Flash News

E-TJERA

"Avokatët" e Ramës që iu "gëzuan" sulmit ndaj Berishës

"Avokatët" e Ramës që iu "gëzuan" sulmit

Sulmi fizik ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha pushtoi mediat vendase dhe të huaja. Shumica e dënoi ashpër aktin e dhunës, por nuk munguan as ata që u “gëzuan” dhe që nxituan të rrëzonin pretendimet se mund të vinte nga kundërshtari i tij politik, Edi Rama. Pati nga ato zëra që e cilësuan të stisur për të lënë në hijë samitin e Tiranës.

Gazetari Ardit Rada tha se “karma bëri punën e saj”, ndërsa reagimet që dënonin sulmin i konsideroi lum hipokrizie në rrjetet sociale.

“Pas ngjarjes që tronditi vetëm Berishën dhe sigurimin e tij personal një lumë hipokrizie vërshoi në rrjetet sociale dhe në ekranet e mbrëmjes. Gjeje aty vajtonjës, moralistë, të dëshpëruar dhe të ‘çuditur’ sesi sulmohet një burrë plak që mezi mbahet në këmbë. Këto qëndrime i bëjnë hipokrikte dy faktorë. Së pari, ky ‘burri plak’ ka 30 vjet nëpër këmbë, në çdo fushë të jetës së shqiptarëve. Nuk ishte një pensionist i zakonshëm që e rrahu një narkoman në lulishte”, shkruan gazetari.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ish-politikani Kreshnik Spahiu. Sipas tij, Rama nuk kishte interes t’ja bëntë këtë sulm Berishës.

“Por a mendoni ju se, KARMA ja ktheu mbrapsht ‘dajakun’ me të njëjtën mënyrë siç ja bëri kundërshtarëve? Njeriu i fundit që do kish interes për ta rrahur Sali Berishën sot, do ishte Edi Rama. Sot ishte e vetmja ditë që Rama nuk do e faktorizonte Berishën. Grushtet mbi Sali Berishën, shkëputën vëmendjen nga samiti i BE dhe nga dita magjike e Edi Ramës”, shkruan Spahiu.

As analistit Mustafa Nano nuk i bëri përshtypje sulmi fizik i liderit të opozitës gjatë protestës anti-qeverisë. Nano shprehet i shqetësuar për dhunën ndaj agresorit.

“Pas rrahjes së Berishës, kam dëgjuar shumë vetë të thonë: Nuk qëllohet ashtu një plak. Lënë të kuptohet pra se nuk e kanë me dhunën. Nuk është dhuna që i shqetëson. Me fjalë të tjera, e ushtruar mbi njerëz, që nuk janë pleq, apo nuk janë pjesëtarë të ndonjë kategorie tjetër vulnerabël, dhuna është ok.

Për shembull, dhuna kafshërore që u ushtrua ndaj agresorit të Berishës u injorua nga të gjithë. Ndoshta sepse “nuk ishte plak”!!! Unë jam i skandalizuar që nuk u vu re se e vetmja dhunë barbare dje ishte ajo mbi agresorin e Berishës. Pamjet televizive të më shumë se dhjetë burrave që bënin vetëgjyqësi me robin e kapur në flagrancë ma sillnin Shqipërinë si Afganistanin e qeverisur nga talebanët”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tij për inicidentin në protestë.

Ndërsa analisti Frok Çupi deklaroi se Berisha e ka sajuar dhe organizuar vet incidentin. Sipas tij, qëllimi ishte të sfumohej rëndësia e samitit që u mbajt në Tiranë.

“Berishës i duhet të ishte protagonist dhe ai nuk prodhon dot më lajm, prandaj e sajoi. Ai është vite dritë larg dhe është një politikan që nuk pranohet nga perëndimi. Në analizën time ai e ka sajuar,e ka organizuar vetë atë”, deklaroi analisti në një intervistë televizive.

Gazetarja nga Kosova, Arbana Xharra akuzoi Berishën se provokoi skandale, në një kohë kur ky i fundit kishte thënë prerë se protesta do ishte paqësore. Gazetarja thotë se nuk ka mundësi që truprojat të mos e mbronin Berishën, ndërsa pretendon se incidenti ishte i sajuar.

“Ne nje dite shume te rendesishme si kjo sot, kur lideret e BE-se mblidhen ne Tirane, cohet Sali Berisha me protestu e me provoku skandale. Ky se ka pase asnje here problem me kalle vendin, e le ma tash qe eshte ba matuf.

Ne turma gjithmone ka rrezik me u sulmu, por qysh ka mundesi qe truprojet e tij mos me qene ne gjendje me e mbrojte prej grushtave?!”-shkruan Xharra.

Gazetari Mero Baze ka zgjedhur të kritikojë Berishën përse nuk bashkëpunon me policinë, ndërkohë që kryedemokrati i tregoi publikisht faktet se agresori nuk vuante nga probleme të shendetit mendor.

“Në vend të bashkëpunimit me drejtësinë dhe ndëshkimin e thellë të kulturës së dhunës, ata po demonstrojnë vetëgjyqësi dhe forcim të kultit të dhunës në politikë.

Sali Berisha po përpiqet të imitojë Sali Berishën e vitit 1997, kur refuzonte komisionet hetimore parlamentare apo ngjarjet që pasuan vrasjen e Azem Hajdarit, kur ai ishte duke dhënë shpirt dhe ky i rrinte me diktofon tek koka t’i merrte dëshmi, duke refuzuar më pas të jepte dëshminë e tij në prokurori”, shkroi ndër të thera Baze.

Analisti Carlo Bollino nuk surprizoi, pasi edhe këtë herë doli kundër Sali Berishës, ndërsa ngre një sërë akuzash ndaj tij.

“Lista e gënjeshtrave të Sali Berishës është e pafundë, siç janë të pafundme krimet me të cilat është njollosur dhe që është përpjekur gjithnjë t’i maskojë duke ja vënë të tjerëve fajin që nuk kishin. Edhe sot Berisha gënjeu, siç dëshmoi nëna e sulmuesit dhe mjeku që e ka nën kurë: një i ri i mjerë me mendjen e humbur mes psikoilaçeve dhe antiepileptikëve, që Berisha e përshkroi si një të infiltruar të policisë kriminale nën koperturë, i pajisur deri me çertifikatë false mjeksore për t’i shpëtuar një arrestimi të mundshëm në mission”, shkroi Bollino.

Të fundit