Flash News
Grupi parlamentar i PD dorëzon në Kuvend propozimin: Pensioni të rritet në 300 euro
Vendimi për çështjen e vulës, Bardhi: Gjykata e Lartë t’i japë fund absurdit, PD i përket anëtarëve të saj
Nasip Naço del nga SPAK: U pyeta për çështjen ÇEZ-DIA, kam folur me letra, jo me heshtje
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
E dërguara e Trump vjen në Tiranë me tri 'porosi'. A do të ketë sukses?
Alfred Lela
Në një deklaratë të shkurtër të misionit të saj në Tiranë, nëse Senati e kalon, e nominuara e Presidentit Trump për Ambasadore në Shqipëri Yuri Kim, dëshmoi përqendrimin dhe kthjelltësinë e një veteraneje të Shërbimit të Jashtëm. Ndër 4 kandidatët e paraqitur në të njëjtën kohë para Komisionit të Jashtëm të Senatit, ndoshta Shqipëria do të ketë për hise më të aftën. Pa ngurruar zonja Kim arriti të 'shpërfillë' një gafë të senatores Shaheen e cila foli për 'konflikte etnike në Shqipëri'.
Koreano-amerikanja ka një karrierë 20 vjeçare në Shërbimin e Jashtëm të ShBA dhe vjen në Tiranë si diplomate karriere, jo si përfaqësuese politike. Ndoshta demokratët do të kishin dashur një të emëruar politike dhe, ndoshta, shumica në pushtet do të dëshironte vazhdimësine e ambasadorëve 'teknikë'. Pavarësisht dëshirave politike, Yuri Kim do të ketë kohë mjaftueshëm për t'u bërë mike dhe armike, me radhë e të dy palëve, siç ka qenë shpesh përvoja e ambasadorëve paraardhës.
Këtij shkrimi nuk i intereson e ardhmja por e tashmja, pra 'deklarata e misionit' të zonjës Kim në Shqipëri, siç u lexua para senatorëve amerikanë. Më saktë si shtrihet e ardhmja në këtë deklaratë. Tre kanë qenë prioritetet e përkufizuar nga Kim në paraqitjen e seancës dëgjimore dhe duhet thënë se, ai që ka tingëlluar më fort në Tiranë ka qenë i dyti. Pra, përfshirja direkte e ambasadores dhe ambasadës amerikane në konfliktin politik. Sipas fjalëve të Kim kjo do të çonte edhe në progresin e agjendës europiane të Shqipërisë. Ambasadorja e ardhshme bën një deklaratë të fortë politike, që pa ardhur, duke e njohur praninë dhe thellësinë e konfliktit të brendshëm dhe duke e lidhur atë drejtpërdjet me integrimin në BE. Qeveria duhet të bëhet gati që në dhjetor, dhe në muajt e parë të vitit tjetër, të projektojë një tryezë me opozitën nëse e ka mbajtur veshin hapur nga kjo deklaratë. Opozita, në anën tjetër, duke e ditur se ka një diplomate karriere, dhe jo një 'trumpiste', duhet të përgatitet për koncensione në të paktën një prej kushteve të saj ekstreme. Midis këtyre të dyjave ndodhet gjithçka e mundshme dhe çdo zgjidhje.
Nuk është kriza politike dhe zgjidhja e saj, megjithatë, lajmi më me peshë në 'deklaratën e misionit' të Ambasadores së ardhshme amerikane. Prioriteti Nr.1 është pika ku veteranja e Shërbimit të Jashtëm bëhet 'trumpiste' dhe çon përpara agjendën e Presidentit të vet, e dërguara e posaçme e të cilit edhe është. Bëhet fjalë për merakun e përhershëm të Trump, rritjen e buxhetit të vendeve antare të NATO- në 2 përqind të PBB. Amerika nuk do të mbajë barrën e të tjerëve në NATO dhe, me sa duket, Ambasadorja e ka klasifikuar si më të rëndësishmin në prioritetet e mandatit të saj në Tiranë. Duke dhënë edhe një afat, vitin 2024 kur edhe i mbaron ambasadorshipi. Kjo nuk është një kafshatë e lehtë për Shqipërinë e vogël që i hedh Arsimit dhe sektorëve të tjerë jetikë thërrmija nga buxheti i shtetit. Aktualisht Shqipëria jep 1.26 përqind të PBB për mbrojtjen ose 1.66 miliard dollarë duke lënë pas vetëm Malin e Zi me rret 800 milion dollarë. Për krahasim, 'luani i NATO', ShBA, shpenzon 6.85 trilion dollarë.
Për të arritur te 2 përqindëshi që kërkon Trump, Shqipërisë i duhet t'i shtojë edhe, përafërsisht, 1 milard dollarë shpenzimeve për mbrojtjen. Kjo është e reja që sjell Yuri Kim në Tiranë si e dërguar e trump. Në gjërat e tjera ajo do ta vazhdojë aty ku e lanë Arvizu dhe Lu. Trysni për reformën në drejtësi, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Prioriteti i tretë, forcimi i investimeve dhe marrdhënieve ekonomike mes dy vendeve është përherë në agjendë, por pa gjetur kurrë shkëlqim.