Flash News

E-TJERA

Ai ka të drejtë të mbrohet, çfarë parashikon Rregullorja e Kuvendit për rastin e Alqi Bllakos

Ai ka të drejtë të mbrohet, çfarë parashikon

SPAK kërkoi autorizim për arrestimin e deputetit të PS-së, Alqi Bllakos, pasi rezultoi i përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit.

Kërkesa ka mbërritur në Kuvend, ndërsa nesër pritet të mblidhet Këshilli i Mandateve. Rregullorja e Kuvendit parashikon që kryeparlamentari pasi ka marrë kërkesën ia vendos në dispozicion së bashku me dokumentet Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet dhe vë në dijeni deputetin.

Gjithashtu parashikon që deputeti, në këtë rast Alqi Bllako ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.

Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg.

Shqyrtimi i kërkesës më pas kalon në seancë parlamentare, ku fillimisht i jepet fjala deputetit për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.

Raporti i Këshillit nuk është objekt diskutimi. Kuvendi vendos me votim të hapur për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi.

Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për caktimin e masës së sigurimit të një deputeti brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

Kujtojmë që Këshilli i Mandateve përbëhet nga 10 deputetë, të mazhorancës dhe opozitës. Anëtarë të përhershëm të këtij këshilli janë: Lindita Nikolla (Grupi parlamentar PS), Klotilda Bushka (Grupi parlamentar PS), Ermonela Felaj (Grupi parlamentar PS), Arben Pëllumbi (Grupi parlamentar PS), Taulant Balla (Grupi parlamentar PS), Gazmend Bardhi (Grupi parlamentar PD), Enkelejd Alibeaj (Grupi parlamentar PD), Ervin Salianji (Grupi parlamentar PD), Greta Bardeli (Grupi parlamentar PD), Saimir Korreshi (Grupi parlamentar PD).

 

Të fundit