Flash News

E-TJERA

Bashkia Kukës 'burgos' kujtimin e Havzi Nelës, jep leje për ndërtimin e një kapanoni

Bashkia Kukës 'burgos' kujtimin e Havzi Nelës, jep leje

“Piranjat” kanë trajtuar rastin sesi në vendin ku u var poeti Havzi Nela, Bashkia e Kukësit ka dhënë leje për ndërtimin e një kapanoni. Kreu i Shoqatës të Përndjekurve Politikë e cilësoi këtë një fyerje për të gjithë të përndjekurit. Për më tepër leja e dhenë nga Bashkia e Kukësit ka nxitur edhe më shumë përplasjen mes dy kushërinjve për çështje pronësie. Deri më tani nga Bashkia e Kukësit nuk është marrë asnjë masë për situatën.

Historia e qytetit të Kukësit është e lidhur me emrin e poetit Havzi Nela, të ekzekutuar nga regjimi komunist më 10 gusht 1988. Ai u var në mes të qytetit nga diktatura, pasi mendonte ndryshe. Ajo që e bën më të rëndë situatën është fakti se në vendin ku u var Havzi Nela, Bashkia e Kukësit ka dhënë leje për ndërtimin e një kapanoni. Pra, çdokush që vjen në Kukës me dëshirën e mirë për të parë vendin ku është varur disidenti Nela, aty do të gjejë një kapanon, ndërsa tabela që tregon se aty është varur poeti është lënë në cep të kapanonit.

Për këtë, Piranjat shkuan tek kryetari i Bashkisë së Kukësit, Albert Halilaj. Ky i fundit ka qenë dhe më herët në dijeni të rastit, pasi është kontaktuar nga kreu i Shoqatës së Përndjekurve Politikë, Besim Ndregjoni. Por fatkeqësisht nuk ka bërë asgjë. Halilaj u zotua se do e shohë këtë çështje me prioritet dhe se do të gjendet një zgjidhje. Ndërsa kreu i Shoqatës të Përndjekurve Politikë, u shpreh se kjo që po ndodh në Kukës është një fyerje për të gjithë të përndjekurit.

Ndërkohë përpos faktit se kapanoni është ndërtuar mbi vendin ku është varur Havzi Nela, leja e dhenë nga Bashkia e Kukësit ka nxitur edhe më shumë përplasjen mes dy kushërinjve, Xhevdet dhe Adilmexhit Sopaj. Këta të fundit janë në konflikt të ashpër për pronësinë që në vitin 2015, ku nuk ka munguar as dhuna e fortë fizike ndaj djalit asokohe 17-vjeçar, të Xhevdetit, i cili u dhunua nga Adilmexhiti dhe u godit me kazmë në bark.

Tani gjithçka është në dorën e Bashkisë së Kukësit, jo vetëm për t’i dhënë fund një konflikti disa vjeçar mes dy kushërinjve, por çfarë është më e rëndësishmja t’iu rikthejë këtë kënd memorjeje familjarëve, ish-te përndjekurve dhe shkrimtarëve e poetëve dashamirës të cilët çdo 10 Gusht vijnë nga të gjitha trevat shqiptare, për të përkujtuar poetin e lirisë Havzi Nela. Syri tv

Të fundit