Flash News

KRYESORE

E pra, nuk është faji i politikës

E pra, nuk është faji i politikës

Red Varaku

Në Shqipëri “politika” është gjithçka e keqe që na ka ndodhur. Njerëzit e konsiderojnë si burimi i të gjitha të këqijave, që na kanë goditur deri më tani, si shoqëri, si popull dhe si komb, si pasojë e urrejnë atë dhe bëjnë atë përgjegjëse për gjithëfarë hallesh dhe shqetësimesh nga më të çuditshmet.

Është e njohur tashmë, që nëpërmjet politikës, shqiptarët mbushin boshllëkun që i shkakton mungesa e një identiteti të qartë. Kjo është edhe arsyeja kryesore, që e bën identitetin politik sot identitet dominues në shoqërinë tonë. Përmes këtij identiteti fals, të pavërtetë, njeriu kërkon të ndërtojë edhe raportin e tij me veten, shoqërinë dhe Zotin, si pasojë raporti që ai ndërton me këta të fundit, nuk është ai i duhuri, në fakt është më i gabuari. Sigurisht, që politika mund të bëhet përgjegjëse për gjithçka që ka ndodhur në vendin tonë, por kurrsesi ajo nuk është përgjegjëse për boshllëkun moral dhe kolapsin shpirtëror që ka kapluar sot shoqërinë tonë.

Të shumtë janë ata që mendojnë se krizën dhe problemet tona si shoqëri mund t’i zgjidhim dhe kurojmë vetëm nëpërmjet saj, por nëse ajo synon të kurojë problemet tona shpirtërore, atëherë ajo resht së qenuri politikë. Sepse, nëpërmjet këtij roli të ri, e ka të pamundur të fitojë besimin e njerëzve përmes argumenteve dhe ofertave politike. Ajo është e detyruar t’i kthehet parabolave apo fabulave, të cilat i serviren një shoqërie që e ka të pamundur të ndajë pikërisht këtë iluzion nga realiteti.

Ky është edhe shkaku pse liderët tanë politikë, pozicionohen edhe si etër shpirtërorë të kombit dhe përpiqen t’i përgjigjen entuziazmit dhe zjarrmisë së popullit, duke përzgjedhur njerëz të cilët gëzojnë autoritet dhe respekt. Ata, nëpërmjet fabulave dhe parabolave, synojnë të ushqejnë pikërisht këtë iluzion, të cilin e cekëm edhe më sipër, iluzionin që politika është shpëtimi për kaosin shpirtëror ku ndodhet sot shoqëria jonë.

Kuptohet , problemi nuk janë të zgjedhurit tanë, problemi ynë është raporti, që ne si shoqëri kemi vendosur me politikën dhe pushtetin. Një detyrë e rëndësishme për shoqërinë është rivendosja e politikës në vendin që i takon, rikthimi i saj në rolin vet, në sinoret e saj natyrale, sepse duhet të jetë e qartë që, ajo nuk është gjë tjetër veçse pasqyrë e realitetit tonë shpirtëror.

Politika nuk mund të jetë kurrë ilaç për plagët tona shoqërore, ky është një iluzion, është miti i gabuar. Pra, politika duhet të mbetet thjesht një mjet, ajo nuk duhet të kthehet kurrë në qëllim. Për sa kohë politika do të konsiderohet si qëllim në vetvete ajo do të përbëjë edhe rrezikun më të madh për shoqërinë tonë, dhe e vetmja mënyrë për ta përmirësuar atë është vetëm përmes përmirësimit të vetes dhe raporteve shoqërore ndërmjet nesh.

Politika e ka të pamundur të vetëkorrektohet. Ajo përmirësohet vetëm nëse ne përmirësojnë raportin tonë me veten, shoqërinë dhe Zotin. Nëse nuk e bëjmë, ka rrezik të mbetemi një shoqëri e sëmurë dhe e pakujtesë, me një impotencë mendore të pashembullt, një shoqëri që ka humbur kuptimin e vetvetes dhe atë të vetë jetës, ku individët nuk janë tjetër veçse “copa mishi me dy sy“ që mallkojnë politikën për gjithçka që shkon keq në jetët e tyre të mjera.

 

Të fundit