Flash News

E SHPJEGUAR

Syri i Kaltër u ‘dorëzohet’ grekëve? Si qëndron e vërteta pas deklaratës së kryebashkiakut të Korfuzit

Syri i Kaltër u ‘dorëzohet’ grekëve? Si qëndron

Kryetari i Bashkisë së Korfuzit të Veriut, George Machimaris ka ngritur për mediat vendase çështjen e transferimit të ujit nga Shqipëria për të përballuar mungesën e ujit në dekadat e ardhshme në këtë ishull.

Një shkrim i ERT NEWS, që mban datën 26 maj të këtij viti shkruan se po përgatitet një marrëveshje midis vendit fqinj dhe qeverisë shqiptare, për të ndërhyrë tek Syri i Kaltër në Sarandë dhe për t’ia transferuar ujin e kulluar të burimit nëntokësor Greqisë.

“Duke marrë parasysh si zhvillimet ashtu edhe situatën aktuale në vitet në vijim, do të përballemi me krizën e ujit, një krizë që zvarritet me të njëjtat karakteristika për më shumë se 30 vite radhazi. Me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj shoqërisë sonë, ndaj vizitorëve tanë, ne paraqesim një propozim/memorandum teknik të furnizimit me ujë me transferim burimi nga SYRI I KALTËR i Shqipërisë fqinje, duke marrë parasysh dhe duke shfrytëzuar përvojën e tubacionit nëndetësor që lidh ujësjellësin e Aeginës me EYDAP në Salaminë, përvojën e akumuluar të pushtetit vendor dhe studimet ekzistuese si ai i Politeknikut (1991), të cilat mund të përditësohen në të dhënat aktuale”, deklaronte Machimaris. 

Por si qëndron e vërteta?

Ky rast u denoncua sot edhe nga deputetja e PD, Ina Zhupa.

“Syri i Kaltër është park natyror dhe ka statusin zonë e mbrojtur nga viti 2002. Punimet, tubacionet, ndërhyrjet do ishin kategorisht të ndaluara dhe në dëm të kësaj pasurie kulturore.

Saranda, Delvina, qytetet e tjera vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm por ska shkuar kurrë ndërmend një ndërhyrje e tillë e paligjshme në Syrin e Kaltër.

Si mund të mendohej që kjo ndërhyrje e paligjshme të bëhej për të furnizuar Greqinë?!”, shkruan në rrjetet sociale Zhupa.

Po ashtu, në një interivstë në Syri.tv Zhupa tha se një muaj më parë ka pasur një vizitë nga ministrja greke.

"Ministrja greke ka bërë vizitë një muaj më parë dhe thuhet se një ndër çështjet e diskutimit ka qenë dhe Syri i Kaltër."-deklaroi Zhupa.

Reagon Ministria e Turizmit dhe Mjedisit

Pas denoncimit në media, vjen reagimi nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Në një reagim zyrtar, ministria hedh poshtë këto pretendime dhe sqaron se nuk ka asnjë marrëveshje të tillë.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nisur nga disa lajme të përhapura në media të ndryshme mbi një propozim/memorandum teknik të supozuar të furnizimit me ujë me transferim burimi nga Syri i Kaltër drejt Korfuzit, sqaron:

Nuk ka asnjë marrëveshje të tillë dhe as nuk ka pasur diskutime për një projekt të ngjashëm sipas lajmit të përhapur nga mediat. Pretendimet e ngritura janë të pavërteta.

Syri i Kaltër është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror” me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër, që mban brenda parkut”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Për herë të parë lajmet për furnizimin e Korfuzit me ujin e kulluar të Syrit të kaltër dolën në vitin 2001. Kanë qenë disa propozime greke ndër vite për këtë çështje, por asnjëherë pala shqiptare nuk ka dhënë dritën jeshile për një marrëveshje të tillë.

Kujtojmë se Syri i Kaltër është park natyror dhe e ka fituar statusin e zonës së mbrojtur që në vitin 2002.

Të fundit