Flash News

E-TJERA

10 Librat e vitit 2024 sipas Dritan Sulçebe

10 Librat e vitit 2024 sipas Dritan Sulçebe

Thika - Salman Rushdie (Penguin Random House)

Vepra më e fundit e Rushdie, është një meditim mbi tentativën e vrasjes së tij në vitin 2022 dhe mëkëmbjen e tij të mëpasshme fizike dhe mendore. Libri është një apel për mbrojtjen e lirisë së fjalës, që sipas autorit është shndërruar në një ideal, që progresistët dhe e majta tashmë e kanë braktisur plotësisht.

Empuzioni Olga - Tokarczuk (Riverhead Books)

Libri i Tokarczuk wshtë një lajm i mirë për botën e librit në vitin 2024. Libri është një evokim i fuqishëm ndaj Malit Magjik të Thomas Mann. Rrëfen jetën e një të riu që mbërrin në një sanatorium malor, ku përmes bisedash filozofike, vëzhgimesh shkencore dhe përvojash okulte, arrin të gjejë vetënjohjen. Libri mund të konsiderohet si një roman gotik dhe përmban një kritikë të fortë ndaj një shoqërie, e cila ka tendencën të sakrifikojë më të brishtët në radhët e saj, vetëm e vetëm për hir të ruajtjes së stabilitetit.

Tekno Feudalizmi - Çfarë e vrau Kapitalizmin - Yanis Varoufakis (Meadiaprint 2024)

është sprova më e fundit e një prej mendimtarëve më në zë të ditëve tona, i cili përpiqet të hedhë dritë mbi atë që sipas tij, shënjon epokës së rënies së kapitalizmit dhe ngritjes së tekno-feudalizmit mbi bazat e monopoleve te kompanive të mëdha teknologjike. Sipas Varoufakis, kompanitë e Big Tech janë shndërruar tashmë në zotëruesit e vërtetë të ekonomisë botërore dhe ky fenomen do ketë pasoja tejet negative në demokracinë dhe lirinë e fjalës, të dënuara ta vazhdojnë ekzistencën e tyre nën hijen e një feudalizmi të ri teknologjik.

Mesha e Zezë - John Gray (Pika Pa Sipërfaqe, 2024)

Në këtë libër, filozofi i njohur John Gray qëmton influencën e milenarizmit të krishterë (besimit që pas apokalipsit të pashmangshëm dhe para gjykimit të fundit, bota do të mbretërohet për 1000 vjet nga Jezu Krishti) në filozofinë perëndimore, si dhe ideologjitë kryesore që kanë influencuar kohën tonë. Në një moment kur “Fundi i Botës” është bërë kryefjalë në diskursin aktual politik dhe kulturor, ky libër merr një vlerë të madhe.

Mbi Revolucionin - Hannah Arendt (Shtëpia e Librit, 2024)

është një meditim shumë interesant mbi shkaqet dhe pasojat e revolucioneve. Sipas këndvështrimit të Arendt, revolucioni francez ishte një dështim, ndërsa ai amerikan një histori suksesi, pasi ky i fundit ruajti nocionin mbi lirinë politike Consitutio Libertatis. Libri duhet lexuar nga kushdo që është i interesuar për historinë dhe që rreket të zbulojë kontradiktat e epokës sonë kaq të turbullt.

Kënga e Profetit - Peter Lynch (Albas 2024)

është një roman distopik mbi një Irlandë tiranike të së ardhmes të përfshirë nga lufta civile. Një nënë rreket të mbrojë familjen e saj mes kaosit, ku çdo gjë duket sikur është kthyer përmbys. Angështia e saj e përhershme të rrëmben në çdo faqe të librit, duke kumtuar errësirën e një diktature, që synon të zhdukë çdo zë kundërshtues. Kënga e Profetit mund të lexohet si një kambanë alarmi për të ardhmen. Se edhe në demokracitë më të konsoliduara, forcat totalitare e gjejnë gjithnjë mënyrën për të vendosur tiraninë, se historia nuk është domosdoshërisht një ngarendje e pandalshme drejt progresit dhe lirisë, por një proces që njeh edhe kthime mbrapa.

Zgjerimi - Robert Menasse (Botimet Dudaj 2024)

është një roman argëtues dhe i shkruar në mënyrë mjeshtërore, ku ndër të tjera trajtohet dhe aktualiteti politik në Shqipëri. Për Menasse, Shqipëria shihet përmes optikës së zgjerimit të BE dhe këtu autori shpalos një thriller të vërtetë politik, ku marrin pjesë personazhe të politikës dhe shoqërisë sonë. Libri ka shumë vlerë për të kuptuar se si të huajt, në këtë rast një shkrimtar austriak, na shohin dhe na vlerësojnë.

I rënë nga Qielli - Tom Kuka (Pegi 2024)

Enkel Demi, është i shpallur si autori më i mirë i vitit të Panairit 2024 për këtë roman, që trajton vitin tonë zero 1997, duke evokuar edhe historinë e Shqipërisë përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Realiteti i Shqipërisë së sotme është në një farë mënyre produkt si i 97-ës ashtu dhe i vitit 1944. Ndaj për të kuptuar të tashmen, duhet ta kthejmë vështrimin nga këto dy momente të historisë sonë dhe këtu Tom Kuka na ofron si përherë një makinë kohe, që di të çajë më së miri nëpër mjegullat e zymta të harresës.

Perëndimi i Andrrimeve - Gaspër Pali (Berk Botime 2024)

Gaspër Pali është një poet pak i njohur shkodran, bashkëkohës i Migjenit, që porsi ky i fundit gjendet në klubin e “27-ës”, me një jetë të shkurtër të këputur para kohe nga tuberkulozi. Poezia e Palit është e trishtë, elegante, mbushur me nota melankolie nën një tis të ndrojtur ekzistencializmi, që në shumë aspekte të kujton Pessoan. Botimi i fundit na e sjell sërish në kujtesë këtë poet, që e meriton një vend të veçantë në radhët e letërsisë shqipe.

Marshi Funebër i Gjelave të Detit - Koloreto Cukali (Kandrra Botime, 2024) është një testament shpirtëror për Tiranën. Për qytetin që tashmë ekziston vetëm në ëndrrat dhe nostalgjitë tona. Plagët e së shkuarës, jeta e natës, dashuritë e pamundura parakalojnë në një Marsh Funebër Gjelash Deti tragjikomikë që sot na shëmbëllejnë aq shumë të gjithëve ne që kemi vendosur të jetojmë në këtë vend, ku absurdi është ulur prej kohësh këmbëkryq. Poezitë e Cukalit shpalosin një hartë fantastike të lokaleve të Tiranës, udhëtime melankolike drejt vitit të stuhishëm 1992, si dhe skica arketipale të gruas, nënës, fëmijëve dhe detit. Poezitë shoqërohen me këngët që kanë shoqëruar brezin e autorit, duke na kredhur në atmosferën e rinisë së tij, atëherë kur të gjithë dukeshim të pafajshëm, porsi gjela deti në prag të “festave”. Libri përbën padyshim një lajm për poezinë e vitit 2024.

 

 

 

Të fundit