Flash News

OP-ED

E kujt është emergjenca për shembjen e Teatrit?

Agron Shehaj*

Objektet historike nëse zhduken, nuk kthehen më.

Teatri Kombëtar mbart memorien e gjeneratave krijuese dhe spektatore të artit në kaq dekada.

Përtej uljes artificiale së vlerave të tij, është pjesë e rëndësishme e arkitekturës së kryeqytetit.

Teatrin e kemi, dhe nuk ka asnjë urgjencë që ta humbasim, një herë e përgjithmonë, me një vendim absurd të Qeverisë.

Nuk ka emergjencë trualli.

Nuk ka emergjencë financiare.

Nuk ka emergjencë strukturore.

E vetmja emergjencë është ajo e Qeverisë.

Ajo ka ngut të dhurojë llokmat më të vyera miqve të saj ndërtues, sepse sot mezi janë, dhe nesër, sigurisht, nuk do të jenë më. Dëshmitë e trashëgimisë shemben nga shkaqe natyrore ose nga pushtetet e bazuara mbi terrorin.

Mbi të gjitha: Ku është e thënë që ndërtimi i një qendre kulture të re kërkon sakrifikimin e një objekti të vjetër?

Pak metra nga Teatri kemi shembullin e Xhamisë së re të Namazgjasë, e ndërtuar për të përmbushur nevojat e besimtarëve pa e prekur xhaminë e vjetër të Et’hem Beut, si një dëshmi shekullore e veçantisë tonë fetare. Ky trajtim i vlerave duhet të aplikohet në çdo rast dhe në çdo kohë.

Le ta ruajmë të vjetrën dhe vlerat që ajo mbart, dhe të ngremë krahas tyre vlera të reja kulturore dhe historike për ta çuar këtë vend edhe më përpara.

*Deputet i Partisë Demokratike.

Të fundit