E mbrojti pas gafës me videon e nënës së minorenit, Nano-Ramës: Veliu të dorëhiqet, po krijoni precedent të rrezikshëm

Analisti Mustafa Nano ka komentuar qëndrimin e kryeministrit Edi Rama dje për herë të parë ndaj gafës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, i cili pak ditë më parë në komisionin e Sigurisë justifikoi dhunën e policisë ndaj një minoreni duke treguar një video të nënës së tij me pistoletë në dorë, por që rezultoi episod nga xhirimet e një filmi.

Sipas Nanos në monologun e tij në ‘provokacija’, Ardi Veliu duhet të jepte dorëheqjen dhe se Rama nuk duhet të krijojë precedentë.

“Çfarë Ardi Veliu ka bërë nuk tregon se ai është burrë i lig, apo se ai është i poshtër, apo ku di unë se çfarë. Jo, tregon që ai nuk është për atë punë. Nuk mund ta mbajë atë përgjegjësi të madhe publike. Sikur të isha në vend të tij, do të kisha dhënë dorëheqjen menjëherë. Do ta bëja këtë për të mos njollosur nderin e trupës se madhe policore, e për të bindur publikun se ajo që ndodhi ishte një ngjarje episodike, e jo një dukuri sistemike. Por ai nuk e ka dhënë. Ka kërkuar thjesht një ndjesë publike, që nuk u mor vesh se për çfarë ishte. Ndoshta i tha kryeministri të kërkonte ndjesë publikisht, ngaqë kështu mund ta përdorte për ta mbrojtur atë. Siç e përdori kur tha se midis kryepolicit që kërkon ndjesë e moralistëve të vendit, ai është me të parin.

Zoti Rama, nuk është pune moralistësh këtu. Çështja është tjetër. Mos na krijoni precedentë të rrezikshëm. Mos na vendosni stekën në vendin e gabuar, të cilën do ta mbajnë si pikë referimi pasardhësit tuaj siç ju kanë lënë juve si pikë referimi policë të tjerë të gabuar. Jepni shembullin tuaj. Na tregoni se policia është e Republikës, dhe jo e juaja”, thotë Mustafa Nano.