Flash News

E SHPJEGUAR

Pandora Papers/ Nga erdhën dokumentet; çfarë janë llogaritë offshore; pse përdoren; a janë të paligjshme?

Pandora Papers/ Nga erdhën dokumentet; çfarë janë

Përshtatur nga një shkrim më i gjatë i gazetës britanike The Guardian

Politiko.al

Nga erdhën dokumentet e Pandorës?

ICIJ, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Uashington DC, nuk po e identifikon burimin e dokumenteve të rrjedhur. Për të lehtësuar një hetim global, ICIJ u dha akses në distancë gazetarëve në 117 vende, përfshirë gazetarët e Washington Post, Le Monde, El País, Süddeutsche Zeitung, PBS Frontline dhe Korporata Australiane e Transmetimit. Në Mbretërinë e Bashkuar, hetimi është udhëhequr nga Guardian dhe BBC Panorama.

Çfarë është një ofrues i shërbimeve offshore?

14 ofruesit e shërbimeve offshore në dokumentacionin e rrjedhur ofrojnë shërbime korporative për individë ose kompani që kërkojnë të bëjnë biznes offshore. Klientët e tyre zakonisht kërkojnë të krijojnë në mënyrë diskrete kompani ose truste në parajsat tatimore pa shumë mbikqyrje, siç janë Ishujt Virgjinë Britanikë (BVI), Panamaja, Ishujt Cook dhe shteti amerikan i Dakotës së Jugut. Kompanitë e regjistruara offshore mund të përdoren për të mbajtur asete të tilla si prona, avionë, jahte dhe investime në aksione dhe stoqe. Duke i mbajtur ato pasuri në një kompani offshore është e mundur të fshihet nga pjesa tjetër e botës identiteti i personit të cilit i përkasin në të vërtetë, ose "pronarit përfitues".

Pse njerëzit i transferojnë paratë në offshore?

Zakonisht për arsye të taksave, fshehtësisë ose mbikqyrjeve rregullatore. Juridiksionet offshore kanë tendencë të mos kenë taksa mbi të ardhuarat apo korporatat, gjë që i bën ato potencialisht tërheqëse për individët dhe kompanitë e pasura që nuk duan të paguajnë taksa në vendet e tyre. Edhe pse moralisht e diskutueshme, ky lloj shmangieje nga taksat mund të jetë e ligjshme. Juridiksionet offshore gjithashtu kanë tendencë të jenë shumë sekrete dhe publikojnë pak ose aspak informacion në lidhje me kompanitë ose trustet e përfshira. Kjo mund t'i bëjë ata të dobishëm për kriminelët, të tillë si shmangësit e taksave ose pastruesit e parave, të cilët duhet të fshehin para nga autoritetet tatimore ose të zbatimit të ligjit. Eshtë gjithashtu e vërtetë që njerëzit në vendet e korruptuara ose të paqëndrueshme mund të përdorin ofruesit offshore për t’i vënë pasuritë e tyre jashtë ndikimit të qeverive shtypëse ose kundërshtarëve kriminalë që mund të përpiqen t'i kapin ato, ose të kërkojnë të anashkalojnë kufizimet e cash-it. Të tjerët mund të shkojnë në offshore për arsye të trashëgimisë ose planifikimit të pasurisë.

A kanë bërë diçka të gabuar të gjithë ata që përmenden në Pandora Papers?

Jo. Zhvendosja e parave në offshore nuk është në vetvete e paligjshme, dhe ka arsye legjitime pse disa njerëz e bëjnë këtë. Jo të gjithë të përmendurit në Pandora papers dyshohen për keqbërje. Ata që dyshohen mund të akuzohen për një gamë të gjerë sjelljesh të gabuara: nga moralisht të dyshimta deri tek ato potencialisht kriminale. The Guardian po publikon vetëm histori të bazuara në dokumente të rrjedhura pasi ka marrë parasysh interesin publik. Ky është një koncept i gjerë që mund të përfshijë transparencën e mëtejshme duke zbuluar pronarët e fshehtë offshore të pasurive në Mbretërinë e Bashkuar, edhe kur ata pronarë nuk kanë bërë asgjë të keqe. Artikuj të tjerë mund të ndriçojnë çështje të debatit të rëndësishëm publik, të ngrenë pyetje morale, të hedhin dritë mbi mënyrën se si funksionon industria offshore, ose të ndihmojnë në informimin e votuesve për politikanët ose donatorët në interes të llogaridhënies demokratike.

Të fundit