Flash News

E SHPJEGUAR

Nga vendimi i Kushtetueses te lëvizja e SPAK, hapat që çuan te kërkesa për arrestimin e Ballukut

Nga vendimi i Kushtetueses te lëvizja e SPAK, hapat që çuan te

Çështja e Belinda Ballukut ka ndjekur një trajektore të pazakontë institucionale.

Nga rikthimi në detyrë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dosja ka kaluar në një fazë tjetër më të fortë, me SPAK që i është drejtuar Kuvendit për autorizimin e arrestimit. Dy zhvillime që, ndonëse duken kontradiktore, ndjekin rrugë të ndryshme ligjore.

Fillimisht, Gjykata Kushtetuese vendosi rikthimin e Ballukut në detyrë, duke vlerësuar se masa e pezullimit nuk përmbushte kriteret kushtetuese. 

Kryeministri Edi Rama e kundërshtoi vendimin publikisht edhe ligjërisht duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese pezullimin e efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese dhe interpretimin e nenit kushtetues që parashikon se “anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale që i njeh jo vetëm Kushtetuta, por edhe legjislacioni procedural penal”.

Gjykata Kushtetuese caktoi pezullimin e vendimit të GJKKO dhe njoftoi se do vendoste për themelin në Janar.in e 2026-es.

Megjithatë, SPAK vijoi hetimet , duke argumentuar se vendimi i Kushtetueses nuk pengon vlerësimin e përgjegjësisë penale.

Pas mbledhjes së provave dhe analizës së dosjes, Prokuroria e Posaçme vendosi t’i drejtohet Kuvendit për heqjen e imunitetit dhe caktimin e masës së arrestit.

Sipas procedurës ligjore, kërkesa pritet të shqyrtohet fillimisht nga Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit, përpara se të kalojë në seancë plenare. Vendimi i deputetëve do të jetë përcaktues për hapin e radhës të SPAK.

Balluku dhe ish-drejtues të ARRSH-së, Evis Berberi, Gjyli, Elezi e vartës të tjerë të saj, u akuzuan fillimisht se kanë manipuluar dy tenderat për Tunelin e Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me vlerë totale 210 milionë euro, duke favorizuar kompanitë fituese. Për këtë akuzë GJKKO caktoi pezullimin e saj nga detyra më 20 nëntor të këtij viti.

Përveç dy hetimeve të mëparshme për tunelin e Llogarasë dhe një lot të Unazës së Madhe, SPAK njoftoi të martën se Balluku ka marrë cilësinë e personit në hetim për veprën penale të shkeljes së barazisë së pjesmarrësve në tendera edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi lidhur me ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës.

Tashmë, vëmendja zhvendoset te Kuvendi, ku do të testohet parimi i barazisë para ligjit. S.Gj

 

 

 

Të fundit