‘E keqja e madhe kaloi’, sizmologët apel për qytetarët: Mësohuni me pasgoditjet për disa muaj

Pas tërmetit të fortë të 26 nëntorit, sizmologët thonë se nuk ka vend për panik.

“Presim që tërmeti i fortë të mos përsëritet. Prandaj nuk duhet të ketë shumë panik. Njerëzit duhet të mësohen, ka qenë një eksperiencë e re për brezat e rinj, kështu që duhet t’i kthehen normalitetit”, thotë Ismail Hoxha, specialist në Institutin e Gjeoshkencave.

Ata sqarojnë se lëkundjet mund të zgjasin edhe me muaj, kjo pasi nevojitet që të shkarkohet e gjithë energjia e tërmetit të fuqishëm.

“Një proces i tillë është normal, sepse kështu shkarkohet edhe energjia. Referuar edhe ngjarjeve të tjera që kanë ndodhur, këto vazhdojnë disa muaj”.

Pas tërmetit të 26 nëntorit janë regjistruar mbi 1400 pasgoditje në vendin tonë.