Flash News

E SHPJEGUAR

Krim në tempullin e ligjit, rastet e zeza që kanë shenjuar drejtësinë shqiptare

Krim në tempullin e ligjit, rastet e zeza që kanë shenjuar

Në zemër të kryeqytetit, brenda një salle gjyqi ku duhet të sundojë ligji, u shua jeta e një gjyqtari. Ekzekutimi i Astrit Kalajas, anëtar i Gjykatës së Apelit në Tiranë, është një akt që tronditi jo vetëm Shqipërinë, por edhe opinionin ndërkombëtar, duke rikthyer me forcë pyetjen se sa e sigurt është drejtësia në vendin tonë.

 Vrasja ndodhi aty ku qytetari kërkon drejtësi, duke shënuar një moment dramatik që shkel çdo kufi të paprekshmërisë institucionale.

Por kjo nuk është hera e parë që sistemi i drejtësisë shqiptare përballet me dhunë e kërcënime. Që prej viteve ’90, një seri ngjarjesh të zeza kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e vendit:

19 shkurt 1999 – Vritet barbarisht Kozeta Hyseni, vajza 21-vjeçare e një prokurori në Vlorë, ngjarje që u lexua si hakmarrje ndaj të atit. Autorët nuk u gjetën kurrë.

21 shkurt 1999 – Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Kleanthi Koçi, plagoset rëndë në Tiranë dhe humbet jetën disa ditë më pas.

30 shtator 2003 – Ekzekutohet Genci Sina, shoferi i Prokurorit të Përgjithshëm Theodhori Sollaku, në një atentat që konsiderohet mesazh mafioz.

9 shtator 2011 – Gjyqtari Skerdilajd Konomi shpërthehet në erë me eksploziv në Vlorë. Asnjë i arrestuar.

22 mars 2019 – Avokati Ravik Gurra ekzekutohet në mes të Elbasanit, në kulmin e tensioneve kriminale.

1 nëntor 2019– Prokurori Arjan Ndoja i mbijeton atentatit në Shkozet, ku humb jetën shoferi i tij.

Të gjitha këto ngjarje, të ndara nga vite por të lidhura nga e njëjta logjikë frike, tregojnë se dhuna ndaj drejtësisë është kthyer në një plagë të përhershme.

Në një kohë kur Shqipëria përpiqet të ndërtojë imazhin e një sistemi drejtësie të reformuar dhe të pavarur, realiteti në terren tregon një tablo tjetër: mungesë sigurie, kushte të pasigurta pune dhe një klimë kërcënimesh të vazhdueshme për magjistratët që guxojnë të bëjnë detyrën.

Nëse shteti nuk reagon fuqishëm, me masa reale sigurie dhe hetime të plota, atëherë rreziku është i qartë: së shpejti mund të mos kemi më kush ta mbrojë ligjin, sepse vetë drejtësia po vritet në gjyq.

 

Të fundit