Flash News

E-TJERA

10 librat e Vitit 2024 sipas Virgjil Muçit

10 librat e Vitit 2024 sipas Virgjil Muçit

Virgjil Muçi është shkrimtar, përkthyes dhe kritik letrar. Libri i tij i fundit është romani “Tri jetët e Zotit P.”

1. Sándor Márai “Portrete të një martese” (“Portraits of a Marriage”)

Nuk ngurroj aspak të them se ky mjeshtër hungarez i prozës – pak ose aspak i njohur prej lexuesit të gjerë te ne - është një prej autorëve që kam më për zemër. Ky roman i botuar në vitin e largët 1941 dhe i zbuluar së fundi në perëndim është një ménage à trois midis një burri dhe dy grave më të rëndësishme të jetës së tij, një zonje borgjeze dhe ish-shërbyeses së familjes. Fundi është i trishtë dhe i shkon për shtat fatit të njerëzve që, pas 1945-s, përfunduan anës së errët të Perdes së Hekurt.

2. Daniel Defoe “Robinson Kruzo” (Përktheu Halit Selfo, Bujar Doko)

E keni dëgjuar atë shprehjen që thotë se “Përsëritja është nëna e mërzisë”? Ndaj nuk kam ndër mend të them se kultura fillon te rileximi. E megjithatë e vërteta është se pas çdo rileximi – dhe këtu e kam fjalën kryesisht për autorët klasikë – ti zbulon një këndvështrim që të kishte shpëtuar më parë. Kjo gjë më ndodhi edhe këtë herë me kryeveprën e Defoe’së. M’u duk vetja një Kruzo, i cili, edhe pse jeton në kohën e rrjeteve sociale dhe të komunikimit masiv, përfton përshtypjen e të qenit në një ishull, i vetmuar dhe i veçuar nga bota e njerëzit që e rrethojnë.

3. Thomas Powers “Lufta e Heisenbergut” (Historia e fshehtë e bombës atomike të nazistëve).

Në një kohë kur në truallin e Europës për herë të parë qysh nga Lufta e Dytë Botërore po zhvillohet një luftë në kuptimin klasik të fjalës; në një kohë kur përdorimi i bombës atomike nuk është më një tabu, po për të flitet si për një të keqe të domosdoshme për t’u mbrojtur nga tjetri, armiku, ky libër i historianit amerikan hedh dritë mbi një prej faqeve më pak të ndriçuara të konfliktit të përbotshëm dhe, si askush tjetër, tingëllon tejet aktual dhe na paralajmëron ndaj zgripit ku bota ecën sot me qorrollepsjen e somnambulit.

4.  Paul Lynch “Kënga e profetit” (“Prophet Song”)

Një libër që, për fat, e kemi të sjellë edhe në shqip, i cili lypset lexuar medoemos, jo dhe aq për faktin se autori i tij, irlandezi Lynch, u nderua me çmimin prestigjioz “Man’s Booker Prize” 2023, sesa për faktin që mbart një leksion të jashtëzakonshëm historik: demokracitë mund të degradojnë në diktatura dhe diktaturat të përfundojnë në luftra vëllavrasëse civile edhe sot e gjithë ditën. Me një fjalë, asgjë nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë: as liria, as paqja, as begatia në qoftë se nuk luftojmë për to dhe nuk dimë t’i mbrojmë. Njerëz jini vigjilentë! klith autori – metaforikisht - në mbyllje të këtij romani drithërues.

5. Peter Burke – “Injoranca – Një histori globale” (“Ignorance: A Global History”)

Pa pikën e dyshimit një nga librat më inteligjentë që kam hasur gjatë leximeve të mia. Historiani britanik ngre një sërë pikëpyetjesh që njerëzit i marrin për të mirëqena, duke shpërfillur shumëçka nga arritjet e njerëzimit. Ai zhbirilon historinë e gjatë sa vetë njerëzimi të injorancës në lëmë si kultura, politika, religjioni e kështu me radhë. Për rrjedhojë përftojmë një hulumtim të pazakontë të (mos)dijes njerëzore në shekuj dhe caqeve të saj.

6. Dionis Prifti “Dy javë nën balonë”

Është një ëndje e veçantë për mua të lexoj veprat e rioshëve që kuturisin në xhunglën e letrave. Gjatë leximit çmova fort fantazinë e autorit, por edhe e qortova vetmevete për një farë nguti që e has jo vetëm te të rinjtë. Këshilla ime – e pakërkuar – është: arti i të shkruarit është një maratonë dhe jo garë shpejtësie. Gjithsesi, duke i ftuar kolegë e lexues ta lexojnë, përfitoj nga rasti t’i uroj Dionisit mirëseardhjen në Republikën e Letrave.

7. Georgi Gospodinov “Fizika e pikëllimit” (“The Physics of Sorrow”)

Një shkrimtar i shkëlqyer, një anatomist që i ka shokët të rrallë për të zhbiriluar shpirtin e njeriut dhe metaforzat e tij; një ftesë për gjithkënd që ende nuk e ka lexuar.

8. Dhiata e Re – Përkthim i Konstandin Kristoforidhit (1879)

Kadare ka një poezi të hershme ku bën fjalë sesi hyn në kishë dhe një plakë besimtare e shikon shtrembër poetin. Atëherë ai i shpjegon se ndodhet aty në kërkim të dorëshkrimit të Dhjatës së Re të Kristoforidhit. Me të njëjtën kërshëri hyj edhe në unë, shkrimtar e përkthyes, në tempullin e shqipes së jashtëzakonshme të një prej lëvruesve të gjuhës sonë, për të gjetur ata xhevahirë që zor se mund t’i qëmtosh tjetërkund.

9. Veljko Miçunoviç “Ditari i Moskës” (Moscow Diary)

Një excursus interesant leximi i ditarit të ambasadorit të Jugosllavisë së Titos në Moskën e viteve ’60 që të jep të kuptosh raportet tejet kontroverse mes Kremlinit dhe birit plëngprishës të kampit socialist. Ajo që e bën edhe më interesant leximin janë kontaktet e tij me udhëheqjen komuniste shqiptare dhe kontradiktat mes dy vendeve të këqyra nga një tjetër kënd që ndryshon kryekëput prej atij të historisë së kanonizuar.

10. Alfred Lela “Solo”

And the last but not least... Një prej penave më të mprehta të publicistikës shqiptare, Alfred Lela konvertohet në poet. Hallelujah! Kjo, për mua, do të ishte supriza më e madhe dhe, më e këndshme - do të shtoja - e këtij fundviti nga bota e letrave. Por asgjë prej këtyre që ceka më lart nuk do të kishin peshë e rëndësi sikur vargjet e Lelës të mos lëçiteshin me atë andje që e has vetëm te poetët e njëmendtë. Urime dhe rrugë të mbarë, miku im!

Të fundit