Flash News

E-TJERA

Begaj i bindet Ramës, dekreton ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore

Begaj i bindet Ramës, dekreton ndryshimin e ligjit për komisionet

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar sot ndryshimin për ligjin e komisioneve hetimore. Ndryshimet në ligj u propozuan nga Partia Socialiste, si një mënyrë për të penguar opozitën të kërkojë ngritjen e tyre për hetimin e çështjeve të caktuara.

Begaj pretendon se ankesat për ndryshimet e propozuara vijnë nga një pakicë e Kuvendit, kur në fakt ka qenë opozita ajo e cila ka kërkuar ngritjen e komisioneve hetimore të cilat janë rrëzuar nga mazhoranca dhe ka shprehur kritika për ndryshimet e propozuara.

“Presidenti i Republikës nxori sot dekretin “Për shpalljen e ligjit nr.106/2023, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8891, datë 2.5.2002, “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”.

Trajtimit të kësaj praktike institucionale ditët e fundit i është dhënë përmbajtje politike nga një numër i kufizuar deputetësh. Për këtë arsye, Institucioni i Presidentit të Republikës e gjen me vend të informojë opinionin publik, si vijon:

Shpallja e ligjeve nga Presidenti i Republikës bëhet në përfundim të procedurës së kontrollit kushtetues, gjatë të cilit institucioni verifikon kushtetutshmërinë e dispozitave të reja dhe të procedurës së miratimit të tyre. Kontrolli kushtetues nuk verifikon asnjë aspekt me përmbajtje politike të ligjit.

Argumenti më me peshë që ngrihet nga një pjesë e eksponentëve të opozitës ka lidhje me pretendimin se hyrja në fuqi e këtij ligji mund të minojë dialogun mes palëve politike në Kuvend: – “Ky ligj i njëanshëm duhet të kthehet në parlament dhe të miratohet me konsensus”.

Presidenti i Republikës e çmon si tejet të rëndësishme uljen në negociatë për të gjetur zgjidhje kompromisi për këtë lëndë, si për çdo lëndë tjetër objekt debati, kontestimi apo konflikti politik. Zgjidhja e shpejtë e kundërshtive për këtë ligj do të formonte një mundësi serioze për të ndërtuar marrëdhënie mirëbesimi mbi një shembull konkret bashkëpunimi. Kjo është arsyeja pse Presidenti i Republikës ftoi menjëherë eksponentët më të zëshëm të opozitës që të kërkonin kompromisin me shumicën parlamentare dhe të shfrytëzonin ndërkohën, deri në përfundimin e afatit për shpalljen e ligjit, për të zgjidhur në dialog me shumicën të gjitha çështjet që i shqetësonin lidhur me ligjin e sapo miratuar.

Në të vërtetë, periudha nga miratimi i ligjit, deri në përfundimin e afatit 20-ditor për shpalljen e tij, u ezaurua pa asnjë demarsh për të ofruar dhe gjetur zgjidhje kompromisi, gjë që mban në këmbë si objektiv qëllimin për bllokimin e hyrjes në fuqi të ligjit, por rrëzon si të paqenë objektivin për “diskutimin dhe miratimin konsensual të ndryshimeve në ligjin për komisionet hetimore””, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Të fundit