Flash News

E-TJERA

Argjentinasi pret telefonatën e Laporta-s, ja çfarë e pengon rikthimin e Messit tek Barcelona

Argjentinasi pret telefonatën e Laporta-s, ja çfarë e pengon

Nëpër media është aluduar për një rikthim të bujshëm të Lionel Messi-t tek skuadra e Barcelonës në merkaton e verës. Tifozët katalanas kanë filluar të ëndërrojnë, por përtej dëshirës së lojtarit, i cili do të donte të kthehej në Spanjë, janë disa pika të rëndësishme që e bëjnë të vështirë këtë transferim.

Prestigjiozja spanjolle “Mundo Deportivo” shkruan se pengesa kryesore për rikthimin e argjentinasit është aspekti financiar.

Si lojtari, por dhe klubi i Barcelons, nuk duan të marrin një rrezik që më pas mund të çojë në mos regjistrimin e lojtarit. Kjo kishte ndodhur në gusht të vitit 2021. Dhe, as presidenti i Barçës, Joan Laporta dhe as Messi nuk duan ta përsërisin atë përvojë.

Në fund të shkurtit, Laporta u takua me Jorge Messin, babain e Leos, në Barcelonë. Futbollisti tani shpreson që ai do ta kontaktojë personalisht për të diskutuar një rikthim të mundshëm.

Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” shpreson se Laporta do të ndërmarrë hapin për të folur drejtpërdrejt me të për të rregulluar sadopak raportet mes tyre.

Përshëndetja mes të dyve ishte shumë e ftohtë më 8 gusht 2021, kur u bë e ditur se Messi po largohet. Ata as nuk u përshëndetën më 27 shkurt në Salle Pleyel, ku ata ishin prezent në ceremoninë e më të mirëve të FIFA-s.

Në anën tjetër, stafi i trajnerëve të Barcelonës tashmë po planifikojnë punën e tyre duke pasur parasysh rikthimin e mundshëm të argjentinasit. Messi është në kontakte të shpeshta me Xavin dhe trajneri tashmë i ka thënë sulmuesit se cili do të ishte roli i tij nëse ai rikthehet.

Barcelona thuhet se do t’i ofrojë Messit një kontratë njëvjeçare nëse La Liga miraton lëvizjen. Javë më parë u konfirmua nga zëvendës-presidenti i klubit, Rafa Yuste, se ka kontakte mes palëve, por jo edhe diçka konkrete rreth rikthimit të mundshëm të “pleshtit”.

Edhe Paris Saint-Germaini i ka ofruar fituesit të Kupës së Botës kontratë të re, por që ende nuk është pranuar. Messi me parisienët ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2023

Të fundit