Flash News

E-TJERA

Dita e Çlirimit "bën lëmsh" politikën/ Kryemadhi 'braktis' Bashën dhe 'sfidon' Ramën, Meta del mbi palët: S'ka debate! Populli di të ngrihet mbi përçarjet

Dita e Çlirimit "bën lëmsh" politikën/ Kryemadhi
Në foto: Presidenti Meta homazhe pranë monumentit "Nënë Shqipëri"

29 Nëntori ka vënë në dukje ndasitë ideologjike mes të majtës dhe të djathtës referuar Ditës së Çlirimit të vendit, ndërsa kampi opozitar duket ‘i përçarë’ referuar festimeve.

Ndërsa Basha vendosi të ruante traditën e përkujtimit të të dyja festave më 28 Nëntor, Kryemadhi ka vepruar ndryshe.

Kryetarja e LSI-së dhe njëkohësisht aleatja kryesore e demokratëve, grumbulloi partinë e saj për të zhvilluar homazhe te varrezat e Dëshmorëve, pak pas largimit të socialistëve dhe Presidentit Meta, pasi ky i fundit kreu nderimet krahas kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Ruçi.

Ajo çka u vu re hapur është se përplasjet politike pozitë-opozitë nuk u lanë mënjanë edhe këtë 76-vjetor, pasi pavarsësisht se ‘braktisi’ Bashën, Kryemadhi po ashtu zgjodhi të ‘sfidojë’ hapur Ramën.

Kryetarja e LSI-së së bashku me të gjithë anëtarët e partisë është paraqitur gjatë ceremonisë së homazheve pa maskë, duke thyer në këtë mënyrë masat anti-Covid.

Është më e pakta që mund të bëjmë sot në emër të LSI-së, për të vendosur një kurorë në shenjë respekti dhe mirënjohje të 28 mijë djemve dhe vajzave shqiptare për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashist.

Por ajo që është akoma më e rëndësishme, është që detyra jonë jo vetëm si klasë politike, por detyra jonë si nëna, si gra dhe si vajza, është për të rrënjosur akoma më shumë në zemrën e të rinjve dhe të rejave tanë atë që është shumë më e rëndësishme, dëshira, pasioni dhe dashuria për vendin, dashuria për flamurin, dashuria për atdheun tonë.

Nëna Shqipëri është jo simbol, por nëna Shqipëri është jeta e çdo shqiptari. Prandaj është detyra jonë që sot në këtë ditë përkujtimore, jo thjesht për t’u kujtuar, por është ditë që duhet të rrënjoset në mendjet tona dhe sidomos të klasës politike, që të mos bëjmë më gabimet që kemi bërë dhe për të mbyllur njëherë e përgjithmonë këtë situatë tranzicioni, në këtë vit të mbrapshtë siç ishte viti i pandemisë, apo edhe situata pas tërmetit të 26 nëntorit, për të ringritur edhe njëherë pasionin dhe dashurinë për vendin, për të pasur respekt dhe mirënjohje, jo vetëm për dëshmorët tanë, por për të pasur respekt dhe mirënjohje për punën e atyre djemve dhe vajzave që kanë bërë për Shqipërinë. Lavdi dëshmorëve! ", tha Kryemadhi.

Ndërkaq, referuar debatit 28-ta apo 29-ta për Çlirimin, Presidenti Meta është përpjekur të dalë mbi ndasitë politike kur tha se “nuk ka asnjë debat për datat, pasi vetëm 29 Nëntori e kujtonë këtë datë.

“Për mua nuk ekziston një debat për datat. Data 29 Nëntor ka qenë edhe mbetet një datë edhe e provuar, e argumentuar qartë nga historiografia. Megjithatë unë nuk dua të marr këtë rol dhe nuk ka asnjë përpjekje që mund të eklipsojë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Mos harrojmë se një pjesë e madhe e udhëheqësve të kësaj lufte u persekutuan pas çlirimit të vendit, për arsye sepse një pjesë e madhe e tyre kishin qëllime të tjera, të kundërta nga pushteti, apo nga ai grup që drejtoi vendin tonë gjatë disa dekadave, në atë mënyrë që dihet. Por, absolutisht ka qenë një luftë e jashtëzakonshme, ka qenë një luftë e cila e ka shpëtuar Shqipërinë nga ndarja, nga copëtimi”, tha Meta.

Po ashtu, i pyetur se nëse është rritur Shqipëria politikisht, që palët të dalin mbi interesat partiake për të dashur Atdheun dhe për të qenë të bashkuar sidomos në ditë të vështira, Meta përgjigjet:

“Populli shqiptar ka treguar në çdo moment të vështirë, që di të ngrihet mbi përçarjet, mbi ato forca të cilat kërkojnë t’i shterin energjitë më pozitive dhe kërkojnë t’ia vjedhin atdhedashurinë dhe besimin tek e ardhmja.

Unë jam tepër optimist, që shqiptarët e kanë të qartë se kërkohet një ndryshim i jashtëzakonshëm, dhe ky ndryshim ka të bëjë me atë, që ata do të marrin fatet e tyre në duart e tyre, nuk kanë nga të presin.”

Të fundit