Flash News

KRYESORE

E shkarkuan nga detyra, KLGJ shkresë Dvoranit; Zbardh argumentet pse e shkarkoi

E shkarkuan nga detyra, KLGJ shkresë Dvoranit; Zbardh argumentet pse e

Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka dërguar sot një shkresë lajmëruese Ardian Dvoranit, në të cilën parashtron argumetat se pse u deklarua e përfunduar detyra e tij si gjyqtar i Gjykatës së Lartë.

KLGJ vlerëson se asnjë nga tre anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë nuk e zëvendëson nominalisht Dvoranin, por secili prej tyre është emëruar për një mandat 9-vjeçar. Po ashtu, KLGJ bën me dije se në situatën kur tre anëtarët po ushtrojnë detyrën dhe kur kanë nisur procedurat nga juristët për plotësimin e vendit të katërt, kjo automatikisht sjell përfundimin e detyrës së Dvoranit për të qëndruar në Gjykatën e Lartë.

KLGJ vlerëson se prania e gjyqtarit të katërt në Gjykatën e Lartë nga juristët e spikatur, kur tre të tjerë janë emëruar nuk sjell dhe as garanton funksionimin normal të kësaj gjykate në lidhje me gjykimin e çështjeve nga trupa 5-anëtarëshe apo në Kolegje të Bashkuara.

"Në kushtet kur ju vazhdoni të qëndroni në detyrë në Gjykatën e Lartë, tashmë në vitin e shtatë pas mbarimit të mandatit edhe në supozimin se pasardhësi juaj është gjyqtari i fundit që do të emërohet nga radhët e juristëve të spikatur, KLGJ konstatoi se afati i arsyeshëm i qëndrimit tuaj në detyrë në pritje të pasardhësit që nënkupton paragrafi 5, i nenit 136 të Kushtetutës tashmë është tejkaluar", thuhet në argumentet e KLGJ.

Po ashtu, sipas KLGj, prania e gjyqtarit të katërt nuk sjell dhe as garanton funksionim të shtuar të kësaj gjykate në raport me praninë e vetëm tre gjyqtarëve.

Në përfundim të shkresës, KLGJ i jep një jave kohë Dvoranit, sipas ligjit, për të shprehur interesin e tij me shkrim në Këshill për t’u emëruar si gjyqtar në një Gjykatë Apeli.

"Në kushtet kur ligji, nenet 61 dhe 62 të ligjit nr. 96/2016 "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar ju njohin të drejtën për tu caktuar në nivel apeli, KLGJ ju fton të shprehen nëse do ta ushtroni këtë të drejtë me qëllim për të ndjekur procedurat përkatëse për realizimin e saj. KLGJ ju fton që qëndrimin tuaj ta parashtroni me shkrim brenda një jave", thuhet në shkresën e KLGJ-së.

Kujtojmë që me mbarimin e mandatit në Gjykatën e Lartë, Dvorani u largua edhe nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pozicion të cilin e mbante për shkak të detyrës si anëtar i Gjykatës së Lartë.

Më herët, ai u padit nga Presidenti Ilir Meta për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe përvetësim të titullit, ndërsa ky i fundit shprehej se emërimet në Gjykatën Kushtetuese u bën në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës.

Lexo këtu: Shkresa-e-KLGJ-drejtuar-Z.-Ardian-Dvorani

Të fundit