Flash News

E-TJERA

Arratisja e Lefter Toçit dhe Romeo Qosjas nga burgu i Kassavetias, media greke: Të rrezikshëm dhe të armatosur

Arratisja e Lefter Toçit dhe Romeo Qosjas nga burgu i Kassavetias, media

Autoritetet greke janë vënë në ndjekje të dy shqiptarëve të arratisur, Lefter Toçi dhe Romeo Qosja, pas largimit të tyre spektakolar nga burgjet rurale të Kassavetia, mbrëmjen e së enjtes, 2 janar. Policia greke po zhvillon një operacion të gjerë për të kapur të arratisurit, të cilët konsiderohen tepër të rrezikshëm dhe dyshohet se janë të armatosur.

Sipas raportimeve nga media greke “Protothema”, disa qytetarë i kanë parë dy shqiptarët në lëvizje, ndërsa operacioni i policisë është shtrirë edhe në zonën e Atikës Perëndimore. Dy burrat, të dy 41-vjeçarë, po vuanin dënime të rënda, përfshirë burgim të përjetshëm, për një sërë grabitjesh, zjarrvënie dhe përfshirje në një organizatë kriminale që synonte kryerjen e vrasjeve.

Arratisja e planifikuar me kujdes
Lefter Toçi dhe Romeo Qosja u mbajtën në një burg të tipit të hapur, në një zonë pa rrethim, për shkak të sjelljes së mirë. Dhoma e tyre kontrollohej vetëm disa herë në ditë nga stafi i burgut. Të dy të dënuarit kishin përfituar leje pesëditore gjatë vitit 2024 dhe dyshohet se kanë shfrytëzuar kthimin e fundit nga leja për të planifikuar dhe realizuar arratisjen.

Zhdukja e tyre u zbulua në orën 21:00 të së enjtes, duke alarmuar autoritetet greke, të cilat e konsiderojnë çiftin një kërcënim serioz për sigurinë publike. Policia ka angazhuar ekipe speciale në operacion, ndërsa ende nuk ka informacione konkrete për vendndodhjen e tyre.

Arratisja ka ngritur pikëpyetje për masat e sigurisë në burgjet rurale të Greqisë, ndërsa autoritetet po analizojnë si u arrit një largim i tillë pa u diktuar. Të dy të arratisurit mbeten në kërkim dhe konsiderohen të armatosur dhe të rrezikshëm.

 

Të fundit