Flash News

E-TJERA

Autoriteti i Konkurrencës nis hetim për rritjen e çmimit të biletës për dy linjat urbane të Kamzës

Autoriteti i Konkurrencës nis hetim për rritjen e çmimit

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka nisur hetimet ndaj kompanisë që operon linjat e transportit urban në Kamëz, pas rritjes së çmimit të biletës nga 40 në 50 lekë.

Sipas njoftimit zyrtar, hetimi ka ardhur pas vendimit të Këshillit Bashkiak të Kamzës, i cili, duke nisur nga 1 nëntori, ka miratuar rritjen e tarifës me 10 lekë për përdoruesit e transportit urban.

Hetimi përfshin dy linjat: Kamëz – Tiranë – Kamëz; Paskuqan – Babrru – Tiranë.

Kompania private që operon këto linja rezulton të jetë operatori i vetëm i licencuar, duke mbajtur një pozitë dominuese në treg, çka ka shtuar shqetësimet mbi konkurrencën dhe justifikimin e rritjes së tarifave.

Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se nga vlerësimi paraprak “mungojnë analiza ekonomike dhe financiare që të justifikojnë rritjen e tarifave”, duke shtuar se hetimi do të shqyrtojë nëse ka pasur shkelje të rregullave të konkurrencës.

Periudha e hetimit do të përfshijë intervalin nga 1 janari 2025 deri më 12 dhjetor 2025. Autoriteti thekson se do të vijojë me trajtimin e çështjes dhe do të informojë publikun mbi rezultatet e procedurës dhe çdo vendimmarrje të mëtejshme.

Të fundit