Flash News
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Alfred Lela
Një kor diskordant është ngritur ad interim ditëve të fundit. Refreni i pjesëmarrësve në të është trusnia që i bëjnë kryetarit të Partisë Demokratike për trusni që ky duhet t'i bëjë Kryeministrit. Nuk ka asgjë të keqe në këtë kërkesë të fortë që kërkon forcë; përpos është gjë e mirë dhe domethënëse fakti që një njeri, Basha në këtë rast, shihet si ai që mund t'i prijë betejës opozitare në Shqipëri. Kori, megjithatë, u shmanget dy gjërave: dijenisë se opozitarizmi nuk është ekskluzivitet i partisë politike në pakicë, por është një qëndrim dhe kuptim mbarëpopullor.
Shqiptarët, edhe këtu në kor, bien në një gjendje sociologjike të çuditshme kur, siç presin çdo gjë nga shteti (jo vetëm sigurinë e territorit, por edhe pastrimin e oborrit), duke e shpërfillur fuqinë e individit, presin gjithashtu çdo gjë nga opozita. Ndërkohë që opozita grumbullon sentimente politike, qytetarët duhet t'i shprehin ato ndjesi me format dhe mjetet e tyre. Në këtë pikë ndodh edhe çiftimi i lumtur i asaj që bëhet 'ide së cilës i ka ardhur koha'.
Një gjë të dytë, që e shmang apo nuk e ofron kori, janë një, dy, apo tri ide, se si mund të jetë opozita e Bashës. A mjafton që të jetë ajo qëndrestare, e përkufizuar në radikalizëm, por e papërkufizuar në alternativa? A mund të jetë ashpërsia e aksionit e vetmja alternativë? E me radhë.
Thënë ndryshe: A mund ta marrë Basha pushtetin me 'demokatët e Mamurrasit'?
Për ata që janë të rinj, apo pak të interesuar në politikë, 'demokratët e Mamurrasit' është një frazë e përdorur nga shefi i opozitës në vitet '97-2005, Sali Berisha. Në një polemikë me kundërshtarët, të cilët e akuzonin për përpjekje për marrje të pushtetit me dhunë, z. Berisha u përgjigj: "Po të doja ta merrja pushtetin me dhunë e bëja për 24 orë vetëm me demokratët e Mamurrasit".
Që nga fundi i viteve '90 kanë lëvizur shumë gjëra në qytetin e vogël dhe në Shqipëri; më kryesorja është lëvzija që i sheh 'demokratët e Mamurrasit' të zhvendosur në territorin e 'Rilindjes' së Ramës.
A mund ta marrësh, vetëm me forcë, një pushtet të bazuar vetëm te mjete të verbra si paraja, manipulimi mediatik dhe mbështetja te 'të fortët' e qyteteve? Nganjëherë, ngritja e një pyetjeje ka më shumë vlerë se përgjigjia.
©Politiko.al