Flash News

E SHPJEGUAR

Nga mandatimi i Ramës te dekretimi i parlamentit të ri, java e ‘nxehtë’ e sezonit të ri politik

Nga mandatimi i Ramës te dekretimi i parlamentit të ri, java e

Kjo javë pritet të shënojë një sërë zhvillimesh vendimtare për sezonin e ri politik. Brenda kësaj jave, presidenti i republikës pritet të mandatojë kryeministrin Edi Rama.

48 orë pas shpalljes së emrave të ministrave të rinj, Partia Socialiste nisi procedurat që i hapin rrugë formimit të kabinetit qeveritar “Rama 3”.

Të shtunën që lamë pas, përmes një shkrese zyrtare që mbante firmën e Sekretarit të Përgjithshëm, Damian Gjiknuri, selia rozë iu drejtua zyrtarisht Presidentit që ta dekretojë Edi Ramën, duke e mandatuar në këtë mënyrë si kryeministër të ardhshëm.

Pas dekretimit nga Presidenti i Republikës, emri i kryeministrit të ri i paraqitet për miratim Kuvendit, i cili do të konstituohet më 10 Shtator. Pas miratimit në Parlament, kreu i qeverisë i dërgon Presidentit për dekretim ministrat, për të cilët duhet të shprehet brenda 7 ditëve.

Dekretet e miratuara nga Presidenti kalojnë ne Kuvend brenda 10 ditëve dhe më pas i gjithë kabineti qeveritar betohen përpara Presidentit, të cilin pak muaj më parë socialistët e shkarkuan, duke renditur një sërë shkeljesh të rënda kushtetuese sipas tyre.

Vetë kryeministri Rama në një intervistë dhënë për emisionin “Opinion” ndonëse konfirmoi se ndarja me Presidentin Meta është e pakthyeshme do të shkojë me kabinetin qeveritar të betohet në zyrën e Ilir Metës.

Mbetet për t’u parë nëse kreu i shtetit, sikundër ka ndodhur në të kaluarën mund të refuzojë ndonjë emër ministri nga ekipi që Edi Rama ka përzgjedhur të drejtojë kabinetin e tij në këtë mandat të tretë qeverisës.

Pak ditë më parë, kryetari i Partisë Socialiste bëri publike përbërjen e kabinetit të ri qeveritar që do të drejtojë vendin për 4 vitet e ardhshme, ku ra në sy fakti se Edi Rama i ka besuar 12 portofole ministrore grave dhe 4 të tjera burrave.

Ndërkohë, të premten pritet të nisë legjislatura e 10-të të Kuvendit të Shqipërisë me 140 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit.

Rregullorja e Kuvendit përcakton se drejtues i seancës së parë plenare është deputeti më i vjetër në moshë, e konkretisht deputetja e PS-së Luljeta Bozo, ndërsa Lindita Nikolla është përzgjedh nga socialistët si kryetarja e re e Kuvendit.

Ajo që pritet me interes është edhe fakti se pas dy vitesh mungesë, në këtë legjislaturë rikthehet opozita, PD dhe LSI, duke bërë që beteja parlamentare te projektohet e fortë nisura nga retorikat e ashpra politike nga kampi opozitar.

 

Të fundit