Flash News

E-TJERA

"Apeli në kolaps", kryetarja e KLGJ-së: Është thembra e Akilit; çfarë thotë për Gjykatën e Lartë

"Apeli në kolaps", kryetarja e KLGJ-së: Është
Naureda Llagami

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami ka raportuar sot para Komisionit të Ligjeve, ku ka evidentuar edhe shqetësimet e sisitemit gjyqësor. Ajo ka ngritur si shqetësim vakancat në Gjykatat e Apelit.  Mungesa e gjyqtarëve është krijuar nga procesi i Vettingut dhe dorëheqjet.

Duke e cilësuar si "thembrën e Akilit", Llagami thekson se Apeli ka 25 gjyqtarë funksionalë nga 78 që është numri i nevojshëm. Kjo situatë, sipas saj, ka shtuar ngarkesën. Kryetarja e KLGJ-së, bëri me dije se aplikime ka në Apelin e Tiranës dhe Durrësit, duke ngritur si shqetësim mungesën në gjykatat e tjera.

“Situata në Apel është shumë problematike. Gjykata e Apelit është thembra e Akilit. Në këtë gjykatë unë mund të them se nga 78 gjyqtarë që ushtrojnë detyrën vetëm 25 janë funksionale dhe ky numër zvogëlohet për shkak të vettingut dhe dorëheqjes.

Unë do të doja që të plotësohej organika. Këshilli ka hapur 21 procedura për ngritjen në detyrë. Gjithë aplikimet janë për Apelin në Tiranë dhe Durrës, ndërsa për gjykatat e tjera këshilli ka hapur dhe rihapur procedurat sepse nuk ka kandidatura. Mungesa e gjyqtarëve krijon pengesë në funksionimin e punës.  Sot kemi një kolaps sa i takon gjykatave të Apelit", tha Llagami.

Sa i përket ringritjes së Gjykatës së Lartë, ajo tha se shumë shpejt do të ketë 15 anëtarë që do të zhbllokojë dhe kuorumin për të emëruar anëtarët në Gjykatën Kushtetuese.

"Në vendet që kemi hapur Gjykata e Lartë do të ketë shumë shpejt 15 gjyqtarë, 15 anëtarë duke mundësuar dhe zhbllokimin e kuorumit për të emëruar anëtarët në Gjykatën Kushtetuese", shtoi Llagami.

 

 

Të fundit