Flash News

E-TJERA

Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit për herë të parë pas 11 vjetësh

Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit

Për herë të parë pas 11 vitesh, Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit.

Norma bazë e interesit u rrit nga sot me 0.5 pikë përqindje në nivelin 1%.

Po ashtu, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të rrisë edhe rritjen e normës së interesit të kredisë njëditore nga 0.9% në 1.9%, ndërsa mbajti të pandryshuar normën e interesit të depozitave njëditore në 0.1%. 

Lidhur me këtë ndryshim, Guvernatori i bankës, Gent Sejko u shpreh se goditja inflacioniste që ka shkaktuar lufta ruse në Ukrainë do të jetë më e fortë dhe më afatgjatë krahasuar me projeksionet e mëparshme. Inflacioni pritet të jetë i lartë dhe siëpr objektivit të Bankës së Shqipërisë të paktën deri në fund të vitit të ardhshëm.

“Përditësimi i parashikimeve afatmesme tregon se ekonomia shqiptare do të vuajë pasojat e goditjes. Rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me vlerësimet tona të mëparshme. Megjithatë, vlerësimet e skenarit bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në afatin e mesëm.

Po ashtu, projeksionet tona tregojnë se rritja ekonomike do të mbetet në territor pozitiv edhe në rast se goditja rezulton më e fortë se vlerësimet aktuale.

Nga ana tjetër, goditjet e ofertës dhe qëndrueshmëria e kërkesës së brendshme pritet të pasqyrohen në norma më të larta inflacioni. Sipas skenarit bazë të parashikimeve, inflacioni do të luhatet rreth nivelit 5-6% për pjesën e mbetur të vitit 2022. Më tej, me qetësimin e pritur të tregjeve ndërkombëtare, inflacioni pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij”, tha Sejko.

Çfarë është norma bazë e interesit

Norma bazë e interesit është norma e interesit që Banka e Shqipërisë vendos si objektiv për transaksionet e saj me bankat tregtare. Thënë më thjeshtë, është norma që Banka Qendrore paguan për depozitat e bankave tregtare ose që u ofron bankave për kreditë afatshkurtra.

Duke ndryshuar normën bazë, banka ndikon të gjitha normat e interesit në treg, në mënyrë që të krijojë kushte për të garantuar sasinë e kërkesës dhe ofertës së ekonomisë për mallra dhe shërbime të balancuar në një nivel që prodhon çmime që ndryshojnë afër objektivit të inflacionit të bankës prej 3%.

Kur norma e interesit ngrihet, investimet bëhen më të kushtueshme dhe vlera e kursimit rritet. Kjo ndodh kryesisht kur Banka mendon se ekonomia po tejnxehet – kur ajo po ecën me ritme më të shpejta se ato të ekuilibrit.

Kur Banka e ul normën e interesit, shpenzimet inkurajohen, pasi normat e interesit për depozita dhe kredi ulen, duke nxitur investimet dhe shpenzimet. Kjo ndodh kryesisht kur Banka mendon se ekonomia po ecën më ngadalë se ritmi i vet i ekuilibrit.

Të fundit