Flash News

E-TJERA

Abonetë falas për studentët, shoqata e transportit kërkon rimbursim të plotë ose rritje çmimi të biletës

Abonetë falas për studentët, shoqata e transportit kërkon

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i është drejtuar Bashkisë së Tiranës me një letër pas nismës për “Abone falas për studentët”.

Sipas operatorëve, me nismën e fundit bashkia ka reduktuar me 37% shitjen e biletave. Operatorët ngrenë shqetësimin se rënia e biletave po tkurr fitimet e tyre, në një kohë kur ata po vuajnë edhe shtimin e kostove nga shtrenjtimi i çmimit të naftës dhe ulja e numrit të pasagjerëve 35% më pak se vjet.

Për dhënien falas të aboneve të studentëve operatorët kompensohen nga bashkia 600 lekë, ndërsa çmimi i abonesë në treg të lirë është 1,600 lekë.

Shoqata kërkon nga Bashkia Tiranë kompensim 100% të çmimit të abonesë për studentët ose në të kundërt bashkia duhet të miratojë kërkesën për dyfishim të bilestës nga 40 lekë në 80 lekë.

“Edhe ne jemi dakort me nismën “Abone falas për studentët”, por kjo nuk duhet të bëhet në “kurriz” të operatorëve dhe aq më tepër duke i çuar ata drejt falimentit me politika dhe vendimmarrje të prera”, thuhet në letër.

Drejtuesi i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas Kostandin Foni tha për Monitor se humbjet e operatorëve nga rënia e shitjes së biletave parashikohet të thellohen për muajin dhjetor, pasi pjesë e nismës janë edhe studentët e universiteteve publike.

Në fund të muajit tetor Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas iu drejtua me një letër kryetarit të bashkisë Tiranë Erjon Veliaj dhe ministres së Arsimit Evis Kushi ku kërkonin rimbursimin e plotë në vlerën e 1,600 lekë të aboneve të studentëve që shpërndahen falas, pasi dhënia e tyre falas rrezikonte falimentimin e operatorëve.

Shoqata shkruante në letër se vendimi është marrë pa u konsultuar me grupet e interesit dhe pa marrë në konsideratë situatën.

“Vendimmarrjet janë marrë pa konsultime paraprake me grupet e interesit, pa u njohur situata në terren dhe vështirësitë që kanë operatorët në realizimin e disa veprimtarive të menjëhershme dhe të pa trajtuara, siç është edhe shpërndarja falas e abonesë të studentëve.

Gjithashtu kushtet aktuale kanë ndryshuar dhe ato nuk janë marrë në konsideratë, në përcaktimin e vendimarrjeve të marra dhe kompensimin e ofruar. Për këtë dhe Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ka kërkuar përmes operatorëve të saj takim me kryetarin për të trajtuar pikërisht këto problematika.

Me aplikimin në terren të vendimit dhe shpërndarjen e aboneve falas për secilin operator shitja e biletës ka rënë me 37% dhe fitimet janë ulur ndjeshëm, duke sjellë kështu operimin me humbje ose operimin pa asnjë fitim, ku kompensimi në vlerën e mësipërme nga Bashkia Tiranë vlera 600lekë/për abone studenti nuk i ndihmon aspak operatorët, për ta bërë më të përballueshme këtë situatë të vështirë. 

Përcaktimi i abonesë së studentit falas, është një vendimmarrje e shpejtë e cila jo vetëm që nuk është rakorduar me ne, por është njoftuar direkt për aplikim dhe zbatim në formë detyruese, pa lënë kohën e nevojshme në dispozicion se si do gjendej transporti në momentin që kjo politikë mund të realizohej dhe vihej në praktikë”, thuhet në letër.

Të fundit