Flash News

E-TJERA

Ankimimet për zgjedhjet, anëtari i KAS: Përmbysja e rezultatit e vështirë, por dy qarqe mund të ndryshojnë

Ankimimet për zgjedhjet, anëtari i KAS: Përmbysja e rezultatit e

Anëtari i KAS, Ledio Braho ka shpjeguar si po ecën procesi i verifikimit të animimeve nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokratike.

Subjektet politike dhe kandidatë të pavarur kanë dërguar në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve ankimime për rezultatin e zgjedhjeve në 10 qarqe, teksa kërkojnë pavlefshmëri të zgjedhjeve.

Sipas Brahos, i ftuar në emisionin në Top Talk , përmbysja e rezultatit është e vështirë, por veçon qarkun e Durrësit dhe Beratit.

“Nga ankimet, del që të vetmet qarqe janë Berati dhe Durrësi, ku LSI pretendon rinumërim në disa prej qendrave të votimit. Në Berat, LSI e ka humbur mandatit për 77 vota dhe një rivlerësim i votave të pavlefshme dhe votave të tjera mund të sjellë ndryshim. Mjafton që një anëtar i KAS, të kërkojë rihapjen e një kutie me fletë ku ka shënime apo ku mendohet se ka shkelje në numërim dhe vlerësim, dhe pasi bëhet, mund të dalë rezultat i ri”.

Braho tregon pretendimet e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Berat: “Një nga rastet që LSI ngre për qarkun e Beratit, janë disa qendra votimi, ku kërkojnë pavlefshmërinë sepse nuk ka listë zgjedhësish. Nuk është printuar një listë zgjedhësish nga pajisja Pay, po ashtu nuk ka “hard copy”, që të kenë nënshkruar votuesit. Kjo do të shihet, nëse është pavlefshmëri apo jo. Që të pranohet pavlefshmëria në një qendër votimi, duhet të jenë dakord, katër anëtarë të KAS-it, shumicë e cilësuar”.

Në qarqet e tjera kërkohet pavlefshmëri totale e zgjedhjeve, gjë që duket shumë e vështirë për t’u verifikuar, thotë anëtari i KAS. “Duke iu referuar të gjitha ankimimeve, përveç qarkut të Beratit dhe të Durrësit, të gjitha ankimimet e tjera, pretendojnë vetëm për pavlefshmëri totale të zgjedhjeve. Është e vështirë për t’u provuar dhe do të varet dhe nga mënyra si do të kryhet hetimi nga KAS, nëse do të pranohen prova të tjera.
LSI i bazon këto pretendime nga filmimet që ka marrë nga KQZ, për çdo kuti numërimi. Pretendimet e PD-së kanë të bëjnë me vullnetin e votuesit, para se të shkonte të votonte”, sqaron Braho.

Të fundit