Flash News

E-TJERA

Anastas Angjeli synon Këshillin Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, Spaho e Agalliu në një mendje: Kandidaturë ekselente

Anastas Angjeli synon Këshillin Mbikëqyrës në Bankën e

Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat zhvilloi seancë dëgjimore me kandidatët që kanë aplikuar për të dy vendet vakante të krijuara në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Mes kandidatëve është edhe ish-deputeti i Partisë Socialiste Anastas Angjeli, i cili në prezantimin e tij u shpreh se kandidon për këtë post pasi mendon se ka përvojën e nevojshme për të dhënë ndihmën e tij në ndryshimin e kuadrit ligjor të Bankës së Shqipërisë. Kandidatura e Angjelit mori mbështetjen e deputetit të PD-së në Komisionin e Ekonomisë, Edmond Spaho, i cili tha se kjo është një kandidaturë ekselente.

“Vende të tilla në Bankën e Shqipërisë janë për individë me një eksperiencë dhe përvojë të madhe. Kështu që mendoj se zoti Anasatas Angjeli është një kandidaturë ekselente për këtë pozicion”, tha Spaho.

Qëndrim të ngjashëm mbajti dhe deputeti i ri i PD-së, Arbi Agalliu, i cili ftoi kolegët që të ruajnë këtë lloj standardi në vlerësime.

Banka e Shqipërisë është institucion i pavarur, por pavarësinë sot ia jep integriteti profesional,” tha Agalliu, ndërsa shtoi se bordi kërkon individë me eksperiencë profesionale.

Pas dëgjesës publike me kandidatë, deputetët do të përzgjedhin kandidatë që do t’i paraqiten Kuvendit për votim. Për t’iu propozuar Kuvendit në votim, një kandidat duhet të marrë mbështetjen e të paktën 28 deputetëve. Vakancat në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë janë krijuar për shkak të përfundimit të mandatit 7 vjeçar të anëtarëve Natasha Ahmetaj dhe Tonin Kola. Ata u zgjodhën në këtë detyrë në dhjetor të vitit 2014.

Të fundit