Flash News

E-TJERA

Apeli i GJKKO-së rikthen në burg Alqi Bllakon

Apeli i GJKKO-së rikthen në burg Alqi Bllakon

Apeli i Gjykatës së Posaçme ka rikthyer në burg Alqi Bllakon. Vendimi erdhi pas ankimimit të SPAK, i cili nuk e pranoi masën “arrest shtëpie” për ish-deputetin socialist.

GJKKO vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg”  në “arrest shtëpie” ndaj ish-deputetit Bllako më 6 tetor.

Ai fitoi lirinë me argumentet se gjendja familjare është e rënduar, ka fëmijë të mitur për t’u kujdesur dhe se hetimet për dosjen janë drejt fundit.

Kujtojmë se, Bllako akuzohet për veprat penale shpërdorimi i detyrës dhe dhe korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendor lidhur me aferën e inceneratorëve.

Hetimet evidentua se në kohën kur ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka kryer veprime të kundraligjshme  me dashje gjatë procedurës së shpronësimit të tokës në ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke shkaktuar një dëm prej 16.288.344 lekësh.

Po ashtu vihet në dukje, se Bllako, ka favorizuar kompaninë koncensionare “Integrated Technology Waste Treatment”, kundrejt përfitimit të parregullt, në shumën e 14.964.900.

Kush është Alqi Bllako?

Bllako,  edhe pse vetëm 26 vjeç, ka punuar si sekretar i Përgjithshëm i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka në vitet 2013-2017, kohë gjatë së cilës është angazhuar edhe me procedurat e tre koncesioneve të trajtimit të mbetjeve urbane – të fituara nga kompanitë e lidhura me Mirel Mërtirin.  

Pas vitit 2017, Bllako punoi si sekretar i Përgjithshëm i Presidencës, ndërsa në fillim të vitit 2019 ai u emërua nga qeveria “Rama” në krye të AKUM -një agjenci e re që koordinon dhe monitoron aktivitetin e ujësjellës-kanalizimeve dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.

 Sipas Thesarit të Shtetit, emri i Alqi Bllakos figuron edhe si firmosës i urdhër-pagesave që janë bërë për landfillet; madje 3 ditë para se ikte nga ministria e Lefter Kokës dhe të bëhej nr. 2 pranë Ilir Metës në presidencë, ka kërkuar shtesë fondesh për 3 landfillet.

Këtë e fakton Shkresa nr. 5995 Prot, dt. 26.07.2017, ku Alqi Bllako, ende Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, i kërkon Ministrisë së Financave, 250 milionë lekë të reja shtesë fondesh, për 2 landfillet Fier e Elbasan.

Të fundit