Flash News

KRYESORE

A e dini se ka një zgjidhje ligjore për kart/monedhat e dëmtuara?

A e dini se ka një zgjidhje ligjore për kart/monedhat e dëmtuara?

Nxitimi për të futur rrobat në lavatriçe apo një pakujdesi me zjarrin gjatë dimrit mund të na ketë kushtuar shtrenjtë. Paratë nëpër xhepa, mund të jenë dëmtuar. Nuk e dimë sesi keni vepruar ju në këto raste megjithatë, dijeni se ka një zgjidhje. Një zgjidhje të ligjshme, jo nga ato me uthull e lëng limoni. Ekziston një vendim, nr 57, datë 11.9.2013 “Për miratimin e rregullores për këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave shqiptare të dëmtuara”.

Banka e Shqipërisë, në përputhje me procedurat e përcaktuara në këtë rregullore, këmben kundrejt vlerës së tyre nominale kartëmonedhat lekë të dëmtuara në rastet kur:

ekziston më shumë se 50% e sipërfaqes së kartëmonedhës;

ekziston jo më shumë se 50% e sipërfaqes së kartëmonedhës, por kartëmonedha, për arsye madhore që nuk varen nga përdoruesi, është djegur, përmbytur apo dëmtuar dhe pjesët e munguara të kartëmonedhës janë shkatërruar plotësisht.

Aplikanti duhet të paraqesë një deklaratë me shkrim që shpjegon burimin e dëmtimit në rastin kur kartëmonedhat e paraqitura për këmbim janë të njollosura me bojë, të ndotura, të përmbytura ose të dëmtuara në mbi 50% të sipërfaqes së tyre.

Në rastin kur ekziston jo më shumë se 50% e sipërfaqes së kartëmonedhës, përveç kërkesave të pikës 2 të këtij neni, Banka e Shqipërisë mund t’i kërkojë aplikantit paraqitjen e dokumenteve shtesë nga organet kompetente ose nga organet e pushtetit vendor, mbi burimin dhe rrethanat e dëmtimit.

Bëni kujdes, në këtë rregullore janë të parashikuara edhe rastet e dëmtimit të parave me qëllim. E në këtë rast banka e Shqipërisë nuk ju këmben asgjë.

Banka e Shqipërisë do të refuzojë këmbimin e kartëmonedhave dhe monedhave metalike të dëmtuara në rastin kur ka dijeni ose ka arsye të mjaftueshme për të besuar se:

kartëmonedhat dhe monedhat metalike të paraqitura për këmbim janë të dëmtuara qëllimisht;

kartëmonedhat dhe monedhat metalike të paraqitura për këmbim janë përfituar si pasojë e kryerjes së një vepre penale.

Rregullorja ka të sqaruar çdo dyshim tuajin, pikë për pikë, si dhe ka të parashikuar çdo rast. Siç e shikoni, për gjithçka ka një zgjidhje. E meqë leku përkthehet në djersë (në disa raste) ligjbërësit janë kujdesur që djersa juaj të mos fshihet në një lavatriçe me 90 gradë.

Të fundit