. Pasi një firmë angazhohet në një blerje, për shembull, ekzekutivi duhet të pyesë nëse menaxhmenti i ri dhe punëtorët janë plotësisht në bord me kulturën dhe misionin e firmës, dhe duhet të adresojnë çdo zhvendosje të shkaktuar nga ndryshimet e fundit. Konsolidimi, pra, duhet parë si një reagim i kujdesshëm ndaj zgjerimit. Në të ardhmen, kushtet mund të ndryshojnë në mënyrë të tillë që rendi,  me përgjegjësi, mund të fillojë të kërkojë mënyra për t’u rritur, por ajo ditë nuk ka mbërritur ende.

Koha për shërim

Dikush mund të pyesë veten nëse një rend i bazuar në parimet liberale në fakt mund të praktikojë kufizime. Në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë, filozofi David Hume paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar po luftonte kundër kundërshtarëve iliberalë me “këmbëngulje të egër”, në kontradiksion me përkufizimet e ekuilibrave të fuqive, dhe duke rrezikuar falimentimin kombëtar. Ndoshta një marrëzi e tillë është pjesë e ideologjisë themelore dhe politikës së brendshme të fuqive liberale. Siç e ka thënë politologu John Mearsheimer “shtetet Liberale kanë një mentalitet kryqtar të ngurtësuar në to”.

Në të vërtetë, parimet e liberalizmit zbatohen për të gjithë individët, jo vetëm ata që ndodh të jenë shtetas të një vendi liberal. Atëherë, mbi çfarë baze, një vend i përkushtuar ndaj idealeve liberale mund të qëndrojë pasiv, kur ato parime shkelen jashtë vendit – veçanërisht kur ai vend është mjaft i fuqishëm për të bërë diçka në lidhje me këtë? Në Shtetet e Bashkuara, udhëheqësit shpesh përpiqen ta bëjnë rrethin katror, duke pretenduar se përhapja e demokracisë, në të vërtetë, i shërben interesit kombëtar, por e vërteta është se fuqia dhe parimi nuk shkojnë gjithmonë së bashku.

Për shkak se bindjet liberale janë pjesë e identitetit të tyre, amerikanët shpesh mendojnë se duhet të mbështesin ata që ngrihen kundër tiranisë. Ndoshta, në mënyrë abstrakte, mund të pretendohet përmbajtje, por kur demonstruesit zbresin në Sheshin Tahrir në Kajro, Maidan në Kiev ose Sheshi Bolotnaya në Moskë, shumë amerikanë duan që qeveria e tyre të qëndrojë me ata që valëvisin flamurin e lirisë. Dhe kur vende të ndryshme duan të bashkohen me institucionet kryesore të sigurisë dhe të sigurisë së rendit liberal, amerikanët duan që Shtetet e Bashkuara të thonë po, edhe kur ka një kuptim të paktë strategjik në të. Stimujt politikë inkurajojnë këtë impuls, pasi politikanët në Shtetet e Bashkuara e dinë që ata mund të shënojnë pikë duke shkatërruar çdo lider që lë në baltë adhuruesit e lirisë.

Sidoqoftë, ka prova që vendet liberale munden t’i kontrollojnë orekset e tyre në përhapjen e virtytit. Shtetarëve britanikë të shekullit XIX u pëlqente të mendonin se parimet liberale dhe interesat perandorake shpesh përkonin, por kur këto të dyja përplaseshin, ata pothuajse gjithmonë zgjidhnin realizmin mbi idealizmin – si kur Mbretëria e Bashkuar mbështeti Perandorinë Osmane për arsye të realpolitikës, megjithë presionin e brendshëm për të ndërmarrë veprime në emër të të krishterëve të persekutuar në perandori. Shtetet e Bashkuara në shekullin XX kishin presidentë idealistë, si Woodrow Wilson dhe Jimmy Carter, por gjithashtu kishte edhe më pragmatikë, si Theodore Roosevelt dhe Richard Nixon.

Periudha e détantës në marrëdhëniet SHBA-Bashkimi Sovjetik, e cila zgjati gjatë gjithë viteve 1970, ilustron mundësinë e një rendi liberal që zgjedh pozicionin mbrojtjës. Gjatë kësaj periudhe, Perëndimi në përgjithësi, ndoqi një strategji të jeto-dhe-lëri-të jetojnë, frymëzuar nga Sekretari i Shtetit Henry Kissinger dhe maskima e tij se, paqja nuk duhet mbajtur peng nga mbrojtja e të drejtave të njeriut nga ana e Moskës. Washington-i negocioi me Moskën për kontrollin e armëve dhe një sërë çështjesh të tjera të sigurisë dhe mbajti samite të shpeshta që simbolizonin pranimin e Bashkimit Sovjetik si një superfuqi e barabartë. Në Marrëveshjet e Helsinkit të 1975, me qëllim zvogëlimin e tensioneve Lindje-Perëndim, Shtetet e Bashkuara u përshtatën në mënyrë efektive me realitetin e suzernitetit Sovjetik në Europën Lindore.

Thelbi i marrëveshjes ishte që Shtetet e Bashkuara do t’u jepnin Sovjetikëve afërsisht një të tretën e botës – duke sqaruar se ata as nuk duhet të guxonin që të kërkonin dy të tretat e saj. Që të kuptohemi, konkurenca e superfuqive nuk ndali kurrë, dhe në vitet 1980, detanta vdiq krejt. Sa zgjati, strategjia e kufizoi rivalitetin e SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik dhe lehtësoi afrimin me Kinën. Kjo u dha Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj frymëmarrjen që u duhej për të mbajtur shtëpitë e tyre në rregull dhe për të bashkuar aleancat e copëtuara nga trazirat e brendshme, Lufta e Vietnamit dhe grindja për tregtinë dhe politikën monetare. Ajo që sugjeron kjo histori është që rendi liberal sot, të paktën për njëfarë kohe, mund të jetë konservator.

Vendet liberale nuk mund të jenë kurrë plotësisht aktorë të status quo-së, sepse ata nxisin ekonomi relativisht të lira dhe shoqëri civile të kryesuara nga qeveri të angazhuara për t’u dhënë hapësirë atyre forcave vibrante. Sa kohë idetë janë ato, forcat liberale do të jenë gjithnjë revizioniste – e tillë është natyra e liberalizmit. Por trashëgimia revizionistenuk ka pse t’i ndalojë udhëheqësit e shteteve liberale, përgjegjës për t’u marrë me botën ashtu siç është, të pranojnë se kushtet kanë ndryshuar dhe të vendosin që t’i kufizojnë ekspansionet.

Dhe kjo është se çfarë këta udhëheqës duhet të bëjnë tani: për të mbrojtur një rend të bazuar te liberalizmi duhet të përqafojnë konservatorizmin.

*Përkthimi nga anglishtja: Politiko.al