Flash News

E SHPJEGUAR

Skandali me “0900” në Kuvend, çfarë fshihet pas këtyre numrave

Skandali me “0900” në Kuvend,  çfarë fshihet pas
Foto e krijuar nga CHAT GPT

Një debat i ashpër është shënuar në Kuvend ditën e djeshme (5 mars) mes mazhorancës dhe opozitës, pasi kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i është drejtuar deputetes së PD-së, Albana Vokshi, me shprehjen: “për ty Albana kam numrin 0900”.

Deklarata erdhi gjatë diskutimeve për çështjen e integrimit europian dhe debatit mbi veton në procesin e zgjerimit të BE-së.

Balla tha se mazhoranca nuk kishte pasur mundësi të konsultohej me opozitën për këtë çështje, duke përdorur një koment ironik.

Rama po thotë dhe ka thënë disa herë që ne pranojmë të futemi në BE edhe pa të drejtë vetoje, nuk e duam veton. Thamë t’ju pyesnim juve njëherë, por nuk kishim kohë. Realisht nuk kishim një numër telefoni tuajin që t’ju merrnim dhe t’ju thonim ‘si mendoni ju për këtë’. 0900, se për ty Albana kam këtë numrin, padyshim”, tha Balla.

Deklarata shkaktoi reagim të menjëhershëm nga deputetët e opozitës, të cilët u drejtuan drejt foltores, duke detyruar ndërhyrjen e Gardës për të qetësuar situatën.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi me tone të ashpra ndaj Ballës, duke e akuzuar për fyerje ndaj një gruaje.

“Nuk të vjen turp, çfarë je ti more. Këtë shkoja thuaja gruas tënde. Ndyrësirë, i pafytyrë. Burrë legen. Je mësuar me ato që ke në partinë tënde ti. I pafytyrë. Nxirre jashtë. Si e lejon që të fyejë një grua ai në atë formë”, tha Bardhi.

 Çfarë është numri “0900”?

Numrat telefonikë që nisin me 0900 njihen si numra premium, të cilët kanë tarifë shumë më të lartë se telefonatat e zakonshme.

Këta numra përdoren për shërbime të ndryshme me pagesë, si linja argëtimi, apo shërbime të tjera telefonike.

Në diskursin publik dhe në përdorimin popullor, këta numra shpesh lidhen edhe me linja telefonike me përmbajtje flirtimi ose erotike, ndaj përdorimi i tyre si batutë ndaj një personi mund të interpretohet si nënkuptim fyes ose denigrues.

Pikërisht ky konotacion bëri që deklarata e Ballës ndaj Vokshit të shkaktojë reagime të forta në sallën e Kuvendit./POLITIKO

 

Të fundit