Flash News

KRYESORE

E paralajmëroi Politiko, arsyeja e mosdekretimit të Cakajt nga Meta

Politiko.al, ditën që kryeministri Edi Rama njoftoi zëvendësimin e Ditmir Bushatit nga Gent Cakaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme, bëri me dije se ai nuk ishte pajisur me Certifikatën e Sigurimit të Personelit (CSP).

CSP është dokumenti zyrtar i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, i cili vërteton nga pikëpamja e sigurisë se një individ i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar.

Për personin që emërohet në postin e ministrit të Jashtëm pajisja me këtë certifikatë është e domosdoshme për shkak se administron informacionin e klasifikuar, të NATO-s, BE-së, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.

Arsyeja që argumentoi Presidenti Ilir Meta për mosdekretimin e Cakajt, ishte pikërisht procesi i certifikimit të sigurisë për Gent Cakajn i kryer nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar brenda një dite.

“Në formën si është kryer, procesi i verifikimit të sigurisë për z.Gent Cakaj nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga DISK “, shkruhet në raportin dërguar Kryeministrit Edi Rama.

Ditë më parë, i kontaktuar nga Politiko.al, Zëdhënësi i NATO-s, Dylan P. White, u shpreh se ‘do të reagojnë në një moment tjetër, nëse do kenë diçka për të thënë lidhur me këtë çështje” duke qenë se Cakaj nuk qe dekretuar nga Presidenti Ilir Meta.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, e ka konsideruar vendimin e Metës "paturpësi". /Politiko.al/ 

Të fundit