Flash News

E-TJERA

Amaneti i fundit i Rexhep Qoses

Amaneti i fundit i Rexhep Qoses

Valjeti, nipi i akademikut Rexhep Qosja që u nda sot nga jeta, ka publikuar amanetin e fundit të gjyshit të tij.

Në një letër që Qosja i ka drejtuar nipit, ka kërkuar që varrimi të mbahet vetëm në praninë e familjarëve. Akademiku ka kërkuar të prehet afër varrit të gruas së tij Shpresës dhe të varroset pa fjalime, pa praninë e mediave.

Qosja shkruan në letër se “vdes i qetë”, pa i mbetur borxh Shqipërisë dhe Kosovës, të sotmes dhe ardhmërisë së tyre, pasi jetën, krijimtarinë dhe veprimtarinë politike ia ka kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies së popullit shqiptar.

LETRA

NIPIT TIM VALJETIT

I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT

KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME

Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.

Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.

Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.

Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.

Vdes i qetë.

Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua - këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.

Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.

Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.

Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.

Gjyshi yt, Valjet

Rexhep Qosja

Amaneti i fundit i Rexhep Qoses

Të fundit